Natasha Shuteriqi

Pas shumë dyshimeve dhe paqartësive, vendosa ta përcjell përtej vetes mendimin që prej disa kohësh po më lodh e stërmundon si një barrë e rëndë në sedrën time qytetare.

Si rregull në shkrimet e mia të jem sa më përgjithësuese në dukuritë apo idetë që paraqes, por këtë herë do të heq dorë së pari, nga gjuha e përpunuar që kam parapëlqyer gjithmonë dhe së dyti, nga veta e tretë pas së cilës shpesh herë kam fshehur veten. Ndaj dua të qartësoj se ky shkrim është refleksion krejtësisht personal, në përputhje me qëllimin për të cilin po shkruaj.  Dhe meqë arritëm te qëllimi, ky i fundit mund t`i përcjellë edhe ndonjë ton paksa pasionant shkrimit tim, të cilin shpresoj ta sjell të lexueshëm e të pranueshëm për të gjithë.

Ka disa kohë që në media të ndryshme, në faqe gazetash dhe kanale televizive kam ndeshur shpesh etiketime jo fort të këndshme për qytetin ku kam lindur e jam rritur, të cilat kanë cënuar thellë jo vetëm ndërgjegjen time personale, por ngacmuan dhe zgjuan krenarinë qytetare, jo pak të përgjumur brenda meje.

Zoti deshi që të nis jetën në një nga lagjet më të çuditshme të Elbasanit, lagjen “Kala”. Pa e ditur atëherë, sot them “e çuditshme” sepse brenda mureve të lartë, ku drita e diellit përplasej në ftohtësinë e gurëve, gjallonin zakone e tradita që në larminë e tyre, rrallë mund t`i bëje bashkë në zona të tjera të Shqipërisë. Ndoshta ky lloj gërsheti traditash ngjizi një ndërthurje vlerash te ne që u rritëm në kalldrëmet gri e që s`andejmi nisëm të njihnim jetën. Kështu e nisa edhe unë: duke njohur mbiemra të mëdhenj njerëzish që hynë në ditën time për të lënë gjurmë të pashlyeshme. Ata mbase nuk e njihnin (a njohin)  njëri-tjetrin; kishin (kanë) jetuar në kohë të ndryshme, por bashkë i bëri qytetaria që përcollën e përcjellin në përditshmërinë elbasanase. Bashkë i bëra unë. Ndërsa mbledh sot copëzat e vlerave që mora nga secili prej këtyre njerëzve të mëdhenj, besoj dhe them me përulje se ata bënë jetën time.

Vilson Todri

E vogël, e brishtë dhe me një gjysmë bishtaleci mes ondeve (siç ma sjellin fotografitë), ende pa mbushur 6 vjeç kujtesa ime prej fëmije, si një pëlhurë e bardhë ku gjurmëzon çdo shenjë, më sjell veten mbështetur në parvazin e drunjtë të dritares duke dëgjuar tinguj të mrekullueshëm që puhiza e pranverës i përcillte në veshin tim kureshtar. Mbaj  mend që prisja me padurim atë orë të pasdites, sepse përmes atyre tingujve më vinte së brendshmi një dëshirë e fortë që më shkulmonte gjakun (si dhe tani), duke më shpërthyer në lotë të nxehtë të cilët ishte e pamundur t`i frenoja. Mua më shijonte aq shumë ndjesia e lotderdhjes nën efektin e muzikës. Ishte dashuria e parë. Ishin tingujt e violinës së Vilson Todrit, të cilin sa e herë e ndeshja në rrugë mbështetur pas biçikletës me violinën në krahë, e kisha tmerrësisht frikë sepse e besoja magjistar.

