“Në shtator të 1909 u mbajt një tjetër kongres arsimor në Elbasan, ku isha e ftuar të përfaqësoja shkollën pionere të Shqipërisë. Më 13 gusht, herët në mëngjes, u nisa drejt Elbasanit bashkë me vëllanë tim, Gjergjin, i cili ishte delegat i klubeve të Manastirit dhe Dibrës, si dhe me gjashtë përfaqësues të tjerë nga Selaniku. Çdonjëri në qytet dukej se mezi priste të shihte delegatët që ishin në udhëtim drejt Elbasanit.

Më tej në udhëtimin tonë pamë një pllajë të bukur, rrethuar e mbrojtur nga male që ngriheshin madhërishëm përreth saj.  Kjo kishte marrë prej turqve emrin ” Pllaja e tmerrshme”. Bukuria dhe madhështia e peisazhit na dha kënaqësi të madhe ndërsa e përshkruam atë.  Perëndimi i mrekullueshëm i diellit derdhte gjithë lavdinë dhe bukurinë e vet përmbi fshatin e Bërzeshtës ndërsa ne po i afroheshim atij. Perëndimet e Kostandinopojës janë të famshme për bukurinë e tyre dhe, nëse perëndimi i Bërzeshtës nuk ua kalonte , me siguri që ishte i barabartë me to. Bërzeshta është një fshat i shpërndarë dhe është e vërtetë të thuhet se shumica e fshatrave shqiptarë janë të tillë.

Ndërsa lamë Bërzeshtën në të majtën tonë, iu afruam lumit Shkumbin, i cili ndan Shqipërinë e Veriut dhe atë të Jugut. Meqë kisha dëgjuar që për kapërcimin e tij nganjëherë kuajve u duhej të notonin përmes ujrave të thella, nuk e fsheh këtu faktin se po ndjehesha shumë e pasigurtë. Një urë fort e madh ishte shkatërruar pas përmbysjes dy vite më parë dhe ende nuk ishte rindërtuar.

Ishte errur kur arritëm në Qukës. Zumë vend në më të voglin nga dy hanet pasi hani i madh ishte i tejmbushur. Këtu takuam edhe delegatët e Korçës. Peisazhi midis këtij hani dhe Elbasanit nuk mund të përshkruhet dot. Kam parë  diçka nga Zvicra e bukur, por kjo dukej që ia kalonte edhe asaj që kisha parë atje. Ndërsa sodisnim madhështinë e atyre malëve mahnitëse, pasi kishim kapërcyer Lumin Shkumbin, rruga për në Elbasan na u duk  edhe më e shkurtër. Në këtë pikë përmbi lumë gjendet  një urë e bukur romake, një mrekulli e vërtetë bukurie dhe force. U magjepsëm edhe me bukurinë delikate të Elbasanit  ndërsa po i afroheshim atij.

Fryma e unitetit dhe e dashurisë vëllazërore mes popullit të Elbasanit  mund të shihej qartë në fytyrat e tyre. Atë çfarë shkollimi i duhur kishte kryer për vendet e tjera, do ta kryente edhe për Elbasanin. Tani që dyert e mundësive janë të hapura kanat më kanat, vërtet që shpresoj se do ta përdorim këtë për ndriçimin e tyre.

Kam shkuar për vizitë në shumë shtëpi dhe pashë se ishin shtëpi shumë të thjeshta. Elbasani është një qytet tipik oriental, por njerëzit, nëse arsimoheshin vërtetë, mund ta bënin atë mjaft të bukur. Jeta e grave është shumë e kufizuar, si myslimanet, ashtu edhe të krishterat, mbulonin fytyrën me vel ndërsa ecnin në rrugë. Fola me disa nga burrat në lidhje me këtë dhe ata më siguruan se ky zakon do të hiqej tej ndërkohë që arsimimi përparonte.

Kongresi u mblodh tërësisht për interesa arsimorë dhe zgjati për tetë ditë. U diskutuan shumë probleme të rëndësishme kombëtare me synim përmirësimin e vendit. Mes gjithë çështjeve që u diskutuan, u vendos që të hapej një shkollë e madhe normale për të rinjtë e Elbasanit. Shuma e nevojshme për këtë u mor përsipër që të sigurohej vitin që pasonte. U gjetën mësues të shquar dhe të arsimuar mirë: shqiptarë tyë arsimuar nëpër universitetet e Europës. Në Kongres u vendos gjithashtu që Klubi i Manastirit të ishte qendra e federatës së klubeve në mbarë Shqipërinë si edhe e të gjitha klubeve shqiptare në vendete tjera. Korça u bë qendra financiare.”