Sherife Kurti lindi në Gjirokastër më 20 mars të vitit 1935 në një familje qytetare të njohur dhe me ndjenja patriotike. I ati, Latif Mezini, punonte në Postë, ndërsa e ëma ishte shtëpiake. Për arsye të punës së babait, shpërngulen në qytete të ndryshme të Shqipërisë si në Shkodër, Berat, Delvinë etj. Në 1942 transferohen në Tiranë, ku babai i Sherifes fillon punë si inspektor i përgjithshëm i të gjitha postave shqiptare.

Pas përfundimit të tetëvjeçares e shkollës së mesme ekonomike, Sherifja fillon punë në Bankën Qendrore në Tiranë dhe njëkohësisht studjon e përfundon me sukses Fakultetin Ekonomik.

Në vitin 1964 njihet me doktorin elbasanas Hasan Kurti, i cili në atë periudhë ndodhej në Tiranë për t’u specializuar në Rontgen Diagnostikë Radiologji. Në 7 shkurt 1965 martohen në një ceremoni të thjeshtë e nga kjo martesë lindin tri vajza.

Sherife Kurti transferohet në Elbasan ku punon për disa vite si shefe plani në Ndërmarrjen Tregtare Shtetërore (NTSH). Në 1971 hapet shkolla e Mesme Ekonomike në Elbasan dhe ajo ishte një nga mësueset e para  të stafit pedagogjik: jepte lëndët e Planifikimit dhe Kontabilitetit. Në 1975  u hap Shkolla Ekonomike e Natës për kuadrot që vazhdonin shkollën pa shkëputje nga puna. Sherife Kurti e vazhdoi mësimdhënien edhe atje, duke u shquar si mësuese e përgatitur, me kërkesa të larta ndaj vetes dhe nxënësve, e sjellshme, e edukuar, kërkuese, e dashur dhe e buzëqeshur.

Në kërkim të perfeksionimit të metodave bashkëkohore mësimdhënëse, ajo u bë shembull i figurës intelektuale. Punonte  dhe jashtë orëve të mësimit me maksimumin e forcave e energjive. Nxënësit shikonin tek mësuese Sherifja mishërimin e figurës së edukatores kërkuese e korrekte, por njëkohësisht të thjeshtë, që dinte t’i trajtonte ata me respekt dhe si të barabartë.

Që në fillimet e punës në moshën 18-vjeçare e deri në daljen në pension në vitin 1990, Sherife Kurti iu dedikua me pasion e dedikim profesionit të ekonomistes dhe arsimtares. Gjithnjë pranë nxënësve, për t’i shoqëruar në praktikat mësimore e profesionale nëpër ndërmarrje, apo në aktivitetet që organizonte shkolla në Labinot -Mal, Shelcan, Shushicë, Byshek, Shalës, në malin  e Dajtit në Tiranë etj.  Nuk mungonte as në aksionet e organizuara për mbledhjen e ullinjve, ujitjen etj., si dhe në punët e ndryshme në kohë fushatash, korrje gruri, mbjellje me kubikë etj.

Nënë shembullore dhe e përkushtuar, Sherife Kurti ishte po aq kërkuese ndaj të bijave duke ndjekur shkollimin e tyre në çdo hap; shkonte në takime me prindërit, i inkurajonte në pasionet që kishin dhe i nxiste për të realizuar objektivat në jetë.

Në qershor 1995, Sherife Kurti transferohet familjarisht në Tiranë. Në fillim të vitit 2006 shpërngulet në Itali, pranë vajzave së bashku me të shoqin, doktor Hasan Kurtin.

Vdes dhe varroset në Bergamo të Italisë më 25 tetor 2006. 

Ja si shprehen kolegët dhe nxënëset për mësuesen Sherife Kurti:

Kastriot Dinci, ish- drejtor në Shkollën Ekonomike (Natën): Kam qenë drejtues i shkollës gjatë periudhës 1977-1981. Në këto vite kam njohur një plejadë mësuesish mjaft të përgatitur dhe njëra prej tyre ishte Sherife Kurti, për të cilën ruaj përshtypjet më të mira. E kujtoj me respekt e nostalgji. Ishte kolege e rrallë, një mësuese e përgjegjshme dhe rigoroze. Shumë aktive, e aftë për të komunikuar me nxënësit, një bashkëpunëtore e shkëlqyer brenda stafit pedagogjik, krijuese, plot ide të reja në zbatimin e metodave bashkëkohore për mbarëvajtjen e proçesit mësimor.

