Theofan Popa

Theofan Popa

Theofan Popa ka lindur më 3 nëntor të vitit 1914, në lagjen Kala të Elbasanit në një familje zanatçinjsh. Pasi përfundoi shkollën fillore “Kostandin Kristoforidhi”, me ndërhyrjen e atë Josif Mihalit mundi të sigurojë një të drejtë studimi për në Seminarin Teologjik “Joan Teologu” në Manastir. Me mbarimin e seminarit në vitin 1936 u kthye në Shqipëri dhe pas një viti me mbështetjen e Kryepeshkopit Visarion Xhuvani mundi të shkonte për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Universitetit Kapodistria të Athinës, në vitin akademik 1937-1938, me bursë nga fondacioni Jovan Banga. Ndërkohë në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha përsa i përket organizimit kishtar. Më 12 prill 1937, Patriarkana Ekumenike shpalli autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh Kristofor Kisi. Sapo përfundoi vitin e parë të fakultetit, Theofani mori një letër nga Kryepeshkop Kisi, me anën e së cilës i thuhej se duhej t’i ndërpriste studimet në Athinë, për t’i vazhduar në Kolegjin Anglikan “Ngjallja e Krishtit” në Londër. Pasi qëndroi vetëm disa muaj në Londër (gusht-tetor 1938) u kthye në Athinë për të vazhduar studimet, të cilat i përfundoi në vitin 1941. U kthye në atdhe më 1942 dhe filloi punë në Liceun e Korçës si profesor i gjuhës latine.

Më 1945 Theofan Popa u transferua në Tiranë ku punoi si predikues dhe artikullshkrues pranë Kryesisë së Kishës Ortodokse. Theofani botonte një buletin dyjavor me predikimet e të dielave, i cili u dërgohej kishave ortodokse të Shqipërisë. Gjithashtu teologu Theofan Popa ka hartuar librin e inventarit të bibliotekës së Kryesisë së Kishës Ortodokse.

Në korrik të vitit 1945 u themelua Lidhja e Teologëve dhe e Seminaristëve të K.O.A.Sh-it, e cila zgjodhi si kryetar të saj teologun Theofan Popa. Për disa motive, të cilat kanë mbetur ende enigmë, në vitin 1947, Theofanin e larguan nga kisha. Sipas një raporti të sigurimit të shtetit arsyeja e largimit të Theofan Popës nga kisha ka qenë konflikti që ka pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të K.O.A.Sh-it Z. Niko Çane. Më 2 shtator 1949 Sinodi i Shenjtë caktoi një komision të përbërë prej shtatë vetësh, të cilat do të hartonin statutin e ri të të K.O.A.Sh-it. Komisioni u mblodh për herë të parë më 5 tetor 1949. Në të merrnin pjesë Kryepeshkopi Paisi Vodica, peshkop Irine Banushi, Niko Çane, Dhimitër Beduli, Theofan Popa dhe dy juristë. Në përfundim të mbledhjes komisioni ngarkoi Niko Çanen dhe Theofan Popën të hartonin statutin e ri të të K.O.A.Sh-it. Hartimi i statutit që në fillim u paralizua nga fërkimet që patën Çane dhe Popa. Përplasja e tyre ishte për sa i përket marrëdhëniveve ndërmjet kishës dhe shtetit. Theofan Popa ishte i vendosur dhe nuk pranonte politizimin e kishës, ndërsa Niko Çane e quante qëndrimin e Theofanit sabotues dhe mospajtues me grupin e Paisiut, gjë e cila do të përdorej më pas, në dhjetor 1950 për ta larguar atë nga kisha. Me anën e shkresës Nr. 321, datë 16.12.1950 të nënshkruar nga Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Paisi, Theofan Popa mbetej jashtë strukturës së kishës. Largimi i Theofanit nga kisha nuk u prit mirë nga ata që e njihnin dhe e vlerësonin punën e tij. I pari reagim erdhi nga Zëvendësi i Episkopatës së Korçës, Arkimandrit  Dhimitër Kokoneshi, i cili me anën e një shkrese, që mban datën 19.12.1950 i drejtohej Kryetarit të Kishës Ortodokse Imzot Paisit ku i kujtonte se largimi i Theofanit nga kisha do të linte përshtypje të keqe në radhët e besimtarëve.

