…Deri aty nga çereku i fundit të shekullit të kaluem n’Elbasan shqipja shkruhesh me alfabete të ndryshëm. Disa nga tregtarët, reshperët e zejtarët, sidomos ortodoks, megjithëse tinës, i mbajshin regjistrat e dyqanit të tyne shqip me shkronja greqishte dhe disa të tjerë si Isah Balla, i ati i Haxhi Tupes (orëndreqës) shkruente me shkronjat e Teodor Haxhi Filipit (Dhaskal Todrit).

…Mungesa e unitetit të alfabetit patë sjellë pengesa të mëdha në lavrimin e gjuhës shqipe. Këtë të metë të ndishme u munduen ta plotësojnë rilindasit, të cilët siç dihet hartuen nji palë shkronja dhe më 1879 botuen në Stamboll alfabetaren monumentale të letërsisë sonë shkollore, e cila do të vlente për unitetin e alfabetit shqip; ata botuen edhe libra të tjera që mbillnin ndjenja patriotike në shpirtin e popullit, por ajo alfabetare, u ba guri themeltar i përhapjes së arsimit kombëtar në masat e popullit.

…Të gjithë viheshin në shërbim për të shpërndamë në të katër anët këto libra e gazeta shqipe. Njerëz të ditun e të paditun, hotelxhi e kafexhi, tregtarë e doganierë, artizanë e çirakë, kush me ndërgjegje e kush i frymëzuem nga fjalët profetike të patriotëve, asnjani prej sish nuk peshonte rreziqe, persekutime e tortura që mund të ngjajshin.

Ja nji rast tipik e kësaj veprimtarije:

Nga fundi i shekullit 19 Muçi i Mane Berberit merresh me tregti. Kishte nji dyqan përballë portës së kalasë në tregun e Elbasanit ku shiste vogëlsina e gastarina. Muçi qysh në moshën djaloshare mësoi shkrim e lexim në gjuhën amtare, në atë kohë kur sundimi mizuer e barbar i sulltan Abdyl Hamitit II randonte pa mëshirë mbi popullin shqiptar e sidomos mbi ata që guxojshin të merreshin me lavrimin e gjuhës shqipe.

Muç Shqiptari

Vjershat e poetit kombëtar, të Naimit, veprat e Sami Frashërit me shokë e zhytën Muçin në flakën e atdhedashunisë. Dyqani i tij ishte bamë fole patriotësh e qendër prapagandimi për kombësi.

Kur shkonte në Manastir për të blemë mall, Muçi sillte sandejmi, tinës nji shumicë librashs shqipe, që i dërgonte shoqënija letrare e Stambollit nga Bukureshti dhe nga Sofja. Këto i mëçifte nëpër arkat e gastarinavet dhe pastaj i shpërndante ma të shumtat falas. Dyqani i tij, ma tepër se kinkaleri, ishte kthye në librari shqipe ilegale.

Populli i qytetit, tue çmue veprimtarinë e sakrificat e Muçit, e pagëzoi këtë me mbiemrin “Muç Shqiptari” mbiemën ky që e shoqënoi ma se njëzet vjet, derikur mbylli sytë për jetë.

E pra njikështu e filloi historinë e sajë të shkëlqyeshme shkolla në vendin tonë. Kjo, para se t’ja niste punës mbi banga e me fëmijë të vegjël, e filloi punën nëpër depo dyqanesh, nëpër shtëpija, burgje, bjeshkë, jashtë në natyrë, me djem të rritun, me burra të pjekun e me ushtarë, të cilët e ruejshin në gji si gjanë ma të shtrenjtë abetaren e vogël, nga e cila do të mësojshin si të bahen njerëz të vlefshëm e shqiptarë të mirë.

…Shkrimtari i mirënjohun Kostandin Kristoforidhi, para vitit 1890 mblidhte miqtë e vet Ali Hysen Çaushin, Emin Haxhiademin, Alush Saraçin e të tjerë në depon e dyqanit të Loshit të Bardhë dhe u mësonte abetaren e shqipes. Këta të fundit shpërndaheshin nëpër dyqanet e miqvet të tyne tregëtarë, bakaj, duuhanxhij, saraçë e të tjerë artizanë dhe u mësojshin alfabetin e gjuhës amtare mjeshtërve dhe çirakëve të tyne.

Tush Pina

…Aty nga fundi i shekullit të kaluem në shkollën greqishte të lagjes Kala të qytetit ishte mësues Tushi i Pinës (Dhaskal Dhimitër Pina). Ky mbasi mbaronte mësimet në gjuhën greke për të cilat paguhesh nga Mitropolija, predikonte shumë për gjuhën shqipe dhe u mësonte abetaren nxanësve tek të cilët kishte besim.

