Ramadan Shingjini ose Dani, siç e thërrisnin dhe e kujtojnë edhe sot familjarët e miqtë, ishte njeriu që i dha shumë nga talenti i tij, teatrit të kukullave të qytetit të Elbasanit. Ai bëri një “revolucion” të vërtetë në zhvillimin e këtij zhanri kaq të dashur për fëmijët e të gjitha moshave.

Fillimisht si instruktor në shtëpinë e pionerëve, ai njohu nga afër thellësinë e botën e të vegjëlve. Ramadani u afrua në teatrin e kukullave të teatrit “Skampa” që në kohën kur drejtohej nga regjizori i njohur dhe i përkushtuar Hasan Hoxha. Aty ai gjeti edhe aktorin e njëkohësisht asistent regjizorin Anastas Xhuvani, duke krijuar një trinom artistik, që për shumë vite së bashku bënë që teatri i kukullave në Elbasan të arrijë majat më të larta artistike.

Dani kur filloi punë si mjeshtër kukullash, aktorët punonin me kukulla prej kartoni, që vinin të gatëshme nga Tirana dhe ishin standarte për çdo teatër kukullash në Shqipëri. Menjëherë i lindi idea që të bënte kukulla plastike. Me aftësitë e tij si skulptor Dani modeloi kukulla sipas personazheve të pjesës që vihej në skenë, gjë që ndodhte e bëhej për herë të parë në llojin e këtij zhanri.

Me bagazhin, intelektin e talentin që e karakterizonte ai solli risi në skenën e teatrit të kukullave të qytetit tonë. Ato nuk ishin më amorfe, por morën jetë. Mekanizmat e Danit brenda kukullave funksionon si fizarmonikë. Në vitin 1974 teatri i kukullave i Elbasanit bashkëpunon me kinostudion “Shqipëria e Re” duke lënë filmin e parë artistik me kukulla “Vajza me pata” shkruar nga Astrit Bishqemi dhe me muzikë të Alfons Balliçit. Mjeshtëria e Ramadanit në krijimin e kukullave edhe në këtë film binte në sy.

Ky ishte një sukses i madh në nivel kombëtar i teatrit tonë të kukullave. Por Dani nuk u mjaftua me kaq. Idetë e tij shkonin më tej, ai krijon kukullën mekanike, falë aftësive të tij profesionale dhe duarartë. Kjo kukull i varej aktorit në gjoks, duke e shpëtuar aktorin sepse ia linte duart e lira, që komunikimi të ishte më i natyrshëm, që fëmijët të besonin se kukulla lëviz njëlloj si njerëzit. Dani përdori mekanizma të tilla novatore, që kukulla të lëvizte kokën majtas – djathtas, të hapte e të mbyllte sytë, të hapte e të mbyllte gojën edhe bashkë me lëvizjen e duarve të krijonte përshtypjen e një personazhi të gjallë. Por arritja më e madhe e Danit ishte krijimi i marionetës mekanike, sepse njihej vetëm marioneta klasike, që aktori e punonte me anën e fijeve të mbajtura nga gishtërinjtë.

Kjo marionetë ishte e para në llojin e saj në vendin tonë. Kjo marionetë – kukull me anën e një mekanizmi, ecte në skenë dhe jo të rrinte si marioneta klasike në ajër. Me mekanizmat të tjerë lehtësisht aktori lëvizte me anë të gishtave sytë, gojën, duart, këmbët duke krijuar një instrument funksional e të gjallë, jetësor dhe shumë të komunikueshëm me spektatorin e vogël dhe pse jo edhe me më të rriturin që shoqëronin të vegjëlit.

Skenografitë e Danit në Teatrin e Kukullave ishin ndryshe nga ato paraardhëse, ishin të thjeshta, jetësore dhe funksionale, por duke qenë edhe njohës i mirë i ngjyrave dhe dritës, i vuri ato në shërbim të shfaqjeve duke sjellë risi moderne në skenografi të ndryshme në Teatrin e  Kukullave Elbasan.

Në sajë të punës së tij novatore, të përpjekjeve të palodhura të trupës së aktorëve të apasionuar dhe drejtimit me art të regjizorit Hasan Hoxha, teatri i kukullave arriti të fitojë çmime të para në takime e festivale kombëtare, si “Vajza me pata”, “Kalorësi i Skëndërbeut”, etj.