Shkruar nga MSC.  Manjola Hatellari

Biblioteka Publike Elbasan

Lindi më 20 gusht të vitit 1892, në Filat të Çamërisë, në një familje atdhetarësh. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës më 1911-1913. Duke përfituar nga bursat për studime që jepte Perandoria Osmane për nxënësit e shkëlqyer në mësime, kreu Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Bezansonit të Francës.

Si tërë rilindësit tanë të shquar, edhe atdhetarët çamë luftën për liri e pavarësi, në gjysmën e dytë të shek 19-të e në fillim të shek. 20-të, nuk e ndanë nga lufta për gjuhën dhe për shkollën kombëtare. Në këtë plejadë bën pjesë dhe Salih Çeka.”- shkruan S. Dedej ne librin e tij Salih Çeka, f. 5.

Sapo zbriti në tokën amtare, menjëherë pas studimeve të vitit 1913, S. Çeka u drejtua për në zyrat e qeverisë, kërkoi ministrin e arsimit të kohës z. Luigj Gurakuqin. Dhe kjo nuk ishte e rastit. Si një atdhetar i devotshëm, ai mendonte gjithmonë për çështjen e zgjimit kombëtar që ishte e lidhur ngushtë me mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Që kur ishte student ka punuar si korrespodent i gazetës “Korça”, ku në faqet e saj shkroi për shkollën Normale që e drejtonte me aftësi e guxim L. Gurakuqi. Pas bisedës me Gurakuqin, në korrik të 1913 vihet në dispozicion të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Më 27 shtator emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, ku u shqua për përgatitje të mirë shkencore, për aftësi të veçanta si mësimdhënës dhe për ndërgjegje e pasion të lartë në kryerjen e detyrës. Që nga ajo kohë ai kryen detyra të rëndësishme, si drejtor dhe inspektor i arsimit në Berat (1916), mësues në Normale (1917), sekretar në kryesi të kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes (1920), anëtar i Komisisë arsimore (1920), drejtor i shkollës Normale (1921), kryeinspektor i arsimit në Elbasan (1922) dhe inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Elbasan (1922) etj.

Por shqetësimi dhe preokupacioni i Salih Çekës nuk mbyllej vetëm në fushën e arsimit. Shkrimet e tij në shtypin e kohës ndjekin njëri-tjetrin. Në këto shkrime trajtohen problemet për zhvillimin e arsimit, për çështjen kombëtare, për kulturën. Kontributi i S. Çekës në këto fusha ka qenë mjaft i vyer. “Parimet bazë të ndërtimit të shkollës së re shqiptare ai i ka shprehur në “Revistën Pedagogjike”, të cilën ai e drejtoi nga numri i parë shtator 1922 deri në nr. 11, korrik 1923. Luftoi që arsimi fillor të ishte i detyrueshëm e të drejtohej nga shteti…” në Elbasani-Enciklopedi, f. 99. Dhe në fushën e kultures spikat kontributi i S. Çekës në punën për grumbullimin e vlerave të krijimtarisë folklorike, letrare e asaj gjuhësore të popullit, si dhe ngritjen e institucioneve dhe organeve të shtypit për botimet e tyre. Më 1918, në Elbasan ngrihet shtypshkronja e parë dhe lajmin për përfundimin e saj e jep S. Çeka.

Pikëpamjet politike e shoqërore të S. Çekës në periudhën 1920-1924, kanë qenë tejet demokratike. Në këtë periudhë, Elbasani, karakterizohet nga një luftë klasore ndërmjet dy grupimeve të rëndësishme politike si ai i “Pleqsorëve”, që përfaqësonte interesat e feudalëve të mëdhenj, si Shefqet Vërlaci etj, dhe grupi i “Popullorëve” që shprehte interesat e borgjezisë së re dhe të intelektualëve atdhetarë. Në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 1923 diferencimi klasor u bë mjaft i mprehtë. Në këtë situate të ashpër të luftës klasore u krijua në Elbasan grupi politik “As i pashës as i beut”. Nën ndikimin e atdhetarëve të shquar si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka etj, ky grup doli me një platformë të pavarur politike, e cila shquhej për tendenca të mprehta demokratike dhe në shkallë kombëtare. Ky grup ishte për përfaqësimin e mendimit të popullit, të vegjëlisë dhe jo të pashës e të beut.  Në programin e këtij grupimi politik kërkohej edhe sigurimi i sovranitetit të popullit me parlament kombëtar, zgjedhjet të ishin të drejtpërdrejta dhe të fshehta, të garantohej me ligj liria e fjalës e shtypit, heqja e sistemit të taksave të rënda mbi popullsinë etj. Në këtë frymë përparimtare me karakter demokratik të këtij grupimi një meritë të veçantë ka dhe S. Çeka si një nga anëtarët më aktive të këtij grupimi. Qëndrimin e tij si antifeudal konsekuent ai e ka shprehur gjatë gjithë jetës, por në mënyrë të veçantë gjatë viteve 1923-1924. Kjo duket dhe nga shkrimet e tij publicistike në organet e ndryshme të kohës. Majat e zhvillimit të tij publicistik S. Çeka i arriti me botimin e gazetës “Ku vemi”, të cilën e botoi dhe drejtoi vetë nga numri i parë i saj më 12 janar 1924 deri në nr, 20 më 19 tetor 1924. Disa nga problemet më shetësuese që pasqyronte kjo gazetë ishin: bashkimi i kombit dhe ruajtja e pavarësisë së atdheut; demaskimi i sistemit dhe i pushtetit të diktatorisë personale; problemet ekonomiko-shoqërore etj. Shumica e artikujve mbanin firmën e S. Çekës. Kjo gazette mbajti anën e forcave demokratike që realizuan Lëvizjen e Qershorit 1924 dhe mbështetën luftën e tyre për çrrënjosjen e  mbeturinave të feudalizmit.U rendit ndër gazetat më përparimtare të kohës të cilat luftuan për demokratizimin e arsimit dhe më gjërë…

Më 1 shkurt të vitit 1925,  në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës të Elbasanit u vra nga reaksioni feudal.

 

Literatura:

  1. Dedej, Sulë: Salih Çeka.- Tiranë: 8 Nentori,1989
  2. Elbasani-Enciklopedi.- Elbasan; Sejko, 2004