Përfshirja në vorbullën e lëvizjes politike dhe shoqërore dhe kontributi në sfera të ndryshme të veprimtarisë kulturore e shkencore kushtëzohet mes të tjerash nga disa faktorë: nga domosdoshmëritë që shtron epoka; nga prirjet dhe dhuntitë vetjake të individit të formuar në një mjedis të caktuar; nga interesat, shkollimi dhe kultura që fiton; nga pozicioni shoqëror e politik i individit dhe ndërgjegjësimi i kontributit qytetar ndaj kombit, shoqërisë, popullit.

Lef Nosi ishte figurë që rrezonoi në mënyrë të spikatur me këta faktorë, përmes një kompleksi cilësish të lindura e të kultivuara gjatë jetës. Për më tepër, jeta e tij u shtri në një rrafsh të tillë kohor, në një epokë kur individëve me të tilla cilësi u mundësoheshin hapësira të konsiderueshme. Figura e tij del në pah, sepse në këto hapësira të gjera ai diti të shkelë e për më tepër të zotërojë jo pak, por shumë prej tyre, jo në një periudhë të shkurtër të jetës së tij, por gati gjatë gjithë jetës.

Sigurisht që edhe nga Lef Nosi zotërimi i këtyre hapësirave nuk do të jetë i njëkohshëm, por si përgjigje ndaj aspekteve të caktuara të domosdoshmërive të epokës, do të kushtëzohet nga mundësitë në rritje të tij, si rrjedhojë e formimit të vazhdueshëm, do të jetë i suksesshëm, si rrjedhojë e koherencës në gjykimin e sferave prioritare në të cilat individi mund të kontribuojë sipas aftësive, pasionit dhe mundësive të tij.

Gjatë tërë jetës së tij, ai vepron përmes angazhimeve dhe statuseve kulmore në fushat e politikës, publicistikës, historiografisë, memuaristikës, etnografisë, folkloristikës, filatelisë, numizmatikës etj.

I pajisur me një kulturë të gjerë, gjithnjë në zhvillim e pasurim, njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe kërkues i talentuar e i vullnetshëm, gjatë tërë jetës së tij ai njohu përfaqësime kulmore herë në politikë, herë në historiografi e memuaristikë, herë në etnografi dhe arkivistikë, e herë të tjera në arkeologji apo folkloristikë etj.

Mblidhte materialin e pasur folkloristik në krahina të ndryshme të trevës së Shqipërisë së Mesme e njëkohësisht kujdeset për ruajtjen e dorëshkrimeve të Todhrit e Kristoforidhit. Gjurmon dhe nxjerr në pah dorëshkrimin me emrin e Papa Totasit, e njëkohësisht mban korrespondencë dhe kontakte me Norbert Joklin. Boton “Shënimet historike…” dhe nga ana tjetër vazhdon të përsosë metodologjinë e kërkimit shkencor etnografik e historik, duke bashkëpunuar me Margret Hasllëkun etj.

Njëkohësisht, gjatë kësaj jete, ku prirej drejt kulmeve dhe kuotave të larta, njohu edhe rëniet dhe dënimet e skajshme.

U dënua me vdekje më 1910 nga Porta e Lartë, si drejtues i guximshëm i gazetës “Tomorri”, fryma e së cilës binte ndesh me interesat e xhonturqve; dhe më 1945, si anëtar i Regjencës. Në mënyrë tepër të përmbledhur, ja disa nga treguesit që pasqyrojnë prirje drcjt atyre kulmeve, por edhe fatkeqësitë:

U lind në Elbasan më 1876.[1]

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe pastaj ndoqi gjimnazin grek në Athinë. Pastaj ndjek dy vjet studime universitare në degën “Farmaci” po në Athinë. Kthehet pas dy vjetësh në atdhe dhe vazhdon të studiojë në mënyrë autodidakte.

Fillon aktivitetin patriotik, politik e shoqëror në fillim të viteve 1900.

Më 1909-ën jep mësim në një shkollë nate, në gjuhën shqipe.

Më 1909-ën zgjidhet gjithashtu nënkryetar i Klubit ” Vëllazëria” të Elbasamt.

Po më 1909-ën themelon shoqërinë “Afërdita” dhe zgjidhet kryetar i saj.

