Shefqet Mehmetali Stringa

Shefqet Mehmetali Stringa

Shefqet Stringa lindi më 8 shtator 1896 në Elbasan,në një familje shumë të arsimuar. Arsimin fillor dhe qytetës e bëri në qytetin e tij,në Elbasan. Kur në Elbasan vazhdonte të kryente detyrën e prefektit të Elbasanit, Aqif Pashë Biçakçiu në vitin 1917/18,së bashku me nji kolonel austriak Zitkovski,dhuruan disa bursa për nji grup studentësh elbasanas,midis të tyre përfshirë dhe Shefqet Stringa. Kështu duke ndjekur traditën familjare,sepse dhe babai i tij kishte qenë financier i administratës turke gjatë regjimit otoman,vazhdoi studimet në Akademinë e Biznesit të Vjenës dhe mbron doktoraturën më 7 korrik 1922.
Shihet që gjatë studimeve në Austri, Shefqet Stringa ishte aktiv në organizatën studentore “Albania”, e themeluar në vitin 1918. Ai dha kontributin e tij në grupin e studentëve shqiptarë që i shkruan një letër Konferencës së Paqes në Paris,në vitin 1920. Shefqeti së bashku me nji grup studentësh të tjerë po në vitin 1920,kontribuan me kursimet e tyre për të ndihmuar studentë të tjerë të botonin revistën e parë shqiptare,”Djalëria”në Vjenë. Duke mbaruar me rezultate të mira,i sapo diplomuar ai punësohet në nji institucion të rëndësidhëm bankar austriak,siç ishte “Banka e Kredisë “në Vjenë, por dha dorëheqjen në 1923 dhe u kthye në atdhe. Nga prilli 1923 e deri në dhjetor 1924,ai punoi si përkthyes për këshilltarin financiar të Lidhjes së Kombeve,pranë Qeverisë shqiptare,kur Ahmet Zogu ishte Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme.Merr pjesë në lëvizjen e qershorit 1924,emigron për dy vjet e pastaj më 1926 kthehet,ku fillon punë si nënpunës banke në Durrës e më pas në Korçë.
Do të ishte Shefqet Stringa që në vitet 1930/33, bën përpjekje dhe themelon Agjensinë e parë bankare private në Elbasan. Në këto vite,ai u emërua drejtor i Dhomës së Biznesit për qytetin e Elbasanit. Pedagogia Florinka Gjevori në doktoraturën e saj,shkruan :”Sipas deklarimit të kryetarit të Odës në këtë kohë,Shefqet Stringa,nga viti 1932 e deri në këtë periudhë,viti 1936, ekzistonin shënimet përkatëse………”. Në nëntor 1939 Shefqet Stringa u emërua drejtor i degës së Elbasanit,i financuar nga Banka di Napoli. Këtë pozicion ai e mbajti deri në vitin 1946.
Me ardhjen e pushtetit komunist atij iu ofrua detyra e N/Drejtorit Ekzekutiv për Bankën e Shqipërisë,por ai e refuzoi. Ai kurrë nuk u pajtua me këtë pushtet. Po atë vit,atij dhe vëllezërve Stringa i shtetëzohen pasuritë me “Dekret nr. 67, datë 27.05.1946. Dekret-Ligj nr. 248 datë 27 Maj 1946 mbi shtetëzimin e ndërtesave private: hoteleve, banesave, dyqaneve, kafeneve dhe materialeve të tyre ….Shefqet Stringa e vëllazëria, Azmi Stringa e vëllazëria……..Gazeta Zyrtare Nr.50, E Martë 4 Qershor 1946”. Këto pikëpamje çuan në arrestimin e tij si i burgosur politik. Atij nuk iu dha e drejta për të paraqitur mbrojtje para gjykatës. Shefqet Stringa vdiq më 31 tetor 1947,gjatë hetimeve në hetuesi. Për kohën ai do të mbetet nji personalitet i shquar bankar,por dhe më gjërë. Shefqeti ishte një person me potenciale dhe një ekonomist mjaft i zoti që diti ta kryejë më së miri detyrën e tij,kudo ku punoi. Shefqeti kishte si tipar dallues personalitetin e përsosur dhe nji shpirt human.Kishte një traditë të admirueshme lidhur me familjen, për të ajo ishte gjithçka. Ai la gruan e tij dhe tre djem,të cilët trashëgojnë fisnikëri dhe emër të mirë në qytetin e tyre. Nji rrugë në qytet,sot mban emrin e tij.