Elbasani është një qytet me mjaft potencial për sa kohë ai ka në territorin e tij edhe gjurmë arkeologjike, që e faktojnë këtë qytet si një prej qendrave më të zhvilluara që në lashtësi. Aty ku natyra nuk e ka kursyer dorën e saj, aty ku historia ka lënë gjurmën e saj, aty ku rrënojat flasin për shenja jetë e zhvillimi, aty ne përballemi me të shkuarën.

Në perëndim të Skampis-it të vjetër, përgjatë rrugës Egnatia, në territorin që sot e përfshin Njësia Administrative e Bradasheshit, ndodhet një nga destinacionet më të rëndësishme për t’u vizituar, Stacioni Ad Quintum.

I stacionuar përgjatë rrugës Egnatia, Ad Quintum, evidentohet dhe vlerësohet nga profesionistët si një kompleks i rrallë nga ndërtimi dhe funksionimi, teknikat e të cilit, mjaft të avancuara për kohën kur janë përshtatur, na njohin sot me një trashëgimi të vyer, për të cilën ndjehemi me fat që e kemi akoma në këmbë.

Arkeologët e mirënjohur elbasanas Neritan Ceka dhe Lazër Papajani, nga gërmimet që kanë bërë e kanë përcaktuar Mutatio Ad Quintum, si ndërtim të gjysmës së dytë të shek.II të ose gjysmës së parë të shek të III të. I ngritur jo rastësisht në shpatin e kodrës së Fikasit, teknika e ndërtimit të këtij stacioni ka arritur të shfrytëzojë mjaft mirë burimet që dalin në kufirin midis dy formacioneve, aty ku shtresa e shtufit vendoset mbi formacionin gëlqeror. Burimet e këtij kufiri nevralgjik krijonin përroin e Fenikasit, që kishte ujë gjatë gjithë vitit. Vetëm kështu i jepej zgjidhje e funksion ndërtimit arkitektonik e funksional të tij. Shfrytëzimi i burimeve ujore, ka qenë një nga arsyet se pse ky stacion është ndërtuar në këtë vend. Ndërtime të këtij tipi, që shërbenin kryesisht për ndalimin dhe pushimin e udhëtarëve evidentoheshin si ndërtime që i rrinin mirë stacioneve rrugore e qendrave publike, kjo ka qenë një nga arsyet e tjera që ka përcaktuar ndërtimin në një pozicion të tillë.

I parë si një i tërë, ky stacion përmban në kompleksin e tij disa pjesë të rëndësishme, me elementë të vecantë, që flasin shumë për mënyrën se si ai ka funksionuar dikur e për rëndësinë që ka pasur. Një vëzhgim i vëmendëshëm na bën të veçojmë disa elementë të rëndësishme të këtij stacioni. E nisim me Nymfeun, fasada e të cilit krijohet nga një pjesë muri me gjatësi 26 m. Brenda tij, në distanca jo të barabarta janë vendosur tre hauze uji, me hapsira të barabarta drite dhe simetrike me njëra tjetrën. Para nymfeut gjendet edhe një shesh, i ndërtuar për qarkullimin e klientëve që mbushnin ujë dhe që shërbente njëkohësisht si një shëtitore. Janë arkeologët Ceka e Papajani, që me shpjegimet që kanë lënë nga studimet e tyre na bëjnë të kuptojmë më shumë për mënyrën se si funksiononte konkretisht cdo gjë brenda Ad Quintum.

Për furnizimin dhe largimin e ujrave të nymfeut është ndërtuar një sistem i tërë kanalizimi. Pas murit mbështetës, thëllë në tokë, ndodhej kanali që furnizon hauzin 1 me ujë. Nga hauzi 2 në drejtim të vaskës së hapur pranë murit të tarracimit, me anë të një tubi, të cilit sot nuk i ruhet tarracimit, me anë të një tubi, të cilit sot nuk i ruhet as fillimi e as fundi, por që nga drejtimi që ai ka kuptohet se ky kanal ka funksionuar për të furnizuar vaskën me ujë burimi. Ujrat e tepërta që derdheshin gjatë përdorimit, si dhe ujrat e shirave largoheshin nëpërmjet një kanali që kalon nga vaska dret termeve. Me një sipërfaqe prej 130 m katrorë, termet ose banjot janë të pozicionuara në perëndim të nymfeut. Të vendosura në një platformë katërkëndëshe, midis një muri mbështetës e një muri tarracimi, godina ruhet në gjendje të mirë. Në të dallojmë: Dhomën e zhveshjes ose apodyteri (ambienti kryesor i termes), që zë vend parësor në planimetrinë e godinës, Fridigari (kthina e ngrohtë), Tepidarium (dhomat e ngrohta) dhe Sudation e Laconicum (ambientet e nxehta).

Apolon Bace, në botimin e tij “Historia e arkitekturës Shqiptare”, flet për një tjetër element, të zbuluar brenda këtyre ambienteve gjatë gërmimeve arkeologjike. Ai e ka fjalën për praninë e një afresku në muret e termes. Ndër të tjera citojmë ” Gjatë gërmimeve, pranë tyre, janë gjendur dhe copra xhami gjë që dëshmojnë pajisjen e tyre me xhama. Dyshemeja ka qenë e shtruar me llaç harasani, ndërsa nga fragmentet e ruajtura të mureve, kryesisht nga dhoma e zhveshjes, na dëshmohet se kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me një pikturim shumëngjyrësh në të thatë (aseko). Ai paraqitet në një sërë panelesh drejtkëndësh ku dallohen ngjyra e kuqe, blu, bardhë, manushaqe, të qarkuar prej brezash në të cilën vërehen dhe motive floreale”.

Nga vlerat arkeologjike, historike e kulturore që përfaqëson Ad Quintum gëzon statusin Monumet Kulture i Kategorisë së Parë, të cilin e ka fituar që nga 15 janari I vitit 1963. Sipas të dhënave nga DRTK Korcë – Sektori Elbasan, në Mutatio Ad Quintum, që nga formimi i këtij institucioni në 2014, ai ka bërë vetëm një ndërhyrje përgjatë vitit 2017 – 2018. Më parë ka qenë IMK që ka realizuar një tjetër ndërhyrje mirëmbajtjeje në të. Respektivisht në ndërrimin e mbulesës së monumentit pasi e para ishte shumë e dëmtuar, janë bërë pastrimine të vazhdueshme për heqjen e vegjetacionit të ulët dhe të lartë si dhe janë vendosur tabela orientuese e shpjeguese bashkangjitur monumentit. Sektori Elbasan shtron nevojën e ndërhyrjes në muret e tij pasi kanë pësuar krisje të konsiderueshme, prandaj është e nevojshme të bëhen konservime të murit në anën perëndimore. Dhe në konservimin e afreskeve që janë në muret e monumentit.

Ad Quintum, ky sit i rrallë e me vlera të padiskutueshme na bën për vete e na tërheq vëmendjen për t’a vizituar, me një ndjesi krenarie e përgjegjësie, për t’u kujdesur e për t’a mirëmbajtur, që brezat e ardhshëm të kenë mundësi t’a njohin e të krenohen me të njëlloj si ne.