Tahir Demi lindi në Filat të Çamërisë, më 22 nëntor 1919 në familjen e Azbije dhe Avdi Demit, të njohur për shpirtin atdhetar dhe kontribute në jetën publike të Çamërisë.

Tahir Demi u shkollua fillimisht në Shqipëri e mw pas jashtë shtetit, në Rumani, Hungari dhe Rusi. Punoi si drejtues i pushtetit, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit nga viti 1954 deri në arrestimin e tij, më 28 korrik 1960.

Tradita atdhetare e familjes së Tahir Demit në shërbim të çështjes shqiptare kundër okupacionit të shovinizmit grek, bëri që ai të ishte pjesëmarrës në luftën antifashiste.

Gjatë Luftës II Botërore, ashtu si e gjithë familja Demi, edhe Tahiri së bashku me të shoqen Sadetin u aktivizuan në formacionet luftarake të Ushtrisë nacionalçlirimtare deri në çlirimin e vendit. Për këtë ai është dekoruar nga Kuvendi Popullor me një sërë dekoratash nderimi për kontributet e dhëna gjatë kësaj lufte. Tahir Demi, ishte njëkohësisht edhe një atdhetar i mirë i çështjes kombëtare shqiptare, duke menduar edhe për zgjidhjen e një problemi siç ishte problemi çam, pas shpërnguljes më dhunë dhe genocid të popullatës çame nga vendi i tyre Çamëria, nga bandat shoviniste greke të Napoleon Zervës.

Qytetaria elbasanase e mban mend këtë zyrtar të lartë të qytetit të tij si një kuadër që gëzoi respektin e banorëve të Elbasanit për nivelin e lartë të drejtimit të komitetit dhe si më jetëgjati në krye të këtij organi të pushtetit në Shqipëri.

E gjithë jeta e Tahir Avdi Demit ishte një jetë në shërbim të popullit dhe kombit shqiptar, deri kur ai u ekzekutua nga diktatura, në vitin 1961.