Veprimtaria në mbledhjen e mbishkrimeve

 dhe objekteve liturgjike kishtare

Në vitin 1948 Theofani ka punuar si përkthyes i serbokroatishtes në Ministrinë e Financave, ndërsa më 1949, u sistemua në Institutin e Shkencave, në Sektorin e Historisë së Mesjetës, ku e ngarkuan të merrej me studimin e ikonave dhe të afreskeve kishtare. Duke bashkëpunuar ngushtë me bizantinologen ruse Viktori Puzanova, Theofani punoi me zell për evidentimin dhe sistemimin e mbishkrimeve kishtare. Gjatë viteve 1950-1967, falë njohurive të thella teologjike, që kishte marrë në Universitetin Kapodistria të Athinës, Theofan Popa u mor me deshifrimin e mbishkrimeve të vjetra nëpër kisha, ikonostase, amvone, ikona etj.

Punën për evidentimin e mbishkrimeve murale dhe të ikonave e filloi me kishën e Shën Stefanit në Himarë dhe në vijim, me trapezarinë e manastirit të Apolonisë, kishën e Shën Mërisë së Vllahernës në Berat etj. Në vitin 1951 shkoi në zonën e thellë malore të Shpatit në rrethin e Elbasanit, në kishën e Shën Nikollës në Seltë, në kishën e Shën e Premtes në Valësh, ku zbuloi mbishkrimet e Onufrit. Më 1953 vizitoi kishën e Shën Kollit në Voskopojë, ku zbuloi veprën ikonografike të David Selenicës. Në vitin 1954 u mor me piktorin Kostandin Shpataraku, i cili ka pikturuar kishën e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës, kishën e manastirit të Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, kishat e Vithkuqit etj. Më 1955 shkoi në zonën e Myzeqesë e vizitoi kishat e fshatrave Vanaj, Karavasta, Bishtqethëm, Kadipashaj, Kozarë, Krutje, Toshkëz etj., ku gjeti ikona dhe mbishkrime të vëllezërve Çetiri. Më pas shkoi në veri të Shqipërisë, ku vizitoi kishën e Rubikut dhe kishën e Vaut të Dejës. Pastaj vizitoi kishën e Shën Mërisë në Maligrad të Prespës, kishën e Riztozit në Mborje të Korçës etj.

Theofan Popa e kundërshtoi prishjen e shumë kishave, që mbanin statusin “Monument kulture”. Ai gjithmonë theksoi rëndësinë e tyre për trashëgiminë tonë kulturore. Së bashku me kolegët Gani Strazimiri, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo arritën të shpëtonin rreth 120 kisha dhe manastire, duke u dhënë statusin e monumentit të kulturës.

Theofan Popa ka një veprimtari të gjerë kërkimore e shkencore për evidentimin e vlerave historike të monumenteve të kulturës së popullit shqiptar. Pas ndalimit të lirisë fetare më 1967, Theofani pati privilegjin që të siguronte një leje nga Universiteti i Tiranës për t’u marrë me kishat mesjetare të Shqipërisë.

Ndërmjet viteve 1967-1975, Theofani u mor me grumbullimin e ikonave dhe të objekteve luturgjike kishtare, duke i shpëtuar ato nga shkatërrimi. Duke shkuar fshat më fshat dhe kishë më kishë, në shoqërinë e shoferit Ilia Nemçe, Theofan Popa arriti të mblidhte qindra ikona dhe objekte liturgjike kishtare. Gjithë këtë vëllim pune, sipas Pirro Thomos, Theofani e përballoi pothuajse i vetëm. Vetëm dikush që e di vendodhjen e kishave dhe në çfarë kushtesh janë mbledhur ikonat dhe objektet liturgjike, mund të çmojë punën kolosale që ka bërë Theofan Popa.

