Stefan Bebi lindi në Elbasan, më 9 prill të vitit 1943.

Shkollën 7-vjeçare e ka mbaruar në fshat, klasën e 7 e përfundoi në shkollën Thoma Kalefi.

Në vitin 1956 fillon gjimnazin, i cili zgjati katër vite dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera.

Më pas shkon për të Studiuar Matematikë në Universitetin e Odesës në Rusi, ku qëndroi vetëm 1 vit dhe për shkak të prishjes së mardhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në ato vite, iu desh të rikthehej në Tiranë për të vazhduar studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë, deri kur i përfundoi studimet në vitin 1965.

Pas studimeve të larta filloi të punojë si mësues në Shkollën “Jeronim de Rada”, shkollë në të cilën qëndroi dy vjet.

Në vitin 1967 u bë Inspektor Arsimi për 7 vite deri në 1974, inspektor metodist për lëndën e matematikës. Në këtë pozicion dha kontribute të rëndësishme për qytetin, duke zhvilluar seminare, por edhe duke ngritur në çdo shkollë të qytetit laboratorë matematike.

Me hapjen e ILP-së, në vitet 1971 – 1972 ai u bë Pedagog i jashtëm në lëndën e Matematikës Elementare, detyrë të cilën e mbajti derikur u bë Shef Arsimi.

Vazhoi karrierën si Shef i Arsimit dhe Kulturës për 4 vite, deri në 1978. Gjatë kësaj periudhe dha rezultate të frytshme. Organizoi 3 seminare kombëtare të cilat patën jehonë për kohën, duke e bërë Elbasanin që të jetë një nga rrethet më të përparuara të kohës në arsim. Pas arritjeve në këtë pozicion u bë anëtar i Kolegjiumit të Ministrisë së Arsimit dhe kulturës, duke u bërë kështu anëtari i parë i kolegjiumit nga rrethet.

Pasi kreu me sukses detyrën që iu caktua kaloi në një tjetër pozicion, si drejtor i shkollës 8-vjeçare “Naim Frashëri”, duke  e kthyer këtë të fundit në një shkollë model në rang kombëtar.

Pas Shkollës “Naim Frashëri” u shpërngul në një tjetër shkollë, atë “Hamit Mullisi”, ku  punoi 8 vjet si mësues.

Me ardhjen e demokracisë u bë drejtor i Shkollës Normale, detyrë në të cilën i dha fund karrierës së tij të gjatë e plot arritje. Ka qenë për disa vitet edhe nënkryetar i Shoqatës “Normalisti”.

U nda nga jeta më 24 korrik të vitit 2020.