(Riemërtimi i shkollave në qytet)

Ish gjimnazi i Elbasanit me emrin “Qemal Stafa” tashmë e tutje do të mbajë emrin e pedagogut të mirënjohur “Vasil Kamami”. Është një vendim i këshillit bashkiak për ndryshimin e disa emërtimeve të shkollave që janë edhe emra lagjesh, edhe emra rrugësh, edhe emra shkollash. Kështu është vepruar me emërtimin e shkollës “Abdyl Paralloi”, që mban emrin shkolla 9-vjeçare që më parë e kishte emrin “Dr. Xhaferr Kongoli”, emër të cilin e mban edhe kompleksi spitalor i Elbasanit. Po kështu edhe me emrin e shkollës “Fadil Gurmani”, që zëvendësoi emrin Abdyl Myzyri, që ka edhe një emër lagjeje me të njejtin emërtim. Edhe disa ditë më parë u bë inagurimi i shkollës Sulë Harri, një personalitet i arsimit të kohës. Është një korigjim në këto emërtime për t’iu shmangur politizimeve të shumta që ekzistojnë në emërtimet e lagjeve, shkollave, rrugëve e të tjera që lidhen veç me luftën komuniste dhe me emëra njerëzish që nuk kanë lidhje me institucionet përkatëse. Kështu për shembull ndër 19 lagje që ka qyteti i Elbasanit, gjysma e tyre lidhen me luftën, si “Çlirimi”, “Beqir Dardha”, “Brigada 17 S”, “Sulë Papri’, “Partizani”, “, 5 Maji”, “11 Nëntori”, “Dyli-Haxhire Myzyri” etj, ndërsa emërat e personaliteteve si ai i Lef Nosit e të tjerë që kanë kontribute të shumta në historinë kombëtare, për shkaqe të dënimeve që u ka bërë komunizmi, janë lënë në harresë.

Në ceremoninë që ishte e veçantë dhe që është kontribut i gjithë aktorëve të politikës dhe pushtetit që kanë rënë në një konsensus për ndryshimet e bëra, ishin të pranishëm edhe prefekti Shefqet deliallisi, edhe kryebashkiaku Qazim Sejdini, edhe drejtori i arsimit Mati Çela, si dhe kryetari i këshillit bashkiak Geni Isai, si dhe profesorë e pedagogë, pjesëtarë të familjes.

Në fjalën e tij drejtori i arsimit Mati Çela shprehu vlerësim për profesionin e mësuesisë dhe figurat e arsimit elbasanas, si një detyrim moral, njerëzor dhe kombëtar. “Me këto ndjesi vij në shkollën “Vasil Kmamai” për të nderuar këtë njeri që në jetën e tij u shqua si një pedagog i arsimit tonë dhe u bë shembull për armatën e mësuesve elbasanas”, – u shpreh kryearsimtari Çela në fjalën e tij para nxënësve, mësuesve dhe prindërve të shkollës.

Duhet thënë se jeta e profesor Vasil Kamamit është jeta e një arsimtari të devotshëm që u lind dhe u rrit në mesin e Kalasë së Elbasanit, atje ku ishte zemra e arsimit tonë kombëtar për të qenë më pas një personalitet që u shqua gjatë gjithë jetës së tij për një punë plot pasion dhe me një vullnet elbasanasi të përkushtuar për arsimimin e brezave të shqiptarëve.

Fëmijëria dhe rinia e këtij profesori të arsimit lidhet me shkollën fillore të Kalasë dhe Normalen e famshme të Elbasanit, në gjysmën e parë të shekullit XX për të qenë më pas një student i shkëlqyer në Insitutin e Lartë Pedagogjik në Romë të Italisë, ku dhe ndoqi studimet që i dhanë atij formimin e plotë si një pedagog i arsimit dhe si një metodist i petagogjis së mësimdhënies. Ky formim i profesor Vasil Kamamit na bën që të ndihemi të detyruar të shprehim respektin për atë kontribut që ky drejtues i arsimit kombëtar dha jo si shërbëtor i politikës së kohës, por si një arsimtar me ndjenja atdhetarie. Është ky qëndrim që u reflektua si në emërimin e atij në Liceun e Korçës, ashtu edhe më pas që nga viti 1947 e deri në vitin 1971, si drejtor i shkollës Pedagogjike e njohur tashmë edhe si pasuesja e shkollës Normale të Elbasanit.

Portreti i shkollës Pedagogjike, niveli didaktik dhe metodik i kësaj shkolle, po aq sa dhe modeli i mësimdhënies dhe pregatitjes së brezave të arsimtarëve që dolën nga shkolla pedagogjike, janë fryt i drejtimit të punës arsimore që i bëri profesor Vasil Kamami Pedagogjikes në atë kohë. Ishin këto relacione që e lartësonin këtë njeri në sytë e opinionit arsimdashës elbasanas dhe e bënin atë potecialisht një autoritet të spikatur tërësisht për arsimin larg ndikimeve të politikës së kohës dhe një njeri me ndikime të drejtpërdrejta në ecurinë e mëtejshme të arsimit elbasanas.

“Për profesor Vasil Kamamin emrin e të cilit mban shkolla juaj, – iu drejtua Mati Çela mësuesve dhe nxënësve, – është e merituar që të drejtonte edhe Insitutin e Lartë Petagogjik “Aleksandër Xhuvani” sot Universiteti me të njejtën emër. Ishin aftësitë pedagogjike dhe administrative, ishte përkushtimi për cilësinë e arsimit elbasanas si dhe ndikimi i autoritetit të këtij petagogu që e bën arsimin e lartë në Elbasan një tempull të përgatitjes së plejadës së mësuesve në rrang kombëtar”, – përfundoi drejtori Çela.

Vlerësime dhanë për këtë personalitet të arsimit elbasanas edhe kryebashkiaku Sejdini, edhe prefekti Deliallisi si dhe bashkëkohës të profesor Vasil Kamamit.

Përgatiti Hyqmet ZANE