Duhej të kem qenë në nisje të klasës së parë, kur sapo kisha mësuar të dalloja gërmat e të formoja fjalitë e para… Diku në mes të viteve `70 kam shtyrë portën e drunjtë të mikes sime të fëmijërisë. Aso kohe besoja se shqipja ishte gjuha e vetme në botë, se bota ishte shumë e errët përtej nesh dhe se diçka jo njerëzore ishte andej kufirit të mbushur me gjemba e me gjithfarë formash, të cilat fantazia ime prej fëmije ia përshtaste asaj çka dëgjoja në radio. Por porta e drunjtë e shoqes sime të fëmijërisë paskësh qenë bekim. Ne hymë në një dhomë të madhe, me dy kolltukë të rëndë dhe me tri faqe të murit veshur me libra.

Vasil Kamami

Babai i saj na mori për dore dhe na dha disa libra në një gjuhë që as e kisha ndeshur dhe as e dija që ekzistonte. “Po këto nuk di t`i lexoj”, u gjenda aq ngushtë, sa mund t`ia shkrepja të qarit. Ai më ledhatoi kokën dhe qeshi: “Po domosdo, më tha, janë italisht dhe rusisht. Ndaj po jua tregoj. Nëse doni t`i lexoni, mësoni gjuhët e tyre. Se ka gjëra shumë të bukura në këto libra”. Mësimi im i parë drejt botës së librave. Atëherë nuk e dija se fati më kishte takuar me pedagogun dhe njeriun e madh Vasil Kamami, i cili po më thoshte të hapja dyert që më lidhnin me udhët e botës. Dhe për vite e vite me radhë, unë do të humbja në bibliotekën e tij gjigande, duke më gjëmuar në veshë jehona e këshillës: mësoni gjuhët e tyre….

Fëmijërinë kujtesa e vesh gjithmonë me ngjyra të bukura, por e imja ishte magjike. Kam shkruar edhe herë tjetër për kopshtin e mrekullueshem të Delianave, plot portokalle e të  mbuluar me bar si push lepurushi. Por s`kam thënë asgjë për hapat e rëndë të burrit të shtëpisë. Arnald Deliana,

Arnald Deliana

ishte njeriu që donte rregullin dhe ndershmërinë. Kujtoj që ndërsa bashkë me shoqen time (vajzën e tij) mësonim frëngjishten në dhomën që vezullonte nga pastërtia, ai hapte heshturazi derën duke na sjellë portokalle dhe artikulonte mësimin që do të shoqëronte jetën time: “Mos e gënjeni asnjëherë veten, se vetja nuk jua duron gënjeshtrën, ju rrëzon”. Jo shumë vonë, rrëzimi i parë i vetes, më bëri t`i falem atij njeriu që më tregoi se sa rëndësi ka ndershmëria.

Ismail Çerraga

Me rritjen erdhën hapat e mi përtej mureve të gurtë. Bota u bë më e madhe dhe fëmijëria u kthye në një ëndërr malli. Ishte koha e pëshpërimave të adoleshencës dhe, me sa duket, kjo moshë mua do të më shoqërohej gjithmonë me aromën e portokalleve. Mes portokalleve të derës së rëndë të Çërragave njoha burrin që lëshonte dritë në hijen e tij të gjatë, Ismailin. Ismail Çërraga  nuk kishe bërë universitet, por ishte “agronom” pa diplomë. Gjithmonë me një cigare në gojë, me të qeshurën që nuk di se si i rrëshqiste përtej buzëve që me zor i hapte, ai më mësoi të dalloj karakteristikat e agrumeve të qytetit tim. Por çka mbeti e ngulitur në formimin tim ishte elbasanishtja e tij e mrekullueshme. Kur dëgjoj se si transformohet me apo pa dashakeqësi dialekti elbasanas në emisione televizive komerciale, mes disa lloje sharjesh apo batutash të cilat më rrënqethin nga neveria e inati, unë kujtoj dajë Malin kur ia lëshonte inatin insekteve që i dëmtonin portokallet apo hurmat me një sharje aq të bukur: “Hëëë pizeveng!”, thua ishte djali i fqinjit që po i merrte frutat nga muri i shtëpisë. Ky burrë i madh, i dashuruar me gruan e tij të bukur deri në fund të jetës….

