Servet Zylfi lindi në Elbasan, në vitin 1883, në një familje të lidhur ngushtë me ndjenjat e forta atdhetare. Shtëpia e Zylfit ka hyrë në histori, sepse në këtë shtëpi janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në Elbasan.

Pas shpalljes së kushtetutës së “Hyrijetit”, në korrik të vitit 1908 dhe krijimit të grupit të parë kulturor “Bashkimi”,me nismën e Dervish Himës dhe bashkëpunëtorëve të tij u krijua klubi “Vllaznia”, i dyti i këtij lloj në qytet, mbledhja themeluese e të cilit u zhvillua pikërisht  në shtëpinë e Hysen e Servet Zylfit. Në këtë shtëpi, më 18 prill 1909 u mblodhën bejlerë, intelektualë, zanatçinj e tregtarë, të cilët shpallën krijimin e klubit.

Më 1 dhjetor të vitit 1909, në njëë nga eventet më të rëndësishme për kombin siç ishte hapja e Shkollës Normale, shtëpia e familjes Zylfi hapi dyert e saj për të mirëpritur arsimin e Normalen dhe ndërtesa e parë që përdori Normalja e Elbasanit, ku hapi siparin e dijes ishte pikërisht shtëpia e Zylfit. Madje në këtë shtëpi u akomoduan përkohësisht normalistët që vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.

Shëpia e Familjes Zylfi, Skicë.

Në qershor të vitit 1912, me krijimin e çetave vullnetare të armatosura, Servet Zylfi, Abdullah Tirana e Tasim Myftiu, ishin në krahinën e Shpatit për të propaganduar idenë e krijimit të çetës së Byshekut. Ndihmesë ato dhanë edhe në zhvillimin e tubimeve në fshatin Kryezjarth, ku u morën vendime të rëndësishme për përfaqësimin e popullit të Elbasanit nga Hasan Prishtina, në bisedimet me autoritete turke për autonomine e Shqipërisë.

Pas Shpalljes së Pavarësisë, Serveti angazhohet për sigurimin e jetesës së familjes, duke u marrë me tregëti , derisa nuk mund të punonte më fizikisht.

Servet Zylfi ndërron jetë në vitin 1943.