Persekutimi i teologut Theofan Popa

Falë kulturës së lartë teologjike që e zotëronte me kompetencë, Theofan Popa ka bërë mjaft studime rreth artit mesjetar shqiptar, të cilat i ka botuar kryesisht në Buletinin e Shkencave Historike, që botonte Universiteti i Tiranës në atë kohë. Nga kolegët është vlerësuar si njeriu më i aftë përsa i përket artit kishtar. Kolegët kishin cmirë nga puna e tij kërkimore e shkencore. Theofanin e akuzonin se shfrytëzonte detyrën shkencore për të bërë propagandë fetare.

Në dosjen e tij ka shumë akuza të pabaza, si për shembull shfrytëzimi i punës shkencore për të bërë propagandë fetare në fshatrat ku shkonte. Në një shkresë që mban datën 27.02.1978 drejtuar Komitetit të Partisë së Rrethit dhe personalisht shokut Xhelil Gjoni, me temë: “Mbi demaskimin e Theofan Popës” ndër të tjera shkruhej: -Theofan Popa, i biri i Dhimitrit dhe Vanthis, lindur në Elbasan, më 1914 nga familje zanatçinjsh, i paorganizuar, i padënuar, i martuar me fëmijë, me arsim të lartë, aktualisht pensionist dhe me banim në lagjen nr. 8, rruga Sami Frashëri, pallati 13, shk. 1, ap. 3. Në ngarkim të Theofanit disponojmë materiale të vërtetuara se zhvillon veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit popullor, si dhe në kohë e vende të ndryshme ka propaganduar pikëpamje fetare. Gjatë ndjekjes që i bëmë Theofanit rezultoi se edhe i biri i tij Dhimitri, vjeç 22, student në vitin e dytë të Institutit bujqësor, zhvillon veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit.

Duke parë se veprimtaria e tyre armiqësore u dokumentua me prova ligjore, vendosëm që Dhimitrin për efekt të rrezikshmërisë shoqërore ta arrestojmë, ndërsa të atin, Theofanin si moshë e kaluar ta demaskojmë. Kështu më datën 28.01.1978 pasi u arrestua Dhimitri, me porosi të Komitetit të Partisë së Rrethit, bisedues me Komitetin e partisë të Rajonit Nr. 2 dhe më datën 29.01.1978 kryesia e frontit e bllokut nr. 3, të lagjes nr. 8 organizoi demaskimin e tij. Në këtë mbledhje ishin ftuar shokë nga Instituti i Histori Gjuhësisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës si dhe disa studentë nga Instituti Bujqësor. Në mbledhje u lexua raporti që bënte fjalë për luftën e klasave, duke e konkretizuar me materialet në ngarkim të Theofanit, i cili nuk pranoi se kishte zhvilluar veprimtari armiqësore….

Organizata e frontit vendosi përjashtimin e Theofan Popës nga fronti. Gjithashtu të internohet nga Tirana dhe të gjykohet nga organet e drejtësisë. Të hiqet nga lagja nr. 8, pasi ndodhet në afërsi të bllokut dhe të vendoset në një lagje tjetër. Mënjëherë pas demaskimit publik, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë ngriti një komision të posaçëm për të shqyrtuar aktivitetin shkencor të Theofanit. Komisioni doli me raportin përkatës me temë: “Rreth veprimtarisë që ka kryer Theofan Popa për përvetësimin e materialeve arkivore shkencore dhe kishtare”. Raporti është nënshkruar nga emra të njohur në fushën e historisë së asaj kohe, por për arsye etike nuk po i bëj publike.

Veprimtaria shkencore e Theofan Popës

Veprimtaria shkencore e Theofan Popës është mjaft e pasur dhe e larmishme. Ai ka botuar disa libra si dhe dhjetëra artikuj shkencorë. Ndër ta mund të përmendim:

Libra

-Theofan Popa, Piktorët mesjetarë shqiptarë, 8 Nëntori, Tiranë 1961.

-Theofan Popa, Ikona dhe miniatura  mesjetare në Shqipëri, 8 Nëntori, Tiranë 1974.

-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Tiranë 1998.

-Theofan Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Tiranë 2006.

-Theofan Popa, Katalogu i kodikëve që ruhen në AQSH, dorëshkrim 140 faqe.

Artikuj

-Theofan Popa, Feja asht e domosdoshme, Predikimi, Nr. 8-10, gusht-shtator 1937.