Tomorr Domi

Mes të qeshurash të zhurmshme, me zërin që mbyste auditoret e universitetit kujtoj Tomorr Domin. E donte kaq shumë Elbasanin, sa në fjalët e tij gjithmonë do të kishte një fjali që do t`ia kthente në thagmë mendimin: “Eee ne elbasanasit dallojmë që te përgjigjet që japim. Kur na pyesin –Si je, ne themi: shtro petë, hidh tylyn.” dhe pastaj zhurma e të qeshurës së tij. Tomorr Domi hyri në jetën time, pikërisht në kohën kur formohej ndërgjegjia ime profesionale. Por profesori i Teorisë së Letërsisë shkoi përtej kësaj. Tomorr Domi, një nga figurat më të nderuara të Universitetit të Elbasanit, përveçse formonte, edukonte. Edukonte me mënyrën se si dinte të donte vendin e tij, familjen e tij, edukonte me stilin e tij të të jetuarit. Dhe këtu, ndërsa shkruaj kam një fletore studenti ku kam shënuar veçmas këshillat elegante që na ndërkallte gjatë leksioneve profesor Tomorri. Kjo fletore 25 vjeçare ka qenë si një lloj Bible për mua.

Anastas Paparisto

“Profesionin e bëjnë njerëzit-mos e harro këtë-ti ke brumë, do bëhesh një profesioniste e mirë. Shihe si fat që po punon te Dhaskal Todri.” Këtë ma thoshte Anastas Paparisto, kur unë 22 vjeç nuk e kuptoja se vërtetë ishte fat të punoje si kolege mes atyre emrave të mëdhenj që vetëm 4 vite më parë kishin qenë mësuesit e mi.  Anastas Paparisto, drejtori im i parë dhe Eduard Gjini, drejtori im i fundit në Dhaskal Todri, ishin universiteti i dytë që më dha diplomën e një profesionisti të suksesshëm (sot, pas kaq viteve, besoj se e kam të drejtën ta lë modestinë mënjanë, për të pohuar disa vlera që ia njoh vetes). Profesor Tasi me urtësinë dhe shpirtin e madh kujtoj që ma bëri aq të lehtë fillimin e vështirë të çdo profesioni. Ndërsa profesor Edi me korrektësinë dhe komunikimin e jashtëzakonshëm, më mësoi të mos kem asnjë frikë përballë pasigurive që një punë e bukur dhe e lodhshme të ofron. 

Eduart Gjini

Elbasani i do shumë gratë e vajzat. Burrat e rëndë të qytetit bëjnë be për kokën e bijave. Por gratë dhe vajzat tona janë të urta. Ato ditën të ndërtojnë familje dhe të rrisin fëmijë të mbarë, ashtu në heshtjen modeste të nënës dhe bashkëshortes shembullore. Një grua të plotësuar e ndesha kur sapo kisha nisur të gatuaja familjen time. Bardhoshe Sejdini, me një reputacion absolut në qytet, me një zë të fortë kur cënoheshin të drejtat e vajzave dhe grave, me mendje të hollë kur duhej të merreshin vendime të rëndësishme e delikate, ishte asokohe nëndrejtore në gjimnazin Dhaskal Todri. Kur e dëgjoja me aq vëmendje ndërsa ajo fliste, nuk e dija se vite më vonë, herë pas here do të kërkoja zgjidhjen e problemeve të mia në fjalët e saj. Sepse Bardhoshja formëzon edhe sot e kësaj dite vullnetin e punës dhe moralin e njeriut qytetar.

