Riza Kotherja me të birin Hysenin, në vitin 1936

Riza Kotherja me të birin Hysenin, në vitin 1936

Në Historinë e mjekësisë në Elbasan një vend të veçantë zënë edhe infermierët. Riza Kotherja është nga infermierët e vjetër në Elbasan. Lindi në vitin 1902 dhe ndërroi jetë në vitin 1962.Nga një bisedë me vajzën e tij Liliana (Gjevori) arritëm të mësojmë se Rizai mbeti jetim rreth moshës 14 vjeç, kur babai i tij Qazim Kotherja ndërroi jetë dhe mbështetje për djalin e vogël u bë miku i tij, mjeku i mirënjohur Petraq Popa (vëllai i Miri Popa dhe xhaxhai i Ylli Popa).

Petraq Popa, mjek patolog, e mbante me vete Rizain dhe e çoi tek spitali ushtarak që ndodhej në Krastë, ku në atë kohë shërbenin mjekë anglezë dhe austriakë, që e hapën këtë spital gjatë Luftës I Botërore.

Me kërkesën dhe interesimin e tij, duke qëndruar në këtë spital, Rizai bëri edhe ushtrinë atje dhe njëherazi shërbente edhe si ndihmës – infermier në shërbim të doktor Petraqit dhe të mjekëve të tjerë. Pikërisht këtu mori njohuritë e para si infermier..

Në moshën 22 vjeçare, rreth vitit 1924, duke vlerësuar aftësitë e Rizait, doktor Petraqi e çon atë në Itali për të studiuar në një shkollë të specializuar ku u diplomua si ndihmës – mjek.

Ai iu përkushtua këtij zanati gjatë gjithë jetës së tij, duke fituar njohuri nga mjekët e ndryshëm dhe duke u shërbyer me përkushtim qytetarëve. Vajtja shtëpi më shtëpi e këtij infermieri ndihmës – mjek, e bëri atë të njohur si njeri.  Ishte i pranishëm gjithnjë pranë mjekëve kirurgë, sepse vëmendja që ai tregonte në punë spikaste tek kirurgët që donin t’a kishin gjithnjë pranë vetes.

Deri në kohën e luftës punoi si infermier në këtë spital në Krastë, ku shërbeu edhe gjatë kohës së luftës.

Më pas ai kalon tek spitali i parë, që ndodhej në hyrje të rrugës, poshtë lagjes “Namazgja”, në të ashtquajturën “Ndërtesa e Narazanëve”.

Pjesa tjetër e punës së tij ishte në spitalin e ri të asaj kohe, përtej shinave të trenit, që më pas u bë maternitet, aty  ku sot ndodhet Drejtoria e Bujqësisë.

Edhe pse ai mbushi moshën e pensionit atë nuk e lanë të dilte në pension. Punoi edhe 5 vite më pas, deri sa u sëmur. Pas 4 muajve ai ndërroi jetë.

Vetëm një nga fëmijët e Riza Kotheres u bë mjek Patolog – Baki Kotherja.

Gjithë jeta e tij ishte në shërbim të mjekësisë, të njerëzve, me konceptin e parimin “Nuk ka ditë, nuk ka natë, nuk ka të varfër, nuk ka të pasur, nuk ka të bardhë, nuk ka të zinj” që ishte edhe Betimi i Hipokratit.

E bija e tij Liliana Kotherja (Gjevori) shprehet se Dr. Reshat Kapshtica kur futej në operacion, nuk e niste atë pa qenë i pranishëm infermieri Riza Kotherja. Po kështu bënte edhe Kol Papajani. Vajza e tij tregon se ka patur raste kur një pacienti i thuhej se do të priste këmbët, ai nuk binte dakort dhe i bënte mjekime speciale pacientit, duke ia shpëtuar këmbën. Janë shumë raste të tilla që njerëz të ndryshëm kanë gjetur shpëtim nga mjekimet dhe këshillat e ndihmës – mjekut Riza Kotherja.

Gjatë kohës që ai ka qenë infermier ka punuar me kolegë të tjerë, nga të cilët përmendim: Isak Shehu, Ahmet Hoxholli, Makbule Pila, Diana Kapazi (Kapshtica, mbesa e doktor Kapshticës), Sadik Jazxhiu, Afërdita Nikolla (infermiere e vjetër që sot ka një vajzë mjeke). Një nga bashkëpunëtorët e Rizait ka qenë edhe Mukin Koçi laborant i Rontgenit (Radioskopisë), që ishte bashkë me të shoqen Lutfije Hajdari, edhe kjo infermiere që ka mbaruar shkollën në Itali.