-Theofan Popa, Savli i Hindisë, Predikimi, (pjesa e parë), viti 1938.

-Theofan Popa, Savli i Hindisë, Predikimi, (pjesa e dytë), viti 1939.

-Ushtari i Krishtit, Njeriu që ankohet nuk beson në Perëndinë, Jeta Kristiane, Nr. 4, Shtator 1943, faqe 245-246.

-Ushtari i Krishtit, Një vllaji vogël, i cili kërkon në përrallë Krishtlindjesh, Jeta Kristiane, Nr. 4, Shtator 1943, faqe 282-284.

-Ushtari i Krishtit, Cilat janë shkaqet e luftës së ardhme, Jeta Kristiane, Nr. 12, Shtator 1944, faqe 371-378.

-Ushtari i Krishtit, Si ia argumentoi Sokrati nxënësit të tij Aristodemit ekzistencën e Perëndisë, Jeta Kristiane, Nr. 5, Shtator 1944, faqe 144-147.

-Theofan Popa, Piktor Kostandini prej Shpati, Buletin për shkencat shoqërore, Nr. 1, 1955, faqe 211-214.

-Theofan Popa, Onufri, piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 1, 1955, faqe 208-219.

-Theofan Popa, Të dhëna mbi princët mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 2, 1957, faqe 185-206.

-Theofan Popa, Mbishkrimet e kishave të Shqipërisë si burime historike, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 1, 1958, faqe 218-250.

-Theofan Popa, Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi dhe afresket e tyre me skenat e apokalipsit, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 1, 1959, faqe 23-48.

-Theofan Popa, Disa mbishkrime të kishave të Shën Mërisë në Maligrad dhe të Ristozit në Mborje, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 2, 1959, faqe 257-262.

-Theofan Popa, Piktorët grabovarë Çetiri nga familja Katro, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 3, 1960, faqe 121-145.

-Theofan Popa, Piktura të tjera të piktor Nikollës, zbuluar në Kurjan të Fierit, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 4, 1960, faqe 223-229.

-Theofan Popa, Onufri, piktori më i madh shqiptar i shek. XVI, Puna, 18 tetor 1960.

-Theofan Popa, Onufri, piktori më i madh mesjetar në Shqipëri, Zëri i Rinisë, 28 tetor 1961.

-Theofan Popa, Piktura jonë mesjetare, Zëri i Popullit, 29 tetor 1961.

-Theofan Popa, Piktor Onufri dhe gjendja e artit të pikturës gjatë mesjetës, Nëntori, Nr. 4, 1962.

-Theofan Popa, Onufri, ikonograf i shquar shqiptar, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 1, 1962, faqe 54-75.

-Theofan Popa, Mbishkrime dhe piktura në katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” në Voskopojë, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 3, 1962, faqe 76-106.

-Theofan Popa, Gllavenica e lashtë dhe Ballshi i sotëm, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, Nr. 2, 1964, faqe 235-242.

-Theofan Popa, Në gjurmët e studimit të mesjetës tonë, Zëri i Popullit, 19 gusht 1964.

-Theofan Popa, Gllavenica e lashtë dhe Ballshi i Mallakastrës, Studime historike, Nr. 2, 1964, faqe 22.

-Theofan Popa, Mbishkrimet dhe piktura e kishës së manastirit të Shën Marenës dhe të kishës së Shën Gjergjit në Lekë, 1965 (dorëshkrim i pabotuar).

-Theofan Popa, Kostandin Shpataraku, piktori shqiptar i shekullit XVIII, Nëntori, Nr. 3, 1965.

-Theofan Popa, Bazilika e shën Athanasit në Voskopojë, 1966 (dorëshkrim i pabotuar).

-Theofan Popa, Të dhëna të reja rreth piktor Onufrit, Studime historike, Nr.1, 1966, faqe 141-145.

-Theofan Popa, Piktor Onufri, personalitet i rëndësishëm i pikturës mesjetare shqiptare, Studime shqiptare, Nr. 1, 1966.

-Theofan Popa, Disa konsiderata të përgjithshme rreth pikturës postbizantine në Shqipëri, Studime historike, Nr. 2, 1967, faqe 95-104.