 Kujtim Kopani: Kanë kaluar vite dhe kujtimi i koleges Sherife Kurti mbetet i gjallë në kujtesën tonë. Ajo kishte një buzëqeshje që nuk i mungonte asnjëherë,  një zë melodioz (asnjëherë i lartë), që të nxiste ta dëgjoje me vëmendje. Herë pas here shikoj fotot dhe ajo është e pranishme, qoftë me nxënësit që i respektonte, pavarësisht nga mosha, gjithashtu edhe me kolegët. Krahas nostalgjisë dhe mallit, ajo ka lënë kujtimet më të mira tek gjithësecili nga ne. Ishte gjithmonë dashamirëse; të gjitha problemet e zakonshme në një kolektiv pedagogjik, ajo i përballonte me më të madhen korrektësi. Kam punuar për gati dhjetë vjet me të, dhe çfarëdo situate mësuese Shero e zgjidhte me batutat e saj, duke ditur si ta qetësonte situatën.

Ishte një nënë e shkëlqyer dhe e rrallë, që së bashku me bashkëshortin, doktor Hasan Kurtin lindën rritën dhe edukuan tri vajza me një reputacion të shkëlqyer, të dhëna pas dijes dhe shkollimit.

Minerva Himçi: E kam njohur kolegen time, Sherife Kurti, qysh në hapjen e Shkollës së Mesme Industriale, ku ajo, me përgatitje maksimale dhe me përkushtim jepte lëndët Planifikim dhe Statistikë. Ishte korrekte me nxënësit, duke mos pranuar asnjëherë dhurata në këmbim te notës. Me kolegët ishte e dashur, me humor dhe këmbëngulëse për t’i ndihmuar me përvojën e saj. Në stafin tonë pedagogjik bënin pjesë: Kujtim Kopani, Pirro Ballkaniku, Koço Basha, Gazmend Haxhiymeri, me drejtor Mensur Tahiraj. Ishim një skuadër që punonim me dëshirë dhe zell. E prisnim me padurim orën 15.30 për t’u paraqitur në punë.

Më kujtohet një ekskursion që organizuam në veri të Shqipërisë. Ishte vërtet mbresëlënës! Në shoqërinë e Sheros, siç e thërrisnim ne, dhe të humorit të saj, ora na dukej minutë.

Sherife Kurti për mua s’ishte vetëm kolege, po dhe një shoqe. Ishte e ndjeshme dhe e dhembshur; më është gjendur pranë në çaste të vështira me këshillat dhe me fjalën e saj të ngrohtë. E kujtoj gjithnjë me dashuri.

Lida Bora:  Kam qenë nxënëse ne Shkollën e Mesme Ekonomike në Elbasan gjatë viteve 1971-1974.  Shkollën e kam ndjekur ditën dhe ne ishim matura e parë. Mësuese Sherife Kurti jepte Kontabilitet e Planifikim. Në vitin e dytë e kam patur kujdestare.

Ka qenë shembullore, shumë e afërt me nxënëset, tepër e ndjeshme dhe e vëmendshme ndaj vajzave konviktore, sepse ato jetonin larg kujdesit të prindërve. Na jepte lëndët e specialitetit dhe na i  bënte ato të lehta me shpjegimim plot kompetencë e pasion. Ishte kërkuese që ne ta përvetësonim lëndën sa më mirë dhe po ashtu, e drejtë në vlerësim. Na e konkretizonte gjithmonë orën e mësimit nga ana praktike.

Ruaj në mendje një episod të bukur lidhur me mbrëmjen e maturës të datës 29 Qershor1974. Atë natë e gdhimë duke kënduar e vallëzuar. Më pëlqente të këndoja këngë të muzikës së lehtë dhe mësuese Shero më shoqëronte nën zë. Ajo dinte të kërcente aq bukur; nuk ndaloi për asnjë  çast. Nuk ishte mësuesja, por shoqja jonë.

 Beatriçe Palluqi:  Shkollën e Mesme Ekonomike e përfundova në 1975 dhe kam qenë nxënëse e mësuese Sherife Kurtit për katër vjet. Lëndën e Planifikimit e mësoja me shumë dëshirë dhe kisha rezultate të mira; kjo, për vetë rolin që luante mesuesja për të na i bërë sa më të dashur e të kuptueshme.  Ajo ishte e qeshur, e hapur, dinte të thoshte veç fjalë të ëmbla, kishte një zemër të madhe dhe nuk e ngrinte kurrë zërin. Vlerësimi për të më del nga zemra. Menjëherë pas mbarimit të shkollës u emërova ne Qendrën Llogaritëse, sot tatim – taksat në Elbasan. Në vitin 1992 u largova në Greqi, por kujtimet për mësuesen time të mirë mbeten të paharruara.