Gjithashtu  në vitin 1910 themelon e drejton gazetën e parë të Elbasanit “Tomorrin”. Pas botimit të disa numrave të saj, dënohet me vdekje nga Porta e Lartë, pasi në këtë gazetë botoheshin shkrime dhe përkthime që binin ndesh me interesat e Xhonturqve. Me tej dënimi me vdekje i kalon në internim dhe pas disa muajsh izolimi në Bursë (Turqi) lirohet dhe kthehet në atdhe.

Më 1912-ën zgjidhet ministër i Postë-telegrafit në qeverinë e Ismail Qemalit.

Më 1918-1919 është një nga drejtuesit e së përkohshmes së Elbasanit “Kopshti letrar”.

Në vitet 1919-1920 është anëtar i delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitin 1924 boton “Dokumenta Historike për t’i shërbyer historisë sonë kombëtare”, duke integruar aty gjithë dokumentet e Qeverisë së Vlorës, Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë etj.

Në periudhën 1924-1939, tërhiqet nga jeta politike, duke iu kushtuar gjurmimit dhc mbledhjes së dokumentacionit, historisë, vlerave arkivore, etnografike, folklorike etj.

Në tetor 1943 bëhet anëtar i Regjencës.

Në vitin 1945, nën akuzën si kolaboracionist, dënohet me vdekje.

Duke mos trajtuar kontributin e L. Nosit në atë shumësi fushash ku ai u angazhua në vijimësi,[2] ne do të përqendrohemi në njërën prej vlerave që ai përpunoi dhe la trashëgim në historinë e kulturës lokale, por edhe më gjerë.

 

Ai është konceptuesi, udhëheqësi dhe drejtuesi i gazetës “Tomorri”.

Një ndër hapësirat e para në të cilat ai u fut dhe e zotëroi me sukses, ishte fusha e publicistikës, sidomos në një aspekt të veçantë e special të saj, në fushën e editorit, drejtuesit, konceptuesit dhe realizuesit të një gazete, siç qe gazeta “Tomorri”, gazetë e përkohshme politike e letrare, që doli në disa numra në vitin 1910.

1 inkuadruar, tashmë, në mënyrë aktive në lëvizjen tonë kombëtare, Lef Nosi do të sjellë kontribut në njërin nga frontet më të rëndësishëm të strategjisë së luftës për pavarësi, në atë të ndërgjegjësimit, kulturimit të njerëzve, të informimit dhe ndriçimit të mendjes së bashkëkombësve të tij. Dalja e gazetës “Tomorri”, si e para gazetë e trevës së Elbasanit, qe një tjetër provë e dytë e rëndësishme që forcat intelektuale po jepnin për kombin në fushën e arsimit, dijes e kulturës. Tashmë fronti i luftës për çështjen kombëtare do të kishte jo vetëm shpresën për të ardhmen, që kultivohej përmes arsimimit në Shkollën Normale, por edhe qartësinë e së tashmes që do të bëhej përmes gazetës. Ky mision i saj, i projektuar dhe i synuar nga drejtuesi i gazetës dhe bashkëpunëtorët e tij, u kuptua menjëherë edhe nga lexuesit.

Në letrat e falenderimit, të dërguara nga lexues të qyteteve të ndryshme, si dhe në krijime dedikuese për këtë gazetë, ndjehet dhe kuptohet se si u interpretua misioni i gazetës në atë kohë.

Në një vjershë “Urim Tomorrit”, shkruar nga një lexues nga Leskoviku, mes të tjerash shkruhet: “O moj fletë e bekuar/Që pate fatbardhësinë/Me shkronjat e arta shkruar/ Të lulëzosh Shqipërinë/”. Ose një lexues tjetër, mes të tjerash shkruan: “Te kërthiz e Shqipërisë/ U shfaqe dalëngadalë/T’ju ndriç mendjen djemunisë/Të së bekuarës Normalë/.

Meritat e gazetës spikatin në disa drejtime; duke qenë të përvijuara qartë, ato ia rrisin vlerën gazetës dhe drejtuesit, konceptuesit e udhëheqësit të saj. Ndër më kryesoret mund të përmendim:

  1. Angazhimi i saj i drejtpërdrejtë në dobi të çështjes kombëtare dhe synimeve patriotike, brenda kufijve të mundshëm që lejonte koha, situata e brendshme dhe e jashtme dhe konjuktura politike.