Kur në qytet depot, dyqanet, shtëpitë e burgjet zishin vendin e shkollës dhe në këto mësojshin djem të rritun e burra të pjekun, Hysen efendi Ceka vishesh me kostum shpatarakësh dhe si i panjoftun dilte malësisë së krahinës së Shpatit dhe atje u mësonte abetaren shqipe barijve që i grumbullonte në hijen e lisave.

Të njëjtën detyrë patriotike kryente edhe Hasan Gjevori, nji nga patriotët ma të mirë të qytetit , i cili si tagrambledhës i shtetit, shkonte fshat më fshat për të vjelë taksat shtetnore dhe atje me zotësinë e tij, afronte të rinjtë e rritun dhe u mësonte atyre abetaren e gjuhës shqipe, Sa e sa burra të tjerë si këta ja kishin ngarkue vehtes për detyrë përhapjen e mësimit të gjuhës amtare.

Mësimi i mëçefët që karakterizonte gjithë lëvizjen mësimore t’asaj kohe, vazhdonte në mënyrë të vrullëshme.

…Në këtë mënyrë mbrenda nji të katërtë shekulli shkronjat shqipe lëshuen rranjë të shëndosha e vuen themele të forta.

Më 23 korrik 1908 u shpall hyrrjeti (kushtetuta) në perandorinë Otomane. Shpallja e kushtetutës si përfundim i përmbysjes së regjimit absolut të sulltanit gjakatar u dha rastin e volitshëm patriotëve të manifestojnë lirisht ndjenjat e tyne patriotike.

Hysen Ceka të nesërmen merr nga mësuesi çelsin e shkollës fillore turke dhe e hap atë për të mësue gjuhën shqipe gjatë pushimeve verore, ku u grumbulluen me qindra fëmijë të rritun.

Patriotët elbasanas pa humbun kohë hapën klubin “Bashkimi”. Në këtë klub ashtë zhvillue nji aktivitet jashtzakonisht i madh, si në pikpamje patriotike e politike, ashtu edhe në atë gjuhësore e shkencore. Në këtë drejtim këshilli i klubit hapi tri dhoma të lokalit për shkollë nate, të cilën e frekuentojshin me qindra djelmosha zejtarë dhe çirakë dyqanesh, ndërmjet të cilëvet kishte edhe burra të pjekun që dëshirojshin të mësojshin gjuhën amtare. Në këtë shkollë nate punojshin si mësues Josif Haxhimima, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja e të tjerë.

Me rastin e hapjes së klubit erdhën disa shpatarakë nën kryesin e Jusuf Qoses për të urue këshillin e klubit. Mbasi mësuesit ishin shumë të pakët me propozimin e Jusuf Qoses u provuen në klub për t’u ba mësues pesë shpatarakë, të cilët ishin Kodhel Dedja, nga fshati Nezhan, Sulë Panxhi, Bim Panxhi e Dyl Dervishi nga Valashi dhe Cane Sharra nga Pashtreshi. Mbas provës që dhanë ata u emnuen mësues në këtë mënyrë: Kodhel Dedja mësues shëtitës në Zavalinë e Seltë, ku mblidheshin edhe djemt e Joronishtit e të Nezhanit. Bim Panxhi mësues në Gjinar, ku mblidheshin edhe djemt e Valashit, Lukanit, Lleshanit e Pashtreshit. Cane Sharra mësues në Shelcan, ku vazhdojshin  edhe djemtë e Trepsenishtit, Tudanit, Kryezjardhit e Mëlizës. Dyl Dervishi mësues në Shtërmen, ku grumbulloheshin edhe djemtë e Bujarasit, Kodrabujarasit e Malasenit. Sul Panxhi nuk u ba mësues.

Nxënësit shpatarakë që dhanë provim në vitin 1909 para autoriteteve të vendit, në klubin “Bashkimi”.

Këta paguheshin nga nji lirë turke në muej nga të ardhunat e kuotave të permuejshme të anëtarëve të klubit, të cilët paguejshin nga pesë deri më njizet grosh në muej.

Në qershorin 1909 këta mësues të Shpatit erdhën me gjithë nxanësit në klub për të ba provimet vjetore. Ata nga ana e klubit u pagëzuan me dhurata, si qeleshe të bardha, opinga e tjera gjana dhe u banë disa poza fotografike në Namazgjah, të cilat sot ruhen në muzeumin e qytetit.

