Petrit Kumi

Petrit Kumi

Petrit Kumi ka lindur në një familje qytetare me tradita në Elbasan, më 20 maj 1930. Filloren e kryen në qytetin e lindjes, kurse arsimin e mesëm e mbaron në Liceun Artistik
“Jordan Misja” për pikturë,  ndërkohë që gjatë viteve 1953-54,  shërbeu si fotoreporter i revistës “Miqësia”. Nga viti 1960 deri më 1964, Petriti punon në ATSH në sektorin e fotografisë që ishte kthyer në një shkollë për fotogazetarinë sh- qiptare, ku të rinjtë mësonin nga përvoja e më të vjetërve. Pastaj P. Kumi fillon punë si fotoreporter te revista e përmuajshme politiko-shoqërore,  “Ylli”,  me mundësi të shumta, ku ai shpalos aftësitë dhe talentin e tij si fotograf, deri në vitin 1988. Kjo qe një kohë mjaft e ngarkuar, por dhe frutdhënëse për të.  Në fund të viteve ’80, ai merr detyrën e përgjegjësit të laboratorit të ATSH, deri më 1991, kur del në pension. Pas pak kohe krijon Shoqërinë fotografike familjare “Kumi- foto” me ekspozita dhe shërbime fotografike të teknologjisë digjitale.
Në të gjithë krijimtarinë e tij, dallohet tendenca e trajtimit të temave politiko-shoqërore të kohës me sensin e artistit, gjetja e pikës më të përshtatshme të fotografimit,  kuadrimi i goditur dhe raporti i goditur i parametrave teknikë. Të gjithë punën e tij, P. Kumi i përmblodhi në disa albume, si “Në Kosovë”(1986), por më domethënësi dhe më jetësori, mbetet ai i vitit 2013 me titull “Jeta përmes objektivit”, ku shpaloset ajka e krijimtarisë së tij mbi 60 vjeçare. Në këtë album ka një kapitull të veçantë, që i kushtohet pasqyrimit të veprimtarive sportive, ku përfshihet edhe fotoja e famshme, ”Macja e zezë”, e cila është vlerësuar me “Medalje Nderi”, për fotografinë sportive në Konkursin Ndërkombëtar “World Press Photo” të vitit 1961 në Moskë. Fotoja është bërë në momentin e duhur, e pabesueshme, vetëm me një shkrepje, ku portieri Shefqet Topi ka bërë një kapje të jashtëzakonshme me një mjeshtëri, që do t’a kishin zili shumë portierë në botë. Kjo mendohet të jetë fotoja sportive më e arrirë ndër vite, në një kohë kur Petriti s’ishte fotograf sportiv. Kjo është fotografia sportive më e njohur shqiptare, si brenda e jashtë vendit. Në vitin 1960 në Beograd, Petrit Kumi është nderuar me “Diplomë”,  për foton “Brigjeve të Adriatikut”(1959) në konkursin ndërkombëtar të talenteve të reja të fotografisë. Petriti, do të mbetet një nga figurat më të shquara të fotogazetarisë shqiptare. Petrit Kumi, mban titullin “Artist i Merituar” dhe vlerësimin “Mjeshtër i Madh”.
Ai prej më shumë se 1/2 shekulli jeton në Tiranë dhe ndoshta pak kush e di që ai është elbasanas.
Emri i tij është i renditur në panteonin e nderit të personazheve të historisë së fotos shqiptare. Petrit Kumi edhe pse në moshë të thyer, mbetet një njeri respektuar, jo vetëm i Tiranës, por edhe i qytetit tonë, Elbasan, qytetit që e lindi. Petrit Kumi, sot është një profesionist i moshuar, me të cilin mund të marrësh këshilla për artin, kulturën dhe më gjërë. Falë tij, por edhe fotografëve të tjerë, që nuk janë sot, ne kemi fotografimin e Shqipërisë në çdo aspekt të jetës së saj. Për njerëz si Petrit Kumi, vlerësimi është fare pak, para respektimit moral që ne duhet të kemi për ta.
Besoj dhe duhet, për vetë historinë e Shqipërisë, ka ardhur koha të kemi një muze të fotos, ku punët e Petritit dhe e shumë të tjetëve, të zenë një vend të merituar.
Foto e z. Petrit Kumi dhe fotoja e famshme”Macja e Zezë”, bërë më 1 shkurt 1961, në ndeshjen 17 Nëntori(Tiranës) – Besa(Kavajës).

Macja e zeze, arkivi digjital Elbasan

“Macja e zezë” – foto nga Petrit Kumi