​Një një sallë me ndriçim të zbehtë në Shtëpinë e Pionierit “Nazmi Dervishhasani” në Elbasan unë u takova për herë të parë me poezinë ose me profesor Hyjni Cekën.

Ishte një ditë shtatori e vitit 1976 kur me babain përdore përshkonim bulevardin kryesor. Bënte vapë dhe hija e pemëve nuk arrinte të na freskonte.

Im atë kishte zbuluar shirën për të shkruar tek unë dhe donte të regjistronte rrethin letrar. Ai vetë e kishte patur pasion letërsinë. Megjithëse me profesion mjek, lexonte me dhjetëra romane të shkrimtarëve shqiptarë apo klasikëve të huaj duke mbajtur shënime në bllok, për të mos e harruar bukurinë dhe magjinë e fjalës.

Profesor Hyjniu na përshëndeti me mirësjellje. Ishte njeri i qetë, i duruar dhe buzagaz. Përpara trupit të tij të gjatë dhe të bëshëm, u ndjeva akoma më e vogël.

Të shtunën e rrethit letrar e prisja me padurim; jo vetëm pse takoja fëmijë të tjerë, por për faktin se orët me profesor Hyjniun fluturonin. Çdo javë ishte një takim i veçantë, një surprizë për t’u zbuluar.

Atje i mora leksionet e para për poezinë. Profesori na recitonte vargje dhe zërin e tij e kujtoj si melodinë më të bukur.

Pas një viti, gjithësecili nga ne kurorëzoi me sukses një ëndërr: botimin e disa poezive në një Almanak Letrar me titullin “Zëri i pionierit” që përmbante krijime të nxënësve që vinin nga shkolla të ndryshme si: “Naim Frashëri”, “Hamit Mullisi”, “Thoma Kalefi”, “Qemal Stafa”, “Bardhyl Popa”, “Ptoleme Xhuvani” etj.

“Dhelpra dhe pulat” ishte një fabul që e shkrova pak më vonë dhe profesor Hyjniu me ndjeshmërinë dhe dashamirësinë e tij i dërgoi një letër redaksisë së revistës “Pionieri” duke ia prezantuar me entuziazëm këtë krijim. Kur e kisha në dorë revistën me fabulën e botuar dukej sikur kisha prekur qiellin!

Profesori na nxiste të shkruanim. Ai na jepte një temë në klasë apo në shtëpi dhe megjithëse poezitë shpesh tingëllonin njëlloj, ai përpiqej t’u jepte krahë imagjinatës sonë.

Unë e desha poezinë në atë sallë me ndriçim të zbehtë dhe, ndonëse kanë kaluar mbi 40 vjet,ajo më ka shoqëruar në çdo hap. Në takimet letrare në Itali pyetjes standarde mbi fillimet e krijimtarisë i përgjigjem natyrisht duke u ndalur tek mësuesi im i parë, që më afroi me vargjet, me poezinë dhe me artin e të shkruarit.

Tek çdonjëri nga ne ekziston një shkëndijë pasioni. Magjia është pikërisht kur ajo  shndërrohet në zjarr. Jam e lumtur që tek unë kjo ndodhi, edhe në saj të ndihmesës së profesor Hyjni Cekës.

Irma Kurti

Bergamo, Itali