Gazeta 24 vjeçare “Shkumbini” ka qenë gazeta më jetëgjatë në historinë e publicistikës elbasanase, ndaj e konsiderojmë me interes të flasim për gazetarin Mefail Pupuleku, i cili ka nje aktivitet publicistik dhjetravjeçar në shtypin e shkruar.

Publicisti i mirënjohur Mefail Pupuleku lindi më 30 Qershor 1935 në fshatin Trebisht të rrethit Bulqizë, qarku Peshkopi. Mësimet e para i mori në vendlindje duke pasur mësues të nderuarin Mustafa Shahinaj, i cili ka edukuar dhjetëra e qindra nxënës, jo vetëm në fshatrat e Peshkopisë, por edhe në Maqedoni e Kosovë. Prej tij Mefaili trashëgoi një sërë cilësish të mira siç ishin vullneti për të mësuar, për të qenë korrekt dhe i rregullt në të gjitha drejtimet. Këto veti e bënë atë që të vlerësohet me nota maksimale dhe të shpallet nxënësi më i mirë i shkollës.

Ne vitin 1949 familja e tij vendoset ne Cërrik ku vëllai, Ferhat Pupuleku, punonte asistent-inxhinier në ndërmarrjen e ndërtimit. Këtu zë fill dhe spikat prirja e Mefailit në fushën e gazetarisë. Pas disa shkrimeve të vogla që kishte botuar ne revistat e kohës “Pionieri” e “Fatosi”, në moshën 17 vjeçare botoi  në gazetën “Puna” (organ i Bashkimeve Profesionale te Shqipërisë) fejtonin me titull “Stafeta e Tafil Kasemit”. Në kujtimet e tij për fabulën e këtij fejtoni ai tregon se bëhej fjalë për një sorollatje të kotë të një punëtori të thjeshtë, që ishte i detyruar të bënte disa herë rrugën Cërrik-Durrës vetëm për të siguruar një dokument të rëndomtë që i kërkohej nga zyra e kuadrit.

Mënyra e të shkruarit të fejtonit, tema që trajtonte dhe faktet që paraqiteshin në të, tërhoqën jo vetëm interesimin e lexuesve të zakonshëm, por edhe të drejtuesve të atëhershëm të organit botues, kryeredaktorit Minella Dajlani e sekretarit të kolegjiumit Ibrahim Çavolli, të cilët kërkuan bashkëpunimin e Mefailit me gazetën “Puna”.

Pas disa shkrimeve me problematikë të ndryshme nga jeta e përditëshme, u interesuan për bashkëpunim edhe drejtues të disa organeve të tjera. Kështu, Mafaili botoi disa shkrime edhe në gazetat “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë” e sidomos te “Bashkimi”. Me mbarimin e studimeve të larta për ekonomi, ai filloi si financier i thjeshtë e pastaj shef finance në Ndërmarrjen e Ndërtimit Elbasan. Krahas punës së përditshme në këtë periudhë, pjesëmarrja e tij me shkrime në organet e ndryshme të shtypit u rrit ndjeshëm.

Në prag të fillimit të botimit të gazetes “Shkumbini” të rrethit të Elbasanit, me kërkesën e drejtorit të Agjencisë Telegrafike  Shqiptare Fiqiri Vogli, Mefaili u caktua korrespondent i kësaj agjencie për rrethet Elbasan, Librazhd dhe Gramsh. Por pas kërkeses këmbëngulëse të kryeredaktorit të gazetes lokale “Shkumbini”, zotit Adriatik Kanani, u mundësua që Mefaili të fillonte gazetar profesionist tashmë në këtë gazetë.