Shkolla e Fejzullah Guranjakut.

Në vitin 1908 bashkë me shkollat shtetnore turke ekzistonte edhe nji shkollë fillore private me emnin “Esasi – tereki” që don të thotë “bazë e përparim”. Kjo shkollë mbahesh me të hollat që paguejshin nxanësit 3 – 5 grosh në muej. Mësuesi i kësaj shkolle ishte patrioti Fejzullah efendi Guranjaku. Me njiherë mbas shpalljes së kushtetutës turke, Fejzullahu ja filloi mësimit të gjuhës shqipe në shkollën e tij. Shumë nxanës i lanë shkollat turke dhe filluen të ndjekin këtë shkollë. Kur numuri i nxanësve u shtue, Fejzullahu muer edhe bashkëpuntorë të tjerë.  Kjo shkollë i ndërpreu mësimet vetëm më 1910, kur operacioni ushtarak famkeq i xhonturqëve, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës punoi mizoritë ma çnjerzore në Shqipërinë e veriut e të mesme e sidomos në Elbasan, ku u torturuen keqas gjithë patriotët e bashkë me ato edhe Fejzullahu, pse ishte me çallëm dhe mësonte shqip.

…Mbas shpalljes së kushtetutës xhonturqit, tue përdor si mjet fanatizmin e demagogjitë fetare e tue nxitun edhe klerin e sidomos atë muhamedan, u munduen të turbullojnë ujët në burim, qesin pengesa në shkrim – këndimin e gjuhës shqipe. Ata kërkojshin që gjuha jonë të shkruhesh me germat e kuranit (me shkronja arabe) e jo me shkronja latine.

Disa nga klerikët me nji pjesë fanatikësh u mblodhën në lokalin e Medreses për të kundërshtue germat latine, në anën tjetër gjithë patriotët e djelmënija u grumbulluen në klubin “Bashkimi”, e për rreth tij, për të protestue kundër shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Në këtë çast qyteti kalonte minuta shumë kritike. Epërsija numerike dhe entusiazmi i patriotëve bani që të shpërthejë demostrata me flamurin e klubit në krye, tue këndue nëpër rrugët e qytetit këngë patriotike si ajo: “shkronjat tona janë të arta, ato duam”, etj.

Kundrejt kësaj gjendjeje të krijueme, përfaqësuesit e palës kundërshtare disi u tulatën, por gjithënji tue vazhdue luftën me anë të propagandës fetare dhe tue dalë në shesh si anmiq të betuem, më 1910 në operacionin e Shefqet Turgut Pashës.

Nga rrebeshi e rrëmuja që ngjau në verën e vitit 1910 prej asja ushtrije të tërbueme të Turgut Pashës, u mbyllën klubet shqiptare dhe shkollat bashkë me Normalen, të cilat mbaheshin prej këtyne klubeve.

Këto nuk patën mundësi të hapeshin ma në vitin shkollor 1910 – 1911.

Prej reaksionit që shpërtheu pas fushatës së Turgut Pashës, qeveria e Stambollit (xhonturqit) u shtrënguen të lejojnë hapjen e Normales pëe së dyti herë në shkurtin e vitit 1911. Këtë vit kjo shkollë nuk ka pasë ma shumë se 80 nxanës dhe 7 fuqi mësimore.

Pothujse këtu mbyllet faza e robënisë shekullore dhe fillon epoka e re e rilindjes kombëtare e shtetnore.

Më formimin e shtetit tonë të lirë nisi të punojë edhe shkolla shqiptare pa frikën e ndjekjeve. Në këtë kohë unë dhe disa shokë ndodheshim mësues të shkollës fillore tyrke në qendër të qytetit. Komisioni organizativ për administrimin e qytetit më ngarkoj për t’a marrë në dorëzim nga autoritetet turke më 26 nandor 1912. Pushteti na urdhënoi si normalista të vitit 1909, që shkolla me njëherë të hapet dhe t’ja fillojë punës në gjuhën shqipe. Kështu shkolla turqishte me emnin “iptikaki tereki” e cila perëndoi në paraditën e 26 nandorit, hapi dyerët e saj më 28 nandor 1912 si shkolla qendrore shqipe.

Në fillim të vitit 1913 me urdhën të ministrisë së arësimit të Qeverisë së Vlonës, u plotësue kuadri i kësaj shkolle me 8 fuqi mësimore. Më 22 nandor 1913 u hap shkolla fillore në lagjen Shinkoll me 3 mësues. Ndërkohë u hapën edhe disa shkolla të rralla në fshatnat e krahinave të ndryshme, me ata mësues të pakët që ndodheshin.

