Zejtarët e ndërtimit shquheshin për ndërtim shtëpiash, kurse marangozët, me punimet e drurit në to.

Shtëpia tipike elbasanase me hajat, ishte vijim i tipit mesdhetar të banesave. Ato ngriheshin në përgjithësi mbi një bazë katërkëndëshe, ku kishte zakonisht tre konakë: Dhoma e madhe, akçihaneja në mes dhe dhoma e vogël.

Para se të hyje në kthinat, do të kaloje nëpër hajat, çatia e të cilit në tri anë mbështetej në mur, kurse nga ana e përparme mbështetej në shtylla druri zakonisht prej dushku. Dyshemeja e hajatit përbëhej nga dhe i ngjeshur e i rrahur.

Hajati nuk ka tavan në kuptimin e vërtetë të fjalës, por trarë të drejtë, qepra dhe patavra pishe të çara me sëpatë. Në njërën ose në dy anët e hajatit, më lart se ky mund të kishte një ose dy sofa prap me dhe të ngjeshur dhe diçka më lart se sofati në të zgjaturit e tyre përpara.

Kishte një qoshkë ose dy (majtas djathtas) me dysheme prej dërrase dhe parmakë (ku rrihej e mund të flihej gjatë verës).

Poshtë qoshkut zakonisht ishte qymezi i shpendëve.

Dhomat kanë brenda parvazë dhe dollapë shpesh herë të skalitur me lule të stilizuara. Të tilla janë shtëpiat e Qafmollajve, Hasave, Çiftes e tjerë.

Një shtëpi dy katëshe me çardhak tipike elbasanase është shtëpia e Sejdinëve (1791) në qendër të qytetit (sot muzeu Etnografik i rrethit).

123456