Që në muajin e parë të gazetës “Shkumbini” (që doli më 16 Gusht 1967), Mefaili tregoi pasionin e tij të thellë për ta kryer me sukses detyrën e ngarkuar. Natën e daljes së gazetës ai përjetoi emocione të thella. Bashkë me kryeredaktorin, nuk iu nda për asnjë çast procesit të përgatitjes së botimit. Kur gjithçka ishte gati në të përfunduar, doli një problem i vogël. Në faqen e parë kishte mbetur një vend i vogël bosh. Kryeredaktori u shqetësua se me çfarë ta plotësonte atë vend, aq më tepër që për atë faqe kërkohej një lajm që të tërhiqte vemendjen e lexuesve. Atëherë Mefaili nxori nga xhepi një bllok te vogël, ku kishte grumbulluar shumë lajme interesante nga fusha e prodhimit, të cilat i shkonin për shtat vendit bosh. Midis tyre i propozoi kryeredaktorit që të botonin lajmin “Punishte e re makaronash në Shirgjan”. Ishte vepër e novatorit të shquar Riza Danksi, i cili nga Uzina mekanike ishte transferuar në kooperativën bujqësore të Shirgjanit. Ky ishte një nga rastet e shumta që do t’i jepte zgjidhje problemeve që do t’i dilnin gazetës gjatë botimit të saj. Kjo ndodhte, sepse Mefaili e vlerësonte shumë punën e gazetës, jetonte me kërkesat e saj, ndaj për çdo problem ishte i përgatitur.

Edhe pse nga ora 4 e mëngjesit të 16 Gushtit 1967 gjithçka ishte gati dhe gazeta u fut për botim, ai nuk largohej, por priste që të dilnin nga shtypi 4-5 kopjet e para që t’i merrte me vehte. Gazeta i dukej si një qenie e gjallë që kishte lindur dhe të gjithë qytetarët e Elbasanit duhej ta merrnin vesh sa më parë këtë lajm. Aq i përkushtuar dhe i emocionuar ishte nga kjo ngjarje, sa nuk ndejti as 5 minuta në shtëpi, por përsëri me gazetat në duar, duke ekspozuar faqet e para te tyre, ku dukej qartë titulli “Shkumbini”, u drejtua për në shtypshkronjë. Aty ishin gati 50 pionierë; secili prej tyre mori me vehte nga 20 gazeta që t’i shpërndanin  rrugëve të qytetit për të lajmëruar daljen e numrit të parë të “Shkumbinit”. Njerëzit e merrnin gazetën dhe e lexonin me një frymë për të mësuar për të rejat e qytetit të tyre.

Ditët në vijim ishin plot përkushtim për të qëmtuar e botuar me firmën e tij shkrime sa më interesante. Mefaili lëvronte të gjitha gjinitë e gazetarisë si në shkrimet informative, ato problematike dhe letrare publicistike. Të mbeten në mendje artikuj të tillë si “Bajraktari i Valas Broshkës”, “Kënga e re e tokës së zhuritur” e shumë shkrime të tjera. Një nga gjinitë publicistike që e bëri shumë më të njohur autorin ishin fejtonet, me anën e të cilave goditeshin fenomenet negative dhe ato abuzive. Këto fejtone firmoseshin me pseudonimin Sulë Krraba, duke pasur edhe kjo një kontekst. Sulë ishte në atë kohë emri më i përdorur në Elbasan ose tipik, ndërsa krraba personifikonte veglën që kap (sigurisht fenomenet negative).

Pas largimit të Adriatik Kananit për në një detyre tjetër në vitin 1970, Mefaili emërohet kryeredaktor i gazetës “Shkumbini”, të cilën e drejtoi me aftësi e profesionalizëm, derisa u mbyll në Shtator 1991.

Duke qenë i bindur se mbarëvajtja dhe roli i një gazete vjen nga afrimi pranë saj i njerëzve sa më të kualifikuar, ai mori në redaksinë e gazetës persona të formuar dhe me dinjitet, si: Dritan Çerma, Astrit Bishqemi, Ruzhdi Qatipi, Zana Zyrakja, Drita Tafa etj. Një punë të lavdërueshme ai bëri me afrimin si bashkëpunëtorë të jashtëm të gazetës të mjaft intelektualeve  nga fusha e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë, arsimit etj.

