Në kujtim të futbollistit, mësuesit dhe njeriut të dashur.

Nga Hyqmet Zane

“Jeta nuk është aq e gjatë sa ç’e mendojmë, por as edhe aq e shkurtër sa e bëjnë disa”, – më tha një ditë me qesëndi mësuesi dhe futbollisti i talentuar elbasanas Riza Luniku, duke folur për momentet më të rëndësishme të jetës së tij. Me Dajë Rizanë, siç e thërrisnin të gjithë, mund të bëje biseda të gjata, se ai kishte se ç’të thoshte nga jeta e tij. Them kështu se tashmë Riza Luniku ka ndërruar jetë para 12 vjetësh dhe në moshën 80 vjeçare ai u bë një simbol i njeriut që i merrte shtruar gjërat, ishte dëshmitari i shumë ngjarjeve dhe një pjesmarrës në disa nga etapat e jetës shqiptare.

Më ka mbetur në mendje ajo ditë, kur bashkë me Dajë Rizanë u takuam dhe folëm gjatë përbri monumentit të Aqif Pashë Biçakçiut. Më kishin thënë se ai ishte një nga dëshmitarët që kishte parë të vrarë Qemal Stafën, ndaj dhe doja ta dëgjoja drejtpërdrejt nga goja e tij.

Ishte rreth 17 vjeç në atë kohë kur vazhdonte shkollën e Medresesë në Tiranë –  “Ishim duke luajtur futboll te fusha e Medresesë, se e pëlqeja shumë futbollin, – e nisi bisedën Dajë Rizai, – kur erdhën fillimisht disa civilë dhe qëndruan aty para Medresesë, kur mas pak erdhën edhe disa makina me ushtarë italianë që bërtisnin. U rrethu vendi. Nga prapa shtëpisë në afërsi të Medresesë pamë që dolën dy gra dhe një burrë që po i mbulonte me të shtime duke qëlluar në drejtim të ushtarëve italianë. Pasi i largoi të dy femrat që ishin me të, iku vetë në krah të kundërt në drejtim të lumit. Duket se qe duke dashë me djeg disa letra që kishte me vete, por që shkrepsja nuk i ndezi, duket se i ishin lag në ujë. Aty mori një plumb. Ma pas e pamë një trup njeriu që ishte mbulu me gjethe arre hypur mbi një karrocë me rrota të mëdha qerreje. Ne e pamë si ngjarje, por nuk e dinim se ishte Qemal Stafa, që ne njifshim si njeri të madh të komunistëve.

Po unë duke dit se në Elbasan kishte edhe dy Qemal Stafa të tjerë dhe njeri ishte pak si i metë nga trutë, thashë me vete se “ç’ne duhej me e vra një njeri të tillë, ai s’bante asgja”, por e mora vesh ma vonë se ishte fjala për Qemal Stafën e dëgjum”. Kështu e kujtonte Dajë Rizai atë ditë të 5 majit 1942, duke qenë njëherazi edhe dëshmitari i fundit, ndoshta që ka parë atë përpjekje të njeriut që vdiq si hero me të cilin kishte edhe një lidhje farefisnore. Por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se këtë ngjarje Dajë Rizai e tregoi vetëm në kohën e demokracisë se i ruhej të fliste të tilla ndodhi se kushedi se si ia merrnin, siç thoshte edhe vetë, duke qenë se xhaxhai i tij, Zija Luniku, ishte vrarë nga diktatura komuniste në vitin 1946 dhe për çudi, kur njerit nga djemëve ai ia vuri emrin Zija, e detyruan ta ndërronte që të mos kujtohej emri i intelektualit dhe avokatit të mirënjohur Zija Luniku, duke ia ndryshuar në Dashamir.

Pak nga jeta e Riza Lunikut

Riza Luniku është djali i mësuesit të parë të Normales, Shaqir Lunikut, një familje e mesme qytetare e besimit të shehlerëve të vjetër elbasanas. Pas Medresesë, Dajë Rizai vazhdoi dhe mbaroi shkollën Normale. Karriera e tij si mësues ishte e shkëlqyer, kujtojnë kolegët, se “ai ishte shumë pasionant. Kjo bëri që ai të mbaronte edhe shkollën e lartë të Institutit të Fiskulturës në vitin 1968 (me korrespondencë) dhe do të bëhej shembulli i mësuesit të përkushtuar”. Djemtë e dajë Rizait, Shaqiri, Hyqmeti, Dashamiri dhe motra Mili flasin me një ndjesi të veçantë për babanë e tyre, që u bë “Qytetar i Nderuar” i Elbasanit dhe që në karrierën e tij kishte edhe titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Është ky moment që të themi se Riza Luniku ishte dhe një nga futbollistët e viteve ’40 – ’50 që vuri emrin e tij në panteonin e nderit të futbollistëve elbasanas.