-Theofan Popa, Saktësime rreth datimit të kishës së manastirit të Apolonisë, Studime historike, Nr. 1, 1967, faqe 137-144.

-Theofan Popa, Aktiviteti jashtë atdheut i vëllezërve ikonografë korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, Studime historike, 1967 (materiali iu dha për botim redaksisë)

-Theofan Popa, Piktura e shpellave eremite në Shqipëri, Studime historike, Nr. 3, 1965, faqe 69-101.

-Theofan Popa, Une figure eminente de la peinture medieval Albanaise, Studia albanica, Nr. 1, 1966, faqe 291-304.

-Theofan Popa, Të dhëna të reja rreth piktor Onufrit, Studime historike, Nr. 1, 1966, faqe 141-145.

-Theofan Popa, Saktësime rreth datimit të kishës së manastirit të Alolonisë, Studime historike, Nr. 1, 1967, faqe 137-146.

-Theofan Popa, Disa konsiderata të përgjithshme rreth pikturës postbizantine në Shqipëri, Studime historike, Nr. 2, 1967, faqe 95-103.

-Theofan Popa, Të dhëna të reja në artin shqiptar të shek. XVIII-vepra e David Selenicasit, mars 1969 (dorëshkrim i pabotuar).

-Theofan Popa, Restaurimi i kodikëve të Beratit, Nëntori, nr.4, 1972.

-Theofan Popa, H. Nallbani, Rreth krijimtarisë së piktorit David Selenicasi, Monumentet, Nr. 2, Tiranë 1971, faqe 167-169.

-Theofan Popa, Elementet laike dhe realiste në pikturën tonë mesjetare, Studime historike, Nr. 1, 1972, faqe 129-155.

-Theofan Popa, Rreth veprës së Onufrit, Monumente të kulturës në Shqipëri, Nr. 2, 1975, faqe 72-74.

-Theofan Popa, Piktura e vjetër e popullit tonë, Ngjallja, gusht 1995, faqe 10.

-Theofan Popa, Onufri dhe biri i tij Nikolla, Ngjallja, shtator 1995, faqe 9.

-Theofan Popa, Ikonografët shqiptarë të shekullit XVIII, Ngjallja, tetor 1995, faqe 11.

-Theofan Popa, Ikonografët shqiptarë të shekullit XVIII, Ngjallja, nëntor 1995, faqe 8.

-Theofan Popa, Ikonografët shqiptarë të shekullit XVIII, Ngjallja, dhjetor 1995, faqe 8.

Në vitet e fundit të jetës së tij, Theofan Popa ka punuar me kohë të pjesshme në Arkivin e Shtetit. Koha e punës ishte tre orë në ditë, por Theofani nga entuziazmi që e karakterizonte punonte edhe tre orë të tjera pa pagesë. Gjatë viteve që punoi në Arkivin e Shtetit (1983-1985) Theofan Popa ka hartuar: 1-Katalogu i kodikëve mesjetarë të Shqipërisë, një dorëshkrim me rreth 107 faqe. 2-Pasaporta të kodikëve të fondit 488, një dorëshkrim me rreth 120 faqe. 3-Miniaturat e kodikëve të Shqipërisë, që është botuar pjesërisht. Duke u marrë me katalogimin e kodikëve, Theofan Popa ka bërë edhe identifikimin e miniaturave dhe vinjetave, që gjendeshin në to. Këta katalogë janë përgatitur nga Theofan Popa si mjet informimi arkivistik. Mbi bazën e tyre arkivistët kanë punuar për përgatitjen e pasaportave dhe inventarit të kodikëve. Theofan Popa ndërroi jetë më 30 dhjetor 1985 në Tiranë, duke na lënë imazhin e një njeriu, që gjithë jetën e tij ia kushtoi ruajtjes së vlerave të trashëgimisë sonë kulturore.

Theofan Popa (i pari në këmbë nga e djathta) në Manastir, 1932

Theofan Popa (i pari në këmbë nga e djathta) në Manastir, 1932

 

Leja e dhënë Theofan Popës nga Instituti i Historisë për mbledhjen e ikonave.