Visarion Xhuvani ka lindur më një maj të vitit 1887 në Lagjen Kala, të Elbasanit. Prindërit e tij Jovan dhe Eftimi Xhuvani patën katër djem: Petrin (Visarionin), Vladimirin, Kostaqin dhe Prokopin. Jovani vdiq herët, kështu që me rritjen dhe edukimin e fëmijëve u mor e ëma, Eftimia. Në atë kohë Eftimia bëri të pamundurën që djalin e madh, Petrin (Visarionin) ta arsimonte dhe më pas t’ia kushtonte kishës. Djalin e dytë Vladimirin, e pajtoi çirak tek një këpucar. Të tretin, Kostaqin e futi në një kurs për mësues, që patën hapur austriakët në atë kohë. Djalin e vogël, Prokopin e dërgoi për të studiuar në Austri. Eftimia ishte një nënë e dhembshur dhe më shumë mund e sakrifica mundi ti arsimonte fëmijët dhe ti bënte të vlefshëm për jetën e tyre dhe për kombin. Duhet theksuar se Eftimia kishte lidhje fisnore me Kostandin Kristoforidhin. Në formimin e karakterit të Petrit (Visarionit) ndikoi shkolla e lagjes Dryni Kala. Me ndërhyrjen e dhespot Visarit plak, më 1906 Petri (Visarioni) iu regjistrua në shkollën e mesme kishtare “Rizario” të Athinës. Në vitet 1911-1914 ndoqi studimet e larta për Teologji në Universitetin “Kapodistria” të Athinës. Më pas vijoi me studimet pasuniversitare, në përfundim të të cilave mori titullin “Doktor” dhe në vitin 1918 u emërua Lektor në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës. Po këtë vit dorëzohet në gradën priftërore nga Mitropoliti Jakov dhe pas një viti filloi punën misionare duke shkuar në Sofje të Bullgarisë. Më 1919 gjendet misionar Rumani për të organizuar komunitetin shqiptar. Gjatë predikimeve të tij, kleriku Visarion përpiqej që të ngjallte ndjenjën e  patriotizmit dhe të autoqefalisë. Në 29 nëntor të vitit 1919 Visarioni mori ofiqin e Arkimandritit.

Nga e majta lart :

Fig.1 Kryepeshkop Visarion Xhuvani (1887-1965)

Fig.2 Prindërit dhe vëllai i Visarion Xhuvanit. Nga e djathta në të majtë: Eftimi Xhuvani (nëna e Visarionit), Kostaq Xhuvani (vëllai i Visarionit), Jovan Xhuvani (babai i Visarionit).

Fig.3 Rrethi familjar i Visarion Xhuvanit

Fig.4 Ceremonia e varrimit të nënës së Visarion Xhuvanit.

Klikoni në foto për ti parë në përmasat reale.