Gjatë luftës së parë botnore, më 1915, Elbasani u shkel nga ushtrija Serbe dhe në shkurt 1916 nga ajo Austro – Hungareze. Pra, më 1915, kur ushtrija  serbe ende s’ishte largue, me inisjativën e profesor Aleksandër Xhuvanit na, disa arsimtarë hapëm shkollën shqipe (pa emnim zyrtar) në lokalin e shkollës femnore. Aso kohe në shkollën e djemve nuk merrshin pjesë vajzat, prandaj autoritetet e vendit, në nji shtëpi të lagjes Xhamiqebire, hapën edhe nji shkollë për vajza.

Më 1 dhetuer 1915 me urdhërin e qeverisë qëndrore të Durrësit, u hap zyrtarisht shkolla fillore, që pastaj mori emnin “Qoshe” sipas yoponimës, me 5 (pesë) arsimtarë. Kjo shkollë ma vonë ndryshoi emnat “Agimi”, “Muç Shqiptari” e sot “Sul Misiri”.

Trupa mësimore e shkollës "Agimi", viti 1933- 1934, drejtor Abedin Çaushi.

Trupa mësimore e shkollës “Agimi”, viti 1933- 1934, drejtor Abedin Çaushi.

Në fillim të vitit 1916, në okupacionin austriak, hapet shkolla qëndrore me 6 fuqi mësimore, që ma vonë muer emnin “Naim Frashëri”. Po në këtë kohë hapet shkolla fillore e Shinkollit, që mori emnin  “Zgjimi”, hapet shkolla e lagjes Kala, e cila mori emnin “Kristoforidhi”, gjithashtu hapet edhe shkolla fillore femnore me tri fuqi mësimore.

Personeli i Shkollës “Zgjimi”, viti 1937 – 1938, drejtor Vasil Llapushi.

Gjatë okupacionit austriak, u hapën mjaft shkolla nëpër fshatra si në Bishqem, Mollagjesh, Kullojkë, Shelcan, Gjinar, Valësh, Zavalinë, Lleshan, Shtërmen, Shushicë, Polis, Fushë – Buall, Mollas, Zdrajsh etj. Kështu që ne qarkun e Elbasanit, tue lanë përjashta krahinën e Quksit e të Bërzeshtës, të cilat ishin nën okupacionin frances, ka pasë 44 shkolla, kurse në vitin 1938 – 1939, tue përfshi edhe krahinën e Quksit e të Bërzeshtës, ka apsë vetëm 35 shkolla.

Nga ky krahasim del se në periudhën 1912 – 1920, n’ato kohë të turbullta, përhapja e arsimit në popull, u ndie si nevojë e madhe dhe e domosdoshme. Pra, vazhdimi i punës së ndërpreme herë – herë na duhet ta kërkojmë aty nga viti 1920 e këndej.

Kur filloi jeta normale e shtetit, hovi i vrullshëm i përhapjes s’ arsimit u ngadalsue. Në fillim mund të ketë pasë edhe shkaqe buxhetore, por ma fort ishte kriteri i regjimeve të së kaluarës e sidomos lufta e hapët që i bajshin arësimit disa nga deputetët në parlament.

Më gjithëatë arsimi muer nji rrugë ma sistematike, më 1923 filluen të kthehen në atdhe nga bota e jashtme studentët tanë që kryen Normalen atje. Me këto kuadro u ngrit shkolla “Ushtrimore” pranë Normales, e cila vuni në zbatim parimet didaktike edhe mësimin intuitiv dmth se kaloi nji  shkallë ma naltë se mënyra parafolse e mësimit. Kjo u përhap në të gjitha shkollat e qytetit e të fshatit.

…Edhe në okupacionin fashist shkolla shqiptare pësoi ramie të ndieshme, se këmishëzestë kërkojshin të përjetësojnë robëninë këtu. Ata deshën të zavendësojnë shkollat shqipe me ato italishte, por nuk u shkoiu uji në lugun e mullinit, se hasën pengesën e fortë të ndërgjegjes kombëtare, që ishte formue ma së miri tek mësuesit shqiptar, nji pjesë e të cilëve i zuen, i burgosën dhe i dërguen në Porto – Palermo…

(Nxjerrë nga artikulli me të njëjtin titull dhe botuar në revistën “Arësimi popullor”, Nr.2 viti 1963.)