Kujdes të veçantë tregoi Mefail Pupuleku për shtrirjen e rrjetit  të korrespondentëve vullnetarë në fshatrat e Elbasanit, të cilët numëroheshin me dhjetra e qindra. Për kualifikimin e tyre, redaksia organizonte seminare e kurse kualifikimi,  ku u punuan tema të ndryshme të publicistikës, të cilat ndikuan në formimin e tyre si gazetarë. Me një kontigjent të tillë të përgatitur, gazeta e drejtuar nga Mefaili u bë organ i mirëpritur dhe i dashur për mijëra lexues të qytetit e të fshatit. Me gjithë kufizimet e kohës, në gazetën “Shkumbini” u botuan sistematikisht shkrime kritike me tema luftën kundër burokracisë, luftën kundër shpërdorimeve e dëmtimeve në ekonomi, kundër arrogancës së disa drejtuesve në fusha të ndryshme të jetës etj.

Gjatë këtyre viteve edhe si kryeredaktor i saj bëri disa kualifikime e specializime të kohës në fushën e gazetarisë dhe veprimtarive të shtypit.

***

– Mefail Pupuleku ishte gazetar me horizont të gjerë, i ndershëm e i guximshëm. Dhe me këto veti të karakterit të vet na edukoi edhe ne më të rinjve në redaksi,- tregon Astrit Bishqemi, ish-redaktor i gazetës në fjalë, duke na e argumentuar e ilustruar edhe me episode të ndryshme. -Çdo javë do të bënim analizën e dy numrave të gazetës. Kryeredaktori na përgëzonte për shkrimet e realizuara me nivel dhe na kritikonte me profesionalizëm për të dobëtat. Kërkonte që gazeta ta ndiqte këmba-këmbës jetën në çdo fushë të saj, të ngrinte probleme, të godiste te njerëzit veset, të metat, akroballëqet. E merrte gazetën në pëllëmbë të dorës: “Ëhë, ky numër nuk ka peshë fare,- thoshte.- Nuk ka kritikë. Kritika bën që të kërkohet e të lexohet gazeta!”. Porosia e dytë e vazhdueshme e tij ishte kujdesi për titujt me të zeza, që t’i lexonim rrokje për rrokje e germë për germë fjalët; na sillte për shembull një gazetë lokale simotër me tonën, kryeredaktorin e së cilës e kishin pushuar në vend, vetëm për një titull reportazhi (“Rezervistët kalojnë përmes fushës së gjelbërt”, të cilin radhitësja e pakujdesshme e kishte bërë “Revizionistët …”).

Mefaili na qortonte dhe këshillonte jo vetem për shkrimet, por dhe për sjelljen e përditëshme në punë, vazhdon të tregojë Astriti. Kështu ndodhi në një rast me mua dhe redaktorin tjetër Safet Sadiku. Kur po ktheheshim nga një seminar që u zhvillua nga Bashkimi i Gazetareve të Shqipërisë në Tiranë, shoferi i autobuzit nuk na pajisi me bileta. Për t’i zëvendësuar ato, Safeti si çapkën që ishte, siguroi dy bileta treni nga udhëtarët që vinin nga Tirana. Kur ia çova Mefailit urdhër-shërbimet për t’i firmosur dhe pa biletat e trenit më pyeti: “Ç’është kjo biletë Astrit? Ju sikur udhëtuat me autobuz dhe jo me tren? Ne shkruajmë dhe kritikojmë të tjerët për këto probleme. A duhet të gënjejmë ne?

Kjo verejtje më ndezi fytyrën. E mora dhe e grisa urdhër-shërbimin e biletën duke e kujtuar edhe sot e kësaj dite këshillën që më ka vlejtur gjatë gjithë jetës sime. Mefaili ishte i rreptë në punë me ne, vartësit,- vlerëson Atriti,- por i afërt dhe i gatshëm për të na ndihmuar në privacionet e hallet tona familjare. Ja dy episode bindëse:

I pari ka të bëjë me një shkrim që na vjen në redaksi për një institucion mësimor, ku, për punë të dobët goditej edhe T. Sh., një i afërmi im. I kërkova kryeredaktorit që, së paku, të hiqnim një fjali nga ai shkrim, por ai ma ktheu i pakënaqur: “Jo, Astrit, ne do të pasqyrojmë të vërtetën!”…