Sherife Kurti ka qenë, gjithashtu, një nënë shembullore. Ajo u ka lënë fëmijëve të saj një pasuri me shumë vlera: emrin e saj.

Alma Sino: Jam e kënaqur dhe e privilegjuar që m’u dha mundësia të shpreh një mendim për mësuesen time të dashur, Sherife Kurti. Kam ndjekur shkollën Ekonomike (Natën) në vitet 1976-1980. Ruaj përshtypjet më të mira për të: ishte e sjellshme, e dedikuar, gjithmonë e gatshme dhe e papërtuar për të na ndihmuar, një grua e shkathët dhe plot vitalitet. Kam punuar llogaritare ne Fabrikën e  Çimentos për gati njëzet vjet dhe sa herë që kthej kokën pas e kujtoj si një nga mësueset më të përgatitura nga ana profesionale dhe me horizont të gjerë, që ndikoi në formimin cilësor dhe në edukimin e brezave . Mësuese Sherifja ka qenë shoqe në Universitet me babain tim Avzi Sino dhe ai në rrëfimet e tij më fliste për të me respektin dhe konsideratën më të lartë.

Zhaneta Hamiti Ruçaj: Ndihem e emocionuar, por më tepër e vlerësuar e mirënjohëse që m’u dha rasti të përcjell kujtimet për mesuesen time të shtrenjtë, Sherife Kurti. Më ka dhënë mësim disa lëndë kryesore: Mercologji ushqimore, Mercologji industriale, Financë dhe Planifikim në vitet 1977- 1981. Shkollën unë e fillova një muaj me vonesë, pasi isha atlete dhe prisja të ndiqja degën e mjeshtërisë sportive. Meqë nuk m’u dha kjo mundësi, u regjistrova në “Mercologji”, në Shkollën e Mesme pa shkëputje nga puna.

Mësuese Sherifen e takova për herë ta parë në sekretarinë e shkollës, ku më njoftoi se do të ishte mësuesja kujdestare e klasës sime. Më bëri për vete, jo vetëm me pamjen fisnike, me rregullsinë dhe hijeshinë në paraqitje, po me vetë mënyrën e  komunikimit: të paqtë,  të ëmbël, me buzën në gaz, karakteristika që i ruajti deri në ditën e fundit të shkollës.

Fjalët vlerësuese për të janë të pafundme. Unë rrija në bankën e parë, në rreshtin e mesit. Ishte kënaqësi ta dëgjoja kur na shpjegonte Mercologjinë, që u kthye për mua në një lëndë të bukur, pikërisht nga mënyra se si na e shpjegonte ajo. Mendoja se do të rrija një vit në atë shkollë për të ndjekur prirjen time sportive, por më pëlqeu dega dhe e përfundova shkollën.  Dashuria, afrimiteti i mësuese Sheros, sidomos me ne vajzat ishin për t’u veçuar.

Sot punoj menaxhere produksioni në Teatrin “Skampa” dhe e kujtoj me shumë nostalgji dhe respekt. Fjalë të tilla vlerësimi për mësuese Sherifen mund të dëgjosh nga breza të tërë nxënësish, kudo që ata ndodhen.

Merita Bedalli: Ju faleminderit që më bëtë pjesë të këtij shkrimi! Kam kujtime shumë të mira për mësuese Sherifen dhe këtë nuk e them për të gjithë… E kam dashur, sepse ajo kishte një mirësi që i lexohej në sy, një ëmbëlsi të rrallë që nuk e gjen lehtë tek njerëzit.  Kur na shpjegonte mësimin, bënte ç’është e mundur që ta kuptonim duke përdorur metoda të reja dhe duke u përpjekur që ne të arrinim rezultate sa më të mira në lëndën e saj.

Tani që shkruaj, mendimet më çojnë në vitet 1979-1980 kur ndiqja shkollën e Natës. Kishim një raport shumë të mirë mësuese-nxënëse. Mjafton të sjell këtu një fakt: Unë i përkisja botës së artit, këndoja nëpër festivale; kam bërë pjesë dhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Isuf Myzyri” e, megjithatë, e doja lëndën e Mercologjisë Ushqimore, pikërisht sepse atë na e jepte me dedikim e pasion mësuese Sherife Kurti.

