Venemin Dashi lindi në Elbasan, në vitin 1899.
Më 1908 shkon në Vienë, ku kryen shkollën fillore e të mesme. Pastaj mbaroi dhe studimet e larta për Histori, po në Vienë, Austri. Merr doktoraturën dhe kthehet në Shqipëri më 1926. Nga ky vit, deri në 1939 ka punuar si mësues dhe pastaj si Drejtor i Institutit “Nëna Mbretëreshë”. Si kundërshtar i fashizmit, internohet në Porto Romano e lirohet me kapitullimin e Italisë fashiste. Punoi si pedagog në shkollën Normale Elbasan, liceun e Korçës dhe në gjimnazin e Durrësit. Ndihmon në përfundimin e veprës “Lidhja e Prizrenit dhe punët e sajë”, gjë për të cilën historiani Xhaferr Belegu e falënderon në hyrje. Gjatë kësaj kohe si historian, ka pasur letër këmbim me profesorin austriak Karl Patsch, themelues i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë.
U arrestua më 1947 dhe denohet me 20 vjet burg, konfiskim të pasurisë së tij të tundëshme dhe të patundëshme. Në burgun e ri të Tiranës, ku po kryente dënimin, u caktua në repartin e përkthimeve. U lirua nga burgu ne vitin 1951. Fillimisht punoi si punëtor krahu, më pas punon në Institutin e Shkencave si përkthyes. Ka përkthyer me dhjetëra vepra albanologjike nga më të arrirat. Përkthimet e tij janë shfrytëzuar në anonimat nga Instituti i Historisë, Instituti i Arkeologjisë, shtëpia botuese Naim Frashëri etj. Vepra te perkthyera si: Mayer-Kraitscher, Historia e kohës së vjetër. p. I; Historija e kohës së vjetër, p. II; Romanët, “Luarasi”, Tiranë, 1935; Georg Von Hahn, Studime Shqiptare, “IDK”, Tiranë, 2007. Me rastin e botimit të këtij libri, gazetari I.Yzeiri, shkruan se “vëllimi i parë i këtij studimi, ishte përkthyer nga dijetari shqiptar i lënë mënjanë,Veniamin Dashi”.