Salih Çeka lindi në qytetin e Filatit të Çamërisë më 20 gusht 1892, në një familje atdhetarësh. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës më 1911. Duke përfituar nga bursat për studime që jepte Perandoria Osmane për nxënësit e shkëlqyer në mësime, më 1913 kreu Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Bizansonit në Francë.

Aktiviteti i Salih Iljaz Çekës është përqendruar në Elbasan, “kryeqytetin i arsimit mbarëkombëtar”. Në këtë qytet, biri i Çamërisë do të gjente jo vetëm strehën e punës, por edhe të familjes së tij, një nga familjet e nderuara elbasanase, ajo e Dedejve.

95 vite më parë ky personalitet i arsimit ishte jo vetëm profesor i Normales, por edhe  pjesë e këshillit të profesorëve të saj. Kur u kthye nga Bizansoni i Francës, ku edhe mbaroi studimet e larta, ai u bë drejtori i saj me një dimension shumëplanësh.

Salih Çeka në kohën e tij krijoi dhe udhëhoqi për disa numra “Revistën Pedagogjike”, me një një revistë kjo me një nivel të lartë shkencor, më e mira e arsimit për gati një shekull.

Duke qenë se nuk ishte thjesht një mësues me një shkollë të lartë, në korrik 1913 vihet në dispozicion të Qeverisë Kombëtare të Vlorës, që më vonë do të bëhej edhe përfaqësues i partisë së kohës “As i Pashë e as i Beut”, me një veprimtari të gjerë demokratike.

Salih Çeka i preku të gjitha nivelet e drejtuesit të arsimit, si profesor e drejtor i Normales, si drejtor e inspektor i arsimit në Berat (1916), si sekretar i kryesisë së kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës më 1920, edhe si Anëtar i Komisisë Arsimore më 1920, por edhe si kryeinspektor i arsimit në Elbasan më 1922, si inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Elbasan më 1922 e deri inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë më 1923.

Salih  Çeka ka marrë pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Ai shkoi në Kuvendin e Lushnjes si deputet, përfaqësues i Sulovës dhe i Dumresë dhe u zgjodh kryetar i Kabinetit. Në detyrën e zgjedhur u mor me organizim, drejtim, gjithçka që kishte të bënte me programin, zbatimin e tij dhe mbarëvajtjen e punëve si dhe me dokumentacionin e Kuvendit të Lushnjës. Kultura e tij energjike, vendosmëria për të çuar objektivat deri në realizimin e tyre, e ngritën figurën e tij në nivelin më të lartë si pjesë e pandarë e suksesit të kësaj ngjarjeje madhështore të historisë sonë mbarëkombëtare.

Pikpamjet e tij politike e shoqërore ai i shpalosi në gazetën “Ku vemi ?”, të cilën e drejtoi dhe e botoi vetë, nga numri i parë i sa,j më 12 janar 1924 e deri në nr. 20, më 19 tetor 1924, duke dëshmuar për aftësitë e tij publicistike dhe politike, demokratike dhe arsimore.

Për të gjithë atdhetarët shqiptarë që e nisën shekullin XX me një mesazh të madh që dha Pavarësia e Shqipërisë, në panteonin e njërëzve që erdhën nga Perëndimi Europian dhe që shkollimin e tyre e kthyen në një mision për t’i shërbyer kombit, futet edhe Salih Çeka, biri i Çamërisë dhe elbasanasi, sepse ky burrë kishte vlerat e vërteta të mbledhura bashkë.

Salih Iljaz Çeka që e lindi Filati i tij i dashur tek i cili vinte herë pas here fshehurazi gjithnjë për të dhënë kontribute për arsimimin e fëmijëve çamë, sipas dëshmisë së babait tim, që në atë kohë ishte fëmijë dhe dëgjonte nga xhaxhai i tij bisedat që bëheshin në shtëpinë tonë në Filat.

Për të gjithë aktivitetin e tij derisa u vra nga forcat obskurantiste të kohës më 1 shkurt 1925, Salih Çeka ka merituar kohë pas kohe edhe titullin “Mësues i Popullit”, edhe është titulluar “Dëshmor i Atdheut”, është shpallur edhe ”Qytetar Nderi” i Qarkut e Bashkisë Elbasan. Memoriali i tij ndodhet sot në Selvias të Mollasit, në një fshat të Elbasanit, duke e memorizuar personalitetin e tij në mermerin e bardhë të kombit dhe arsimit kombëtar.

Emri i Salih Çekës na kujton potencialitetin e një atdhetari, të një dëshmori të kombit, i një “Mësuesi të Popullit”, të një “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Ai ishte biri i Çamërisë, emrin e të cilit e mban sot një shkollë e mesme profesionale në Elbasan.