Për ty, i paharruari ynë, Rudi… një lamtumirë më shumë
Një lamtumirë më shumë prej zemrash të lënduara e shpirtrash të prekur nga dhembja, të cilat i deshe dhe u fale mirësi, prej të tjerëve që i deshe edhe pa i njohur drejtpërdrejt, por që i bëre të duan më shumë gjuhën e tyre, kulturën e tyre, trashëgiminë e tyre, që i bëre të afërt me ty përmes shkrimeve të tua, studimeve të tua të përkora e gjithnjë të ngjyruara me tisin e ndritshëm të respektit për vlerat e vërteta, të shfaqura a të mbuluara nga pluhuri i harresës ; për ato vlera që e ndjeve që s’mund të qëndronin brenda hapësirës së lexuesve të një fushe studimi, por që duhet të bëheshin të pranishme për një qytet, për një komb, madje për një hapësirë tej këtyre kufijve.
Një lamtumirë prej bashkëpunëtorëve të tu në Arkivin Digjital të Elbasanit, lexuesve të tu të revistës Albanon të qytetit tënd të lindjes, Elbasanit, lamtumirë që do të rezonojë me të tjerë lexues e dashamirës të shkrimeve e të kontributeve të tua jashtë kësaj hapësire; për fat, jeta të mundësoi të jesh në ato hapësira, e pasjeta do të të ketë sërish të pranishëm në to.
Do të mbetet si kujtim i pashlyer në këto hapësira buzëqeshja jote që të ngjallte vetvetishëm ndjesinë e afrimitetit edhe në çastet e para të miqësimit, meditimi yt dhe nxitja e atij meditimi edhe tek të tjerët pas njohjes me ty, mirësia jote që të shoqëronte vijimisht edhe kur ndodheshe larg teje.
Do të mbetet si kujtim i pashlyer në këto hapësira përkujdesja jote e vijueshme dhe dashuria për gjuhën shqipe, që qenë aq të mëdha saqë nuk mjaftoi hapësira e qytetit ku linde për t’ia ngjallur, për t’ia kultivuar të tjerëve, por gjete mundësinë që përmes studimeve ta ofrosh për të gjithë shqiptarët në Shqipëri e më gjerë, madje deri në Kinën e largët. E përçove këtë dashuri jo vetëm në auditorët e Universitetit të Elbasanit, por edhe në ato të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Pekinit ; do të mbetet kujtimi i zërit tënd jo vetëm në konferencat shkencore ku kumtove me përgjegjësi e korrektesë shkencore, por edhe në emisionet në Radion Ndërkombëtare të Kinës, ku prej viteve përgatite e me zërin tënd shpërndave të dhënat për botën shqiptare.
Do të mbeten të pashlyera në kujtesën tonë përkujdesja e dashuria jote për traditën, për Skampinin, Valmin e Elbasanin me të cilët krenoheshe dhe me shkrimet e tua na bëre edhe ne të tjerëve të krenohemi ; dashuria e përkushtimi yt studimor për Todrin e Kristoforidhin, Lef Nosin, Xhuvanin e të tjerë, në rrugën e të cilëve arrite të ecësh, për Haxhiademin, të cilin edhe 18 orë para udhëtimit tënd astral doje që ta takonim edhe ne të tjerët, ndaj na e solle sërish pranë përmes nxjerrjes në pah të vlerave të tij krijuese e gjuhësore. Do të mbeten të pashlyera te ne dashuria jote për kulturën kombëtare e korifejtë e saj, për të cilët gjete mundësinë t’ua rekomandosh si vlera të mirëfillta edhe mjediseve universitare kineze, ku doktorove me dinjitet dhe argumentove se si mund të rezonojnë kulturat e të ushqehen prej njëra tjetrës, edhe pse kultura prej nga vije ishte e një vendi të vogël, por përmasat e së cilës mateshin me parametra të tjerë të cilët ti i qëmtove me kujdes të veçantë.
Edhe një tjetër lamtumirë për ty, Rudi, nxënësin e studentin e virtytshëm e të etur për dije të gjimnazit « Dhaskal Todri », Universitetit të Elbasanit e të Tiranës, doktorantin e Universitetit të Pekinit ; për ty, Rudi, profesorin e dashur e të nderuar të universiteteve në Elbasan e në Pekin, studiuesin e gjuhës shqipe, të letërsisë e kulturës sonë kombëtare, autorin e botimeve me vlerë brenda e jashtë Shqipërisë për gjuhën shqipe, për mësimin dhe vlerat që ajo shfaq, referuesin serioz në veprimtari të ndryshme shkencore brenda e jashtë vendit ; për njeriun e mirë, prindin e shkëlqyer, intelektualin e devotshëm.
I paharruari, Rudi, ti dite të na e japësh me tepri mirësinë tënde, dijen tënde, pasionin e punën tënde, ndaj lamtumira jonë mbetet gjithnjë e paplotë. Kujtimi për ty, vijimi i bashkëbisedimit me shkrimet e tua do të jetë plotësim i kësaj lamtumire në vijimësi.
Lamtumirë…!
Nga Tomorr Plangarica
Miredita Prof Tommori, uroj te jeni mire me shendet ju dhe familja juaj. U desh ky lajm I kaq I hidhur per ndarjen e parakohshme te Rudit te te shkruaja. Nje artikull shume domethenes I shkruar nga ju qe jo vetem une po te gjithe qe te njohen kane respektin me te madh. Nje pedagogy me vlera dhe me zemer te madhe nje baba I perkushtueshem, nje mik dhe shok I rralle, I papertueshemeahume she shume e shume cilesi te tjera. Arsyeja qe nuk jemi lidhur per 30 vjet qe kur ika me Bertin ne itali dhe Kanada duke mos pasur Facebook pedagogu yne kujdestar.
Gjithe te mirat pac dhe jete te gjate te uroj juve dhe familjes tuaj.
Me shume respekt
Gilda kaloti( Kazazi
Ish studentja juaj
Nje shkrim ”zemre” nga Tomorri! Humbja e nje njeriu te pajisur me dije, kontribut shoqeror, miresi e fisnikeri, i kalon permasat e dhimbjes qe ndiejne ata qe e kane njohur nga afer, te aferm, miq e shoke. Eshte nje dhimbje qe ”percellon” ndergjegjen shoqerore, kur prej saj largohen ne amshim ata qe e ushqyen vete ate!
Lamtumire fizikisht Rudit dhe, mirepjeke me te cdo dite, ne studimet dhe punerat me vlere, kujtimet dhe dashurite qe la pas!
Kjo pershpirtje lamtumire e Tomorrit, zbret e ul ne xhdo zemer ma t’epermen ndjenje, dashunin qe lind jeten.Zemra shtang nga idhnimi, shpirti dritherue nga dhimsunia mendja tulat nga permallimi , dritherojne me tancka miresia fisnike , xhdo fjale qe end mendimin e te urtit Tomorr per kopshtin e perjetesise ku prane ZOTIT prehet Rudi yne. tue dhuru gjithkujt madheshtine e modesite bujare te njeriut te mire, prindit, intelektualit te pazevendeueshem Elbasanas. Kjo fjale dhimsunie si nje puhize mallengjimi mbetet nje agim mirenjohjeje e respekti per njerez si Rudi yne e si ti i nderuemi Tomorr.