Qemal Karaosmani lindi në Elbasan, më 17 korrik 1875. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa atoo të mesme i ndoqi në Stamboll për Administratë Civile. Punoi në Prefekturën e Janinës dhe në Kadastrën e Beratit si drejtor i saj.

Në vitin 1908 ishte i ftuar në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 ishte një nga organizatorët e Kongresit të Elbasanit. Bashkëpunoi me Lef Nosin, Aqif Pashë Biçakçiun, Ahmed Daklin etj. Dha ndihmesë të madhe për zhvillimin e arsimit shqip, sidomos në Elbasan e Berat.

Në Kuvendin e Vlorës (28 Nëntor – 7 dhjetor 1912)ishte delegat i ELbasanit, ndër firmëtarët e aktit të pavarësisë, ku ka nënshkruar si Qemal Elbasani. Në qeverinë e Ismail Qemalit ka qenë kryesekretar i saj. Në nëntor 1913 u emërua si Ministër i Bujqësisë, që shënon edhe kulmin e karrierës së tij politike.

Kontributi i tij për çështjen shqiptare ishte gjithmonë i pakursyer, ku dhe kur kishte administrata shqiptare.

U zgjodh dy herë deputet në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues, fillimisht u zgjodh në zgjedhjet e Beratit (27 dhjetor 1923). Në legjislaturën e Republikës (1925 – 1928), të dalë nga zgjedhjet e 17 majit 1925, Qemal Karaosmani ishte deputet i Dhomës së Deputetëve si përfaqësues i prefekturës së Beratit, pasi zëvendësoi në fund të vitit 1925 deputetin e dorëhequr Qemal Vrioni.

MË 27 pril 1938 ishte delegat i Elbasanit në dasmën e Mbretit Zog.

Në periudhën prill – shtator 1939 ka qenë Kryetar Bashkie i Elbasanit. Pas pushtimit fashit të Shqipërisë u vendos familjarisht në Kavajë. Vdiq në këtë qytet.

Në vitin 1962 në AQSH u dorëzua nga familja e tij pena me të cilën ishte nënshkruar akti i pavarësisë më 28 Nëntor 1912.