Bardhoshe Sejdini

Të jetosh në këtë qytet me kaq shumë mbiemra të mëdhenj, lista detyrimisht do të jetë e gjatë. Unë pata fatin t`i kem mësues jete disa prej tyre. Në një çast të vështirë të jetës sime profesionale, ndesha Stefan Bebin. Tek ai njeri çdo përmasë ishte në përpjestim të drejtë me mençurinë. Shpatullat e gjera dukej se ishin gatuar në ato forma për të mbajtur peshën e mendjes së madhe. Kurrë s`i kam ndjerë orët kur dëgjoja të folurën e tij burrërore, fjalitë aq të gjata, ku asnjë folje apo përemër nuk rrëshqiste nga vendi i duhur. Çfarë shqipe të mrekullueshme fliste! Dhe kur për shkak të moshës dhe përvojës së paktë, rebelohesha për padrejtësitë që shihja, ai më këshillonte urtë e avashtë, sepse vetëm kështu dinte ai: “Ti bëj punën, bëje mirë, të jesh në rregull me veten. Po qe në rregull me veten, të tjerat ecin dyst.” Këtë mësim kishte nxjerrë nga jeta, këtë i përcolli vajzave të tij, këtë më dha edhe mua.

Stefan Bebi

Ndërsa një pjesë e këtyre mendjeve të mençura kishin studiuar brenda dhe jashtë vendit, një burrë i urtë, që kishte mbaruar shkollën e vëshirë të jetës do të më drejtonte jo pak herë në udhë të mençura. Skënder Paralloi ishte vartësi, unë isha eprorja, por para tij e kam ndjerë veten si para shefit. Skënderi është bekim për gjithëkënd që e ka pranë. Nga Skënderi mësova se kazani nis e zien, sapo ti nis e bëhesh i dukshëm. Por urtësia dhe gjuha metaforike e Nerit më mbrojti nga përvëlimi, sepse me përvojën e tij më mësoi të ruhesha nga zjarret që ishin aty gjithkund e përreth. Pastë jetën sa më të gjatë, për t`ia ndierë ne të gjithë vlerën atij njeriu të thjeshtë.

Skender Paralloi

Dhe tani dua të freskoj kujtesën tuaj të gjithëve me një nga pinjollët e Daklallarëve, Engjëllin. Kur më shihte përtej xhamave të trashë të syzeve, me vetullat e mbledhura, trembesha, sepse një gjë të madhe po mendonte e do ta thoshte. Dhe vërtetë Engjëll Dakli është njeriu i gjërave të mëdha. Engjëll Dakli, ideatori i tunelit të Kërrabës që në vitet `80, në kohën kur drejtonte Bashkinë e Elbasanit, duke shpërfillur orientimet e partiake të qendrës partiake, priti kryeministrin e kohës dhe gjithë përfaqësuesit e shtetit, në emër të popullit që ai përfaqësonte. Ky është mësimi i  qytetarisë që më dha mua Engjëlli, pinjoll i familjes që e njihja që nga fëmijëria. Më ka marrë malli të pi një kafe me të…

Engjëll Dakli (1955), Arkivi Digjital Elbasan

Engjëll Dakli

Por ama kafet e mia janë event kur ndaj biseda aq fine dhe të ngarkuara me emocionet e kujtimeve apo punës me një nga mendjet më brilante që kam njohur, Tomorr Plangaricën. Ndonëse pak vite më ndajnë me të, pesha e kohës kur e kam patur pedagog dhe sidomos pesha e vlerave që ai ka, nuk më lejon ta thërres veçse profesor, kurrë në emër, kurrë Tomi siç e thërrasin të gjithë. Tomorr Plagarica ka shtruar një udhë të parrahur në shkencën e gjuhësisë së aplikuar në mendimin akademik shqiptar. Ai është ustai. Dhe ne elbasanasit e dimë se sa peshon fjala usta. Profesor Tomorri ka 30 vite që është profesori im. Si nuk u dorëzua ky njeri? Si nuk u lodh me asnjë? Si nuk u lodh së dashuri qytetin tonë, edhe pse qyteti jo pak herë e harroi.