Në programin e saj, të botuar në numrin e parë të gazetës, theksohej: “E përkohshmja “Tomorri” do të përpiqet për përmbajtjen e forcimin e konstitucionit, edhe do të luftojë rreptë çdo njeri a shoqëri që punon ta rrëzojë ose të shkelë të drejtat që na jep. – Së bashku me simotrat e veta do të përpiqet për të zgjuarit e ndjenjavet kombëtare të shqiptarëve e për të qytetëruarit e tyne ndën hijen e Perandorisë Osmane. – Pasi qyteti ynë pati atë fat të ketë në gji shkollën Normale, “Tomorri” do të merret gjithnjë me nevojat dhe mbrothësinë e saj”.

Zbatimi i këtyre synimeve u realizua në mënyrë të plotë dhe me nivel të mirë në të gjitha numrat e së përkohshmes. Deklarimi i zhvillimeve tona kombëtare “ndën hijen e Perandorisë Osmane” ishte tolerancë diplomatike e botuesit, e imponuar nga konjukturat politike dhe në përputhje me strategjinë e luftës që po zhvillohej në atë kohë për pavarësi.

  1. Problematika e menduar dhe tërësisht në dobi të çështjes kombëtare dhe ndriçimit e pasurimit shpirtëror, kulturimit dhe zgjerimit të horizontit të lexuesit.

Në kryeartikujt dhe artikujt problemorë të gazetës u bëhej jehonë problemeve të atëhershme të lëvizjes kombëtare, të vështruara shumë herë në një prizëm të gjerë ballkanik e europian. Spikati kjo problematikë në shkrime të tilla, si: “Konstitucioni dhe të drejtat e shqyptarëvet”, “Ngjarjet e Kosovës”, “Trazimet e Shqipërisë”, “Aktiviteti i shqiptarëve jasht vendit për shkronjat shqipe”, “Kongresi i Janinës”, “Austro-Hungaria dhe besëlidhja Ballkanike” etj., etj. Po për këtë qëllim ishte edhe botimi i informacioneve për tubime, konferenca e mbledhje të rëndësishme dhe botimi i vendimeve të tyre.

Në një sërë artikujsh të tjerë jepen të dhëna të karakterit historik, kulturor, gjuhësor, shkencor dhe divulgues, për shembull, në shkrimet “Cilët janë shqiptarët”, “Pjesë nga Meshari i Buzukut përmes një vështrimi përqasës”, “Ç’asht ditarësia (gazeta)”, “Jeta e Pirros” (përkthim nga Plutarku), “Ylli me bisht” Helley (Kometa), “Himara e Bregu i Detit”, “Shteti Psykologjik i ushtarit n’orë të luftës” (përkthim), “Historia e Jefqvet”, zakonet dhe vetiat e një populli botëbredhës” etj., etj.

Një vend të dukshëm në gazetë zunë problemet që lidheshin me mbarëvajtjen dhe shqetësimet për të ardhmen e Shkollës Normale, si dhe informacionet për problemet e ndryshme të ditës.

E konceptuar si e përkohshme politike e letrare, në atë pasuri rubrikash, një vend të veçantë zunë materialet letrare, veçanërisht përshtatja në shqip i Vorr’ i dashnorëvet” përshtatur nga S.Shuteriqi dhe “Gjahu i Malësorëve” i Kristoforidhit.

  1. Tërheqja dhe angazhimi i personaliteteve me përvojë në fushën e letrave dhe çështjen kombëtare, si dhe afirmimi i zërave të rinj në të.

Bashkëpunëtorë aktivë dhe të vazhdueshëm në gazetë qenë disa nga personalitetet në zë të kohës, si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kristo Dako, Simon Shuteriqi etj. Pseudonimeve të tyre Lekë Gruda, Dokë Sula, Shkamb i Letanit etj. në gazetë u shtoheshin edhe firma të tjera përmes pseudonimeve Ura e Shkumbinit, Kukumeisha, Mal i Bardhë, Gur’ i Muzhaqit, Shkamb i Durrësit, Zëri i Zekatit etj. Pjesëmarrja e këtyre firmave sigurisht që ndikoi cilësisht në nivelin e gazetës.

