Saveta Mishto, mamia më e vjetër në Elbasan, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Saveta Mishto, mamia më e vjetër në Elbasan

Lindja e një njeriu është frut i fuqisë së Zotit. Por në lindjet që ndodhin, interesi i mamive është një detyrim për të lehtësuar këtë proçes të vështirë dhe jetik për nënën dhe fëmijën. Elbasani, si një qytet i vjetër, në gjysmën e parë të shekullit XX, ka njohur një grup mamish që kanë kontribuar në proçeset e lindjeve të nënave. Ndër to do të veçohet e përkushtuara Saveta Mishto, krahas shoqeve të saj bashkëudhëtare në jetë Safije Tollumi, Bukuri Muça, Irini Xhajanka, Afërdita Marku dhe Liri Gjeçka që u bënë pararendëset e këtij profesioni fisnik dhe jetësor.
Saveta (Elisabeta) Mishto (Sulkuqi) lindi në Elbasan, në lagjen Kala, në vitin 1905 në familjen e Spiro Sulkuqit (Donçi). Ka kryer shkollën 7 vjeçare në shkollën e vjetër në lagjes Kala, pranë Kishës “Shën maria” dhe pranë varrit të Kostandin Kristoforidhi.
Më pas ka qëndruar në shtëpi duke u marrë me punët shtëpiake si të gjitha femrat e lagjes.
Në vitin 1930 me bursën e shtetit të Mbretit Ahmet Zogu, ka shkuar në Itali për të kryer një kurs dy vjeçar për ndihmës mjeke – mami. Ka studiuar në qytetin e Barit dhe në vitin 1932 është kthyer në Elbasan.
Po në vitin 1932 ka filluar punë si mami pranë NënPrefekturës Qendrës Elbasan dhe ka asistuar në lindje në shumë familje të qytetit. Në këtë kohë është njohur dhe miqësuar me familje të mëdha të qytetit, ku ka asistuar në lindjen e fëmijëve të tyre si në familjen Vërlaci, Biçaku, Xhyra, Papajani, Bumçi, etj.
Në vitin 1935 është fejuar dhe një vit më pas është martuar me Tashku (Anastas) Mishto që ka studiuar për inxhinieri mekanik në Gjermani. Ai punonte inxhinier në fabrikën e duhanit të cigareve SAIDE në Elbasan. Nga kjo martesë kanë lindur dy fëmijë.
Ka punuar pa ndërprerje si mami e qytetit, nga viti 1932 dhe ka vazhduar edhe pas daljes në pension, deri në vitin 1966, kur i vdiq vajza e saj Drita.
Gjatë kohës, pas luftës me hapjen e shtëpisë së lindjes (maternitetit) rreth viteve 1948-1949, ka punuar mami. Fillimisht materniteti është hapur në ndërtesën në lagjen Shënkoll, pranë shtëpisë së Çim Myrteza Xhyrës (përpara pak vitesh kjo banesë dykatëshe është djegur). Më pas materniteti ka kaluar në ish ndërtesën e italianëve po në atë lagjen ku më pas, me ndërtimin e maternitetit të ri pranë gjykatës kaloi në degën ushtarake.
Për shumë vite ka punuar me mjekët e nderuar të qytetit dr. Kapshticën, dr. Xhomën, dr. Kokoboba, dr. Mexhit Krujën, dr. Kasem Dylgjerin, etj.
Për punën e saj Saveta është dekoruar me “Urdhërin e Punës” Klasi Dytë dhe të Tretë. Gjatë jatës së saj Saveta ka qenë e respektuar dhe ka patur marrëdhënie shumë të mira me njerëzit që ka njohur, në lagje e kudo, veçanërisht me shoqet e saj të punës Liri Sulkuqi, Safije Tollumi, Liri Gjeçka, Athina Marku, Rea Papajani (doktoresha e parë gjinekologe).
Ndrroi jetë më 25 prill 1982. Në ceremoninë e përcjelljes,dr. Kasem Dylgjeri, (në atë kohë drejtor i maternitetit) është shprehur për figurën dhe punën e kësaj gruaje të përkushtuar në profesionin fisnik të mamisë.
Më 2010 Këshilli Bashkiak i vuri emrin “Saveta Mishto” rrugës ku lindi dhe jetoi, nga burgu i vjetër deri te Kisha në Kala.

Shoqet e lagjes Kala, Saveta Mishto dhe Ana Popa, Elbasan 1936, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Shoqet e lagjes Kala, Saveta Mishto dhe Ana Popa, Elbasan 1936

Bashkëshortët Saveta dhe Tashku Mishto, pas martese, Elbasan 1936, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Bashkëshortët Saveta dhe Tashku Mishto, pas martese, Elbasan 1936