Episodi i dytë kishte të bënte drejtpërdrejt me mua personalisht. Për një cen në biografinë e familjes sime, organi i nomenklatures kishte vendosur që unë të kthehesha sërish në arsim, vendi nga ku kisha ardhur në redaksi. Mefaili me keqardhje jo të shtënë, më njoftoi vendimin. Qenë ditë fund korriku, kur në arsim përgatitej kuadri. Ishte e qartë se do të më çonin andej nga zona e thellë e Shmilit apo Shpatit. Ia parashtrova këtë Mefailit me kërkesën që në rast se mund të gjente mënyrën për ta shtyrë largimin tim edhe dy muaj. Ai ndërhyri menjëherë në organet e emërtesës dhe vendimi u shty për dy muaj, meqë isha “i domosdoshëm për botimin e gazetës”. Në tetor, me ndërhyrjen e tij u emërova mësues matematike në shkollën “Qamil Guranjaku”. Qe një nder i pashlyeshëm…..që flet edhe për karakterin e protagonistit të këtij shkrimi, do të shtonim ne.

***

Gazeta “Shkumbini” u bë e njohur në të gjithë vendin. Me nje tirazh prej 6000 kopjesh ajo shkonte në çdo skaj te rrethit të Elbasanit, por edhe ne rrethe të tjera të vendit. Kjo bëri që Mefaili të zgjidhej nga mesi i viteve 70 zëvendës president i bashkimit te gazetarëve të Shqipërisë, post që e mbajti deri ne shtator 1991.

Duke  patur në patronazh të gjitha gazetat dhe radiot lokale të rretheve ai zhvilloi dhjetëra seminare për shkëmbim përvoje midis tyre si në Elbasan, Berat, Lezhë, Vlorë, Përmet, Korçë, Kukës, Peshkopi e rrethe të tjera, ku me referate cilësore trajtonte mënyrën e kryerjes së detyrës me të mirat dhe dobësitë e këtyre organeve. Mjaft prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Shkumbini” (si: Zana Zyrakja, Besim Dybeli, Vladimir Mema, Bujar Hudhri, Flutur Açka e të tjerë) kanë qënë e janë tashmë të njohur dhe vazhdojnë të punojnë sot në organe të ndryshme të shtypit të shkruar e viziv ose kanë hapur shtëpi botuese.

Ndërsa Mefaili, edhe pas mbylljes së gazetës dhe shkëputjes nga shtypi i shkruar, punoi për një periudhe mëse 10-vjeçare me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm si menaxher e redaktor në shtypshkronjën “Silver” të firmës “Rama Graf” me president z. Eduart Jolldashi. Gjate kësaj periudhe, ai është autori i përgatitjes dhe redaktimit të dhjetëra e dhjetëra librave të botuara nga kjo shtypshkronjë.

Duke shfletuar koleksionin e gazetës “Shkumbini” në bibliotekën e qytetit, vërehen disa dukuri pozitive në shkrimet e Mefailit. Ai tregonte kujdes të veçantë për titujt e artikujve. Asnjë artikull nuk e fillonte pa përcaktuar më parë titullin. Këtë parim ai e konsideronte si themelin mbi të cilin do të ndërtohej si në formë dhe në përmbajtje.

Veçori tjetër e Mefailit ishte vërtetësia e fakteve në shkrimet që botoheshin në gazetë. Për çdo shkrim kritik ai siguronte 4-5 fakte, gjysmat e të cilave i rendiste në artikuj, të tjerat, i mbante rezervë që në rastet e reagimeve negative nga të kritikuarit t’i përdorte si argumente plotësuese. Në asnjë rast nuk lejonte që të botoheshin në gazetë lajme të paverifikuara mirë.

Kjo e rriti besimin te gazeta dhe stafi i saj. Ndaj Mefaili gëzonte dhe gëzon edhe sot respektin e qytetarëve të Elbasanit.

Shkumbini” që ruhet në bibliotekën e qytetit është sot një pasuri për studiuesit, për zhvillimet dhe jetën në rrethin e Elbasanit në ato vite, një pjesë e pasqyrimit të së cilës, është edhe veprimtaria publicistike e zotit Mefail Pupuleku.