Doktori i Shkencave historike dhe arkeologjike, atdhetari Shyqyri Demiri lindi në një familje, e cila ka nxjerrë figura të njohura atdhetare. Sulçebeu, gjyshi i tij, ishte pjesëmarrës në ngjarjet e viteve 1878-1881 dhe në luftën për mbrojtjen e trevave Hot e Grudë. Për këtë veprimtari është burgosur nga Porta e Lartë. Demir Sulçebeu, babai i Shyqyriut ishte anëtar i klubeve atdhetare të Elbasanit “Vllazëria” e “Bashkimi”, me ndihmesa të shquara në ngritjen e Flamurit më 25 nëntor 1912, përkrah Aqif Pashë Biçakçiut.

Shyqyriu ka qenë anëtar i orkestrës frymore “Afërdita” të Elbasanit. Në vitin 1920, si pjesëtar i bandës muzikore, së bashku me shokët, shkoi në Vlorë për të përshëndetur fitoren ndaj Italisë. Shkollën fillore e kreu në Elbasan. Më 1920 shkon në Austri ku mësimet e mesme i përfundoi në gjimnazin laik, duke mësuar latinishten dhe persishten, më pas në Universitetin e Gracit, në degën Histori- Arkeologji. Veç diplomës mori edhe gradën shkencore Doktor në Histori dhe Arkeologji. Qëndroi 15 vjet në Austri si pedagog e studiues në arkeologji.

Në vitin 1935 u kthye në Shqipëri. Fillimisht punoi si mësues në shkollën Tregtare të Vlorës dhe nga viti 1936 punoi në gjimnazin e Shkodrës deri më 1939. Prej andej u transferua në Normalen e Elbasanit. Më 1959, me ekspozitën e punëve të pavarura të nxënësve që u hap me rastin e 50 – vjetorit të shkollës, rrethi i historisë me mësuesin Shyqyri Demiri krijuan një kënd muzeal me fotografi e kujtime nga jeta në shkollë.Këtu dha lëndën e historisë deri në vitin 1967, deri kur doli në pension.

Në punën e tij 31-vjeçare, si mësues i historisë dallohet për nivel të lartë shkencor e pasion për lëndën e tij. Qysh nga viti 1935 – 1936 fillon të botojë artikuj në revistat dhe në gazetat kombëtare e lokale të kohës. Në vitin 1935 në revisten e kohes “Ilyria” boton nje shkrim mjaft interesant, i cili jo vetëm atëherë,por edhe sot ka vlera,me titull “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptareve”.

Me vlera janë kumtimet e tij në Konferencën kombëtare Albanologjike “Varret e Komanit dhe problemi i etnogjenezës së popullit shqiptar”. Shyqyri Demiri ishte bashkautor i tekstit “Historia e Shqipërisë”, pjesa I (1963). Ai la në dorëshkrim shumë studime, si: “Esnafet e Elbasanit në fundin e shek. XVIII”. Në vitin 1960 Shyqyri Demiri ideoi dhe drejtoi ekspeditën shkencore-arkeologjike të Pazhokut, që dha të dhëna të rëndësishme arkeologjike për historinë dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të rajonit të Elbasanit në periudhën e bronzit.

Në vitin 2006, u botua “Historiku i shkurtër i trevës së Elbasanit që nga neoliti deri më 1939”. Akademiku Shyqyri Demiri është shprehur në këtë libër se populli shqiptar është ndër më të vjetrit në Ballkan e më gjërë.

Në vitin 1960 profesori ideoi dhe drejtoi ekspediten shkencore-arkeologjike të Pazhokut, ku dolën të dhëna të rëndësishme për historine dhe zhvillimin e rajonit të Elbasanit në periudhen e bronzit.
Respekte e mirënjohje për mësuesin dhe studiuesin e nderuar të qytetit tonë.