  1. Mirinformimi dhe qëmtimi i kujdesshëm dhe i pasur i materialit gazetaresk.

Në numrat e kësaj gazete, në mënyrë të vazhdueshme u pasqyruan me kompetencë dhe përgjegjësi profesionale në rubrikat “Të rejat e vendit”, “Andej këndej” dhe “Të rejat e javës”, “Trazinat e Shqipëris”, “Vini ree” shumë nga problemet aktuale të kohës. Nga ana tjetër, në të zunë vend materiale të përzgjedhura në mënyrë të kujdesshme nga një sërë gazetash dhe fletoresh në zë të asaj kohe, si “Echo de Paris”, “Morning Post”, “Oesterreichische Rundschau”, “Dnevnik”, “The Times”, “Temps”, “La Turquie” etj.

Duke patur fatin e së përkohshmes, sidoqoftë, edhe përmes atyre numrave që asaj i dhanë jetë dhe emër, gazeta “Tomorri” mbetet një dëshmi domethënëse e angazhimit intelektual të forcave intelektuale të qytetit të Elbasanit në dobi të çështjes kombëtare dhe lëvrimit të publicistikës shqiptare në atë kohë.

 

Në vend të mbylljes

Mbaron së lexuari e studiuari koleksionin e gazetës “Tomorri” dhe vëren se emri i drejtuesit, botuesit e konceptuesit të saj vërtet është gjithkund, por nuk është i shënuar në asnjë vend, në asnjë shkrim. Vërtet ka një sërë artikujsh apo kryeartikujsh pa emër, për të cilët mund të mendosh se janë edhe të drejtuesit të gazetës, por, sidoqoftë, asnjë konfirmim nuk ka. Dhe menjëherë në mendjc shfaqet anonimati sui generis që në mënyrë tragjike do të shfaqet në një sërë sferash të veprimtarisë së Lef Nosit, si etnograf, folklorist, historian, arkeolog, arkivist, filatelist etj. Ndoshta është natyra e veprimtarisë, ndoshta janë rrebeshet shoqërore e politike, e ndoshta fati tragjik që e shoqëroi në pleqërinë e thellë që ky anonimat të provohet plotësisht.

I pranishëm si pjesëmarrës dhe hera-herës si regjisor në një sërë skenash të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit XX, por anonimat në to, se atij i ka rënë barra të paraqesë aktorët; në qendër dhe shumë herë bosht rreth të cilit mblidheshin dhe qarkoheshin ngjarjet, por përsëri anonimat në to, pasi boshti mbulohet nga filli që mblidhet në të; i aftë për të zotëruar dhe krijuar një univers të tërë interesash, por i padukshëm në të, sepse këto përmasa të gjera i prishin kufijtë e përqasjcs me individin, sepse janë të tilla që duhen krahasuar me objekte të raporteve të tyre shumëpërmasore, pikërisht si i tillë Lef Nosi është imponues me zërin e veprimtarisë së tij e po aq me anonimatin e tij.

Ka personalitete që veprën e tyre të shkruar e kanë të mbushur me shqetësim, ankth, bukuri njerëzore, e kanë të mbushur me jetë të vërtetë. Ka gjithashtu personalitete që mund të mos kenë vepër të tillë të shkruar, por jetën e tyre e kanë të mbushur me vepër dhe veprimtari të përkushtuar ndaj kombit, shoqërisë, që e kanë të mbushur me shqetësim për njerëzit, me veprimtarinë për të qëmtuar dhe evidencuar bukurinë njerëzore, traditën dhe vlerat e kombit, për t’i dhënë jetë dhe shpresë atij.

Në ndërgjegjen dhe kujtesën popullore të dyja kategoritë e personaliteteve qëndrojnë me dinjitet, si vatra të ndriçuara dhe pika referimi.

Lef Nosi do të spikasë për veprën e tij të mbushur me jetë njerëzish, por sidomos për jetën e tij të mbushur me vepër dhe veprimtari në shërbim të njerëzve.

 

Maj  1992

* Marrë nga « Univers i vlerave të munguara » Sejko, 2002, faqe 91-99.

[1] Të dhënat mbi jetën e L. Nosit janë mbështetur në studimin e dr. K. Bevapit « Një personalitet i shquar i kulturës kombëtare shqiptare – Lef Nosi », botuar në « Normalja në traditë », 1995, faqe 125-130.

[2] Shih për këtë studimin e dr. K. Bevapit të cituar më lart.