Tomorr Plangarica

U lodha… u lodha sepse fjalën desha ta zgjedh të duhurën. U lodha sepse më kanë mësuar të jem mirënjohëse. Po, po. Ndërsa rritesha, ndërsa kuptoja botën, ndërsa zgjidhja rrugën time, kisha pranë burrin më të mençur të të gjitha kohërave, njeriun që më mësoi të marr dashuri e të jap dashuri. E lashë për në fund, jo për nga mungesa e rëndësisë, por pikërisht nga rëndësia e të qenurit i përveçëm. Im ungj Nikolin Shuteriqi, një nga drejtorët më të sukesshëm të ish Hidocentralit të Banjës. Mes shqetësimit për të qenë gjithmonë perfekt në punën e tij dhe përkushtimit për të ndërtuar të ardhmen tonë, madhështia e këtij njeriu më përkon me përshkrimin që Noli i bën figurës së Hamletit: ai ishte dushku më i lartë i familjes sonë, por vlerën e të cilit e kuptuam, vetëm pasi pamë sasinë e hirit që mbeti pas diegies. Orët e vona duke diskutuar Tolstoin dhe Dostojevskin e lexuar fshehurazi, radion “Mimoza” dhe muzikën  zëulët të Batistës, korrektësinë nervoze për çdo punë që merrte e merrnin përsipër, pasurinë që na la duke bërë me ne, fëmijët e së djeshmes, një familje të madhe me aq shumë nipër e mbesa-këto janë vlerat që qëndisën genet e pasardhësve tanë, fëmijëve tanë. Kurrë nuk kam për të harruar zërin e tij, tonin e ngrohtë atëror, fjalën që më motivoi ditët e mira e të vështira: “Ti ia del në gjithçka.” Më tregoi se sa shumë vleja. Më dha besimin te vetja. Ndershmërinë, bujarinë, prindërimin, inatin, punën, dashurinë, mosdorëzimin, mirënjohjen dhe sidomos vlerësimin i mësova nga ky njeri që ditë pas dite skaliste tek unë një individ të aftë për familjen e shoqërinë. Zoti ia deshi kaq shumë mençurinë, sa e mori shumë shpejt këshilltar të vetvetes. Në kohë të vështira, kur kam frikë mos rrëzohem, unë ngre sytë nga qielli dhe s`andjemi dëgjoj zërin e tij:  “Ti ia del në gjithçka.”

Nikolin Shuteriqi

Këto janë njerëzit që i kam kthyer në copëza mozaiku të jetës sime mes shumë copëzave të tjera. Këta janë figura të mëdha që unë i ndesha në jetën time. Nëse Zoti disa i mori pranë vetes e disa koha i la në harresë, unë them që mes nesh kemi pasardhësit e tyre. Populli thotë bari shkon në rrënjë, duke na treguar se pinjollët e familjeve dhe njerëzve të mëdhenj do të trashëgojnë patjetër genet nga erdhën. Duhet vetëm vullnet t`i shohim. Qyteti me 120 mijë banorë ka nevojë sot të rikuperojë veten.

Pse i shkrova unë këto radhë? Për dy arsye:

 1-Nuk mund të pranoj anatemimin që sot media të pamoralshme po i bëjnë Elbasanit duke e quajtur qyteti i krimit dhe ekstremizmit islamik. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi qyteti i dyerve të mëdha që ende nxjerrin mendje të mëdha. Mjaft të kemi vullnetin t`i shohim ato.

2-Është koha për një lëvizje qytetare pa asnjë dallim politik e fetar. Një zgjim të bukur të njerëzve të bukur që i kemi mes nesh. Siç ka bërë gjithmonë qyteti ynë.

Unë shkrova emrat e mëdhenj që bënë jetën time. Gjithkush nga ju mund të shkruajë përvojën e tij. Të hedhim vështrimin përpara dhe të sjellim në vëmendje elbasanasit e së djeshmes së afërt dhe të së sotmes, elbasanasit e ndershëm që dinë të duan njësoj djemtë dhe vajzat, që edhe kur shajnë nuk lëndojnë, që dinë të ngrenë familje të bukura, që dinë të rrisin fëmijë të mbarë e që kanë një ves të pashërueshëm: nuk e shesin punën dhe vlerën e tyre, vetëm e përcjellin.

Unë jam krenare që i përkas qytetit me tradita të mëdha.