Sule Domi, 4 ditë para se të ndërrojë jetë

“I ati – vëllai i gruas së parë të babait tim dhe një nga miqtë më të ngushtë të familjes sonë – ishte njeri shumë i njohur në qytet. Nuk shquhej për pamjen e jashtme, por e pabesueshme ishte shpirtmirësia e tij dhe veprimet e tij si bamirës. Kujdesej për pastërtinë, por jo për estetikën dhe mirëqenien vetjake. Ishte tregtar pëlhurash, thuhej që ishte shumë i pasur dhe ishte e vërtetë. Por, nëse në dyqan hynte ndonjë turist, mund të mendonte se ai ishte një varfanjak i pranuar përkohësisht për një arsye a një tjetër aty; ndërsa shitësi Pal, i veshur prej tij si zotëri i vërtetë dhe i paguar shumë mirë, do të merrej si pronari. Në Elbasan flitej shumë për bëmat e këtij njeriu bamirës. Në shtëpinë tonë, dihej, që vajzës që kishte punuar te ai për shumë vite, kur u martua, i bëri si dhuratë, përveç pajës, edhe një shtëpi të vogël. Thuhej që kur Mahiri u diplomua në Liceun e Korçës, i ati i dhuroi nga një kostum çdo studenti të varfër të liceut. Gjithsesi, vetes së tij i kushtonte pak kujdes dhe kjo ishte një mangësi e pajustifikueshme. Flitej se një ditë, ndërsa gjendej jashtë shkolle për të pritur të birin, një kalimtar iu afrua për t’i dhënë lëmoshë.
Njëherë tjetër kishte dalë për biznes: pati një infeksion në këmbë, që e nënvleftësoi derisa iu gangrenizua. Për ta shpëtuar, ia prenë këmbën.
Marrëdhëniet e mia me të, meqenëse kishim dallim moshe, praktikisht nuk ekzistonin. Por, një mbrëmje, ishim ftuar që të dy në një festë tek të afërmit – unë isha atje në vend të babait dhe xhaxhait tim.
Në atë rast më ftoi t’i ulesha afër. Ishim në javët e para të 1944-ës, situata politike lokale dhe lufta partizane aktive dhe e qëndrueshme bënin që të ndjeheshin efektet e rrezikshme. Folëm edhe për të ardhmen, ndoshta më kishte ftuar t’i ulesha afër për të më folur pikërisht për këtë temë. Dhe, pak a shumë, më tha: “Ju, fëmijët tanë, doni një regjim komunist dhe unë mendoj se ju nuk e kuptoni që mirëqenien që ju gëzoni sot, nuk do ta keni më nesër. Sa keq! E them për ju, meqenëse ne, prindërit tuaj, jemi mësuar të jetojmë edhe me bukë e djathë”.
Gabonte. Pak muaj më pas e lashë Shqipërinë, për t’u kthyer pas pothuajse gjysmë shekulli, kur në 1991-in regjimi komunist nuk ishte më. Por atëherë, gjashtë muaj pas nisjes sime, komunistët e morën faktikisht pushtetin.
Pas dy a tre vjetësh Sulën e arrestuan, mendoj ngaqë refuzonte të paguante taksën shumë të lartë që i kishin vënë. U orvatën ta bindnin me të mira, por më kot. Detyruan të birin që ta bindte, por ka të ngjarë që refuzimi qe edhe më i prerë, dhe më i ashpër. Duke menduar që kishte shumë flori të fshehur në shtëpi (dhe mbase nuk gabonin), shkuan t’ia kërkojnë me mjete të ndryshme. Bile gërmuan në oborr e në kopsht, por asgjë! Atëherë kaluan në metoda më ‘bindëse’, të një dhune që sa vinte e rritej. Edhe kështu nuk arritën ta nxjerrin nga heshtja e tij prej graniti. Të nevrikosur dhe të egërsuar, të sigurtë që duke vazhduar ta torturojnë me çdo mjet do kishte qenë një humbje kohe, dhe në bazë të përvojës, e dinin që nuk do kishin asnjë ndëshkim për veprat e tyre kriminale, vendosën t’i jepnin fund duke i futur një gozhdë të madhe në “kokën e tij mushkë”.
Kështu e panë të vdekur disa nga të afërmit e tij. Dhe nuk kishte asgjë për t’u habitur, nëse nuk ishin shqetësuar që t’ia hiqnin: duke terrorizuar njerëzit që do ta shihnin, kishin si qëllim të bindnin me dhunën e tyre ata dhe këdo tjetër me të cilin mund të flisnin. “

Shkëputur nga libri “Copëza Malli” me autor Bim Daklin.