Kështu studiuesi i sportit elbasanas, Dhimitër Bardhi që ka bërë edhe disa libra për llojet e ndryshme të sportit në shekullin XX në Elbasan, shkruan se “Rizai ishte mjeshtër i lojës, i zgjuar dhe energjik. Karakterizohej nga shpirti i kolektivitetit në lojë. Nuk vinte unin e tij, si një gjysmësulmues i aftë, por vinte interesat e skuadrës. Rizai ishte shpirti i sakrificës. Janë këto cilësi dalluese të veçanta që e bënin futbollistin Luniku të fitonte simpatinë e shokëve dhe sportdashësve, sepse është ky futbollist që nuk u nda nga futbolli as për arsye moshe”. Duke vazhduar rrjedhën e mendimeve të tij dhe të kujtesës për një personazh të veçantë në botën e futbollit elbasanas, Dhimitër Bardhi, njeriu që i kishte vënë detyrë vetes që të bëhet enciklopedisti i sporteve në Elbasan me botimet e tij të mrekullueshme për të gjithë shekullin XX, pohon me respekt se “Riza Luniku u kthye në një trajner i mrekullueshëm dhe me vlera të veçanta në përgatitjen e brezave të ardhshëm të futbollistëve, jo vetëm si një mësues fiskulture profesionist, por në bashkëpunim edhe me mjeshtrin tjetër të futbollit, të madhin Shefqet Lamçja, u kthyen në mit për përgatitjen e trashëgimtarëve që i dhanë emër “Labinotit” të Ebasanit”. Ky mësues fiskulture, ndër më të respektuarit e qytetit, që gëzonte respektin e padiskutueshëm të kolegëve, ia kushtoi gjithë jetën kësaj dege deri sa doli në pension në vitin 1981.

Duhet veçuar fakti që familja e Riza Lunikut është nga ato familje elbasanase që me ndjesitë e edukimit atdhetar dhe me dashurinë për kombin, u bënë streha e familjeve çame që u shpërngulën me zjarr dhe me hekur nga bandat shoviniste të antishqiptarizmit grek me në krye Napoleon Zervën. Ishte viti 1946, kur dhjetra familje çame nga rrethinat e Filatit të Çamërisë që trokitën dhe gjetën derën e hapur të elbasanasve. Shtëpitë e banorëve të këtij qyteti u bënë edhe streha e banorëve të rinj nga Çamëria që e dinin se ku binte Elbasani dhe kërkonin të vinin në këtë qytet, se e njihnin sapunin e mëndafshtë të këtij qyteti, ashtu siç adhuronin mësuesit e Normales së famshme, ku edhe u përgatitën edhe mësuesit shqiptarë të Çamërisë. Dera e Lunikësve u kthye në një derë e madhe bujare, e veçantë dhe mikpritëse, pa iu trembur syri nga mysafirët e shumtë dhe pa e prishur asnjëherë zemrën. Këto i ka kujtuar me një respekt të veçantë edhe Zenel Isa nga Galbaqi i Çamërisë, kur shprehej se “Aty tek Lunikësit gjeta vëllain tim shqiptar. Pikërisht aty edhe u martova dhe linda fëmijët e mij i shoqëruar gjithnjë nga dashuria e vëllezërve të mij elbasanas të familjes së Riza Lunikut. Ishte një familje babaxhane, e urtë dhe tepër mikpritëse që, jo vetëm se na hapi derën në ato kushte që i gjithë vendi kishte dalë nga lufta, por na dhanë mundësinë që të gjenim veten dhe të nisnim një jetë të re, edhe pse larg vatanit tonë të cilin e lamë me dhembje”. Djali i madh i Dajë Rizait shprehet për këtë rast se “Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vjet që familjet çame ikën nga shtëpia jonë, sa herë që unë i shoh apo shkëmbehem në rrugë me të gjithë fëmijët e këtyre familjeve, i quaj dhe i ndjej si njerëzit e mij të afërt”.
Një model i respektit të ndërsjelltë është edhe lidhja e Dajë Rizait me kunatin e tij, Mal Çerragën, tashmë i moshuar, i cili e ka ndjerë humbjen e burrit të motrës së tij, kur shprehej se “kam kujtime të pafundme, luanim të dy, ai në futboll dhe unë në basketboll. I dhashë motrën dhe e bëra pjestar të familjes, duke qenë se kisha të bëja me një familje të vjetër elbasanase e nderuar dhe më emër. Kush nuk e respektonte Rizanë, se ishte me zemër të madhe, i urtë dhe edukator. Për shumë dekada që e njoh këtë njeri, nuk mund të besohet që s’kam ndërruar një herë dy fjalë me të, duke m’u bërë si vëlla i madh dhe nuk gjej fjalë që të shprehem se sa respekt kam pasur për këtë njeri të veçantë edhe në jetën time, se Rizai dinte ta kthente çdo moment në një atmosferë gazmore, se vetë ai ishte njeri paqësor”.

Ky njeri nga një familje e madhe me emër, që pati aq shumë persekutime për shkak të pushkatimit politik të xhaxhait Zija Luniku me gjyqet e famshme të vitit 1946 të shtetit komunist në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë, bëri që asnjë nga fëmijet të mos merrte të drejtën për studime të larta, veç vajza e tij Mili, do të fitonte të drejtën e traditës së babait të saj duke u bërë mësuese fiskulture. Edhe pse vetë Dajë Rizai mori pjesë aktive në luftën antifashiste si korrier i Brigadës 17, vetëm me rastin e 60 vjetorit të Çlirimit do të nderohej si veteran i kësaj lufte.