Sotir Paparisto

Sotir Paparisto

Lindi në Elbasan, në 6 gusht të vitit 1913, në një familje atdhetare e intelektuale.  Ishte djali i Dhimitër Paparistos një ndër mësuesit e parë të Normales. Arsimin fillore e kreu në shkollën e kalasë, kurse të mesmen e mbaroi në Normalen e Elbasanit në vitin 1930. Punoi si mësues në Ersekë, më pas në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretëreshë”. Më 1935 fillon studimet e larta në Institutin J. J. Rousseau. Në një dokument të vitit 1937 bie në sy, se bashkë më Sotir Papariston në Institutin J. J. Rousseau, është dhe një elbasanas tjetër, Mehmet Daiu. Në vitin 1938 kthehet në Shqipëri. Ja çfarë shkruan revista “Përpjekja Shqiptare “, në nr. 14-15, të vitit 1938:”Shumë të rinj që kanë mbaruar universitetet e Evropës, po kthehen në Atdhe. Një ndër ta është dhe z. Sotir Paparisto një nga nxënësit më të mirë të Xhuvanit tonë. Ai pasi mbaroi lavdërueshëm Normalen e Elbasanit, punoi në disa fshatra dhe pastaj shkoi në Institutin J. J. Rousseau të Gjenevës, për pedagogji e psikologji. . . . . . artikulli “Ç’është Sugjestioni”, është një studim psikologjik i shkruar me një shqipe të kulluar. Kjo na jep me kuptu se për z. Sotir Paparisto nuk kanë shkuar kot vitet e studimit. . . . . . Kjo përgatitje shkencore, kulturore organike të merret si shembull nga të rinjtë që duan të bëjnë karierë, sidomos në fushën e arsimit dhe edukimit. . . . ”Pas përfundimit të tyre emërohet inspektor arsimi në Korçë dhe më pas në vitet 1940-1944 drejtor i Ushtrimores pranë Normales në Elbasan dhe inspektor arsimi në Tiranë.  Në vitin 1946, punon në shkollën pedagogjike të Tiranes. Në Tiranë ka punuar edhe në “Institutin e Shkencave “, së bashku me Sabiha Kasimatin, Eqerem Çabejn, etj. Në vitin 1948 ndalohen nga qarkullimi 154 libra, mes tyre dhe libri i tij, “Bojskautizma”. Në çdo shkollë që shkoi dha mësim lëndët psikologji e pedagogji. Historiani Kujtim Bevapi shton se, “ka edhe figura të tjera të njohura në Elbasan,  si Sotir Paparisto,  i cili për 20 vite dha lëndët pedagogji e psikologji, ndërsa veprimtaria e tij pedagogjike spikat në hartimin e teksteve shkollore në Ministrinë e Arsimit. U rikthye në Elbasan në vitet 1948-1954. Ne vitet 1955-58, ishte mesues i ketyre lëndëve në shkollën e mesme pedagogjike “Babe Dude Karbunara “Berat. Kthehet përsëri në Elbasan ku punon në Normale deri sa del në pension në vitin 1968. Gjate kohës kur ishte në pension, jepte në kurse private mësimin e gjuhës frënge. Prof. Paparisto gjatë punës së tij ka bashkëpunuar në përkthime dhe shkrime e studime në revistat e kohës,  si: “Normalisti”,  “Përpjekja shqiptare”,  “Shkolla e re” etj. Në Liceun e Korçës, ku punoi për gati dy vjet, prof. Paparisto ishte drejtor administrativ me përvojë të madhe e përgatitje të shëndoshë profesionale. Si studime të tij veçohen: “Shpirti i fëmisë në dritën e psikologjisë së re” (1939); “Ç’është sugjestioni” (1938); “Parimet e metodave të reja mbi shkrimin e leximin”(1938), etj. Ka përkthyer studimin “Lufta e Peloponezit”të Thucydides. Shqipëroi nga greqishtja e vjetër “Prometeu i lidhur ”, të Eskilit. Po kështu,
librin “Emili ose mbi edukatën”(Émile ou de l’éducation)i Jean-Jacques Rousseau është përkthyer nga Sotir Paparisto dhe i është paraqitur publikut në një edicion të “Livre scolaire”. Metodisti elbasanas Gani Daiu, ka shkruar:”Ky libër përmban disa parime pedagogjike me randësi,  të cilëve po u epet dita ditës vendi i meritueshëm”.
Sotir Paparisto ka titullin e lartë “Mësues i MERITUAR“.

Dokumenti që ka studiuar në J. J. Rousseau bashke me M. Daiun.

Letër e ngushëllimit dërguar Zj. Helene Claparede, për vdekjen e b/shortit, Edouard Claparede, pedagogë të tyre në Institut, nga studentët elbasanas mbaruar në këtë Institut.

Elbasan,  16 octobre 1940

Vivement touchés de la perte douloureuse de votre savant mari Claparède,  nous pleurons avec vous notre maître.
Anciens élèves albanais de l’Institut Rousseau : (S.  Paparisto,  S.  Sejdini,  M,  Daiu,  A.  Kajanaku,  M.  Qorri)
Elbasan (Albanie)