Flora Peza Murrizaj:  Ka kaluar kohë që kur ndoqa Shkollën Ekonomike, në vitet 1983- 1988, por kujtimi për  mësuese Sherife Kurtin mbetet përherë i gjallë. Nuk do ta harroj kurrë sepse ajo ishte mësuesja më e mirë që kam patur në jetën time! E dashur, e respektuar, qëllimi i saj ishte që t’i transmetonte më të mirën çdo nxënësi që ulej në bankat e shkollës. Mua më jepte lëndën e kontabilitetit.

Ruaj përshtypjet më të mira, jo vetëm si mësuese, por edhe se, pavarësisht nga mosha, ajo më konsideronte e më trajtonte si shoqe.  Kishte besim tek unë dhe më inkurajonte pa u ndalur për pasionin që kisha  për t’u bërë parukiere.  Sot,  punoj në sallonin tim “Hair at the Lakes” në Las Vegas dhe ndihem e realizuar.  Nuk mund të mos e kujtoj mësuese Sheron me mall dhe mirënjohje për të gjithë mbështetjen që më dha. Më mungon shumë!

 

Libra kushtuar Sherife Kurtit (Mezini) të shkruara nga vajza e saj e madhe, poetja e shkrimtarja Irma Kurti, me banim në Itali:

“Puthja e fundit”

Një vit pas vdekjes së nënës, në 2007,  Irma  Kurti,  boton nën logon e Shtëpisë Botuese “Dudaj” librin e titulluar “Puthja e fundit”.  Në të përfshihen poezi kushtuar raportit me nënën, muajt e vështirë të sëmundjes, trishtimin dhe dhimbjen për fundin e afërt, grimca shprese dhe kujtime. Vargjet zbulojnë dashurinë e pafund  në marrëdhënien nënë – bijë, lidhjen e fortë që as vdekja s’mundet ta këpusë dot.

 “Midis dy brigjeve”

 Libër autobiografik i botuar në vitin 2010 në Tiranë. Irma Kurti përshkruan në detaje kujtimet e jetës familjare në Elbasan dhe më pas në Tiranë, deri në shpërnguljen në Itali, ku Sherife Kurti jetoi muajt e fundit të jetës. Poetja zbulon forcën, kurajën dhe optimizmin e  nënës gjatë kalvarit të sëmundjes, shtrimit në spital në Itali, humorin që nuk iu fik deri në çastet e fundit të jetës.

Në 2011, libri botohet në Itali nga Shtëpia Botuese “Kimerik” me titullin “Tra le due rive”. Vepra pëlqehet dhe vlerësohet nga kritika. Ajo nderohet me disa çmime të rëndësishme: Çmimi i parë në “Konkursin Letrar Ndërkombëtar Lago Gerundo, 2011” në Paullo, Milano, çmimi special “International University of Peace, 2012” në Konkursin “Europa” në Lugano të Zvicrës, çmimi i tretë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi” 2013, në Pontedera (Pisa) etj.

 Për librin “Midis dy brigjeve” autorja shkruan:

“Kur humba nënën, bashkë me të vdiq një pjesë e rëndësishme e shpirtit tim. Ajo për mua nuk ishte nëna, por shoqja. Ne ndamë së bashku ditët e netët pa dritë në Shqipëri, gëzimet, shqetësimet dhe brengat. Nëna më mësoi se si mund të kapërcehen vështirësitë e  jetës me optimizëm, se si mund të sfidohet vdekja me buzëqeshje.

‘Midis dy brigjeve’ më dha forcën për të ecur përpara dhe më mësoi ta njoh më mirë veten përballë dhimbjes më të madhe që kisha takuar deri atëherë. Ai mbetet homazhi më i bukur i dashurisë për nënën. Historia e tij vazhdon të ngjallë interes tek lexuesi italian dhe unë e di pse-në: çdo rresht i tij është i shkruar me lot shpirti.”

 

Foto:

 

Sherife dhe Hasan Kurti

Shkolla e Mesme Ekonomike, Elbasan 1974

Stafi i Shkollës së Natës.Elbasan, 1979

Stafi i Shkollës së Natës.Elbasan, 1980


Viti i parë i Shkollës Eknomike. Elbasan 1971