Krishtlindja

Banorët e Kalasë për Krishtlindje bënin qeshqek, duke ndenjtur deri në mes të natës për ta përgatitur. Qeshqeku është grurë i rrahur me dybek, deri sa t’i dalin lëvoret. Zihet me lëng mishi, me copa mishi dhe ujë dhe rrihet në kazanin që zjen me anë të një luge druri të madhe, deri sa kokrrat e grurit të dërrmohen dhe të shkrihet e të bëhet si brumë. Në ditën e festës, pasi mbaron ceremonia fetare, fiset shkëmbejnë vizita tek njëri – tjetri. Gjatë vizitave qerasin me nga një pjatë me qeshqek të përvëluar me tylyn (gjalpë) dhe me pak qimnon.

Festa e Vitit të Ri ose Festa e Shën Vasilit

Në kohët e para festa e Shën Vasilit festohej vetëm nga populli kristian i kalasë dhe jashtë saj. Zakoni ishte që natën e Vitit të Ri njerëzit të dëfrenin dhe të argëtoheshin. Kryesisht njerëzit luanin “bixhoz” gjithë natën, deri sa të zbardhte dita. Ky ishte zakoni i mbetur nga festa e Shën Vasilit. Gratë dhe burrat e familjes së lagjes Kala luanin “bixhoz” e dëfreheshin me këngë e valle. Bëheshin urime dhe sofra rrinte e shtruar me gjela deti të pjekur, me ëmbëlsira, fruta e verë.

Të nesërmen në mëngjes fëmijët dalin nëpër lagje me një degë ulliri në dorë e me një shami dhe hyjnë nëpër shtëpia duke thënë “Stara godina – (viti plak, viti vjetër) për shumë vjet gëzuar, moti i ri me bereqet!”. Me degën e ullirit takojnë nga pak amvisën, e cila u jep gështenja, mollë, arra, pala fiku e ndonjë para.