Në kuadër të 25 vjetorit të pavarsisë u krijua një komision i cili do siguronte mbarëvajtjen e ceremonisë së pavarsisë e cila do ishte madhështore për kohën. Ndërkohë komisioni i quajtur “Komisioni për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit” do niste nga puna duke krijuar komisione në bazë të prefekturave dhe nënprefekturave të cilat do mblidhnin prova dhe fakte për patriotët e qyteteve apo krahinave rrespektive.
Komisioni i Durrësit ishte përbërë prej: zv.Prefekti i Durrësit Kapiten i pare Mahmut Golemi, me anëtarë të tjerë të këtij komisioni si Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Hysen Çela, Harrilla Bakalli etj. Ky komision do përpilonte një listë me 18 patriotë të cilët kanë dhënë kontribut në çështjet kombëtare të qytetit të Durrësit, në listë mungonte Imzot Dom Nikoll Kaçorri dhe Ernest Kolanda të cilët për arsye se nuk ishin bërë gati biografitë ju dërguan komisionit qëndror në një moment të dytë. Dhe në përfundim komisioni prefektural i Durrësit do dilte me këtë përfundim:
 
Vendim
Komisioni Prefektural i Durrësit për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit, në mbledhjen e tij të sotshëm, lexoi për herën e fundit, në formën e tyne të plotsueme, jetëshkrimet e 18 (tetëmbëdhetë) veteranëve të vdekun të këtij qyteti, të përmbajtuna në 5 (pesë) fletë të daktilografueme, të cilat, mbassi i gjeti në rregull dhe i aprovoi, vendosi me ia bashkëngjitë këtij vendimi dhe me ia paraqitë për kopetencë Komisionit Qendruer të Tiranës.
Sikurse do të kuptohet lehtë nga nji lexim i këtyne biografive, Komisioni asht mundue me u-shprehë sa ma shkrurtimisht e ma objektivisht mbi patriotët e vdekun, dhe hollësinat e përshkrueme në to janë fryt I nji interesimi të kujdes’shëm e hetimesh të shumta. Vetëm aty-këtu janë konsultue biografit’ e paraqituna nga familjet e far’efisi i të ndierëve; për-ndryshej, Komisioni asht bazue n’informata të besueshme të vetat.
Në lidhje me dokumentat e kërkueme nga Komisioni Qendruer me telin (telegramin) nr.170 datë 19.8.1937, të tilla mjerisht nuk jemi në gjendje m paraqitë për asnjanin nga veteranët t’onë (përveç nji letre-njoftimi të shoqnis “Burimi” të të ndierit Ziver-Muhamed Myderrizi). Shkaku asht se, nga turbullimet e shumta që ka hjekë qyteti i ynë sidomos gjatë kryengritjes 1914-1915 dhe në kohën e Luftës së Madhe, edhe ata që i kanë pasë janë detyrue t’i djegin vetë (për të shpëtue nga komprometimi) ase u a kanë djegë të tjerët: posaçërisht rebelat. Nga ana tjetër, disa prej këtyne patriotëve kanë kryer vepra, që s’asht e mundun të vërtetohen me dokumenta të shkrueme (Për shembëll: Sotir Veveçka, që mësonte Shqip tinëz, e Sotir Margariti që shtinte libra e fletore neper topat e basmeve).
Komisioni Prefektural ka konviksion të plotë për çka shkrue dhe i lutet edhe Komisionit Qendruer që të ketë mirësin me sjellë bindje mbi vlerën e arsyetimeve të ma-sipërme e, si rrjedhim, me mos I lane këta (si dhe dy të tjerë: Dom Nikoll Kaçorri e Ernest Kolanda që, për arsye se biografit’ e tyne nuk janë ende gati, do të dërgohen ma vonë) jashtë grupit të veteranëve të vdekun që do të nderohen me botim në librin e posaçëm.
Fotografinat e kërkueme po dërgohen të gjitha, me përjashtim t’atyne të të ndierëve Abaz Çelkupa e Seid Kërtusha: që nuk ka qenë e mundun të gjehen.
Durrës, 6.IX.1937
Kryetar’i Komisionit Prefektural Zav. PREFEKTI
Kapiten i I-rë(Mahmut Golemi)
Anëtarë
Kristaq Zaguridha
Shefqet Çelkupa
Hysen Çela
Harrilla Bakalli
 
Lista fillon me Abaz Çelkupa një emër i njohur në qytet, ai lindi në Durrës në vitin 1851 dhe vdiq në vitin 1924 ku shërbeu në këtë qytet për 39 vite si arkëtar në doganën e Durrësit. Ai që në fillimet e aktivitetit të tij patriotik bashkëpunoi me atdhetarët e tjerë të Durrësit si Dom Nikoll Kaçorri, Dr.Neki Libohovën, Kristaq Ramën, Aleks Dukën, Vasil Deçkën, Stefan Kaçulinin etj të cilët në kohën e sundimit Osman kanë bërë përpjekje për përhapjen e gjuhës Shqipe dhe zgjimit të ndjenjës kombëtare në popull, të gjitha këto nën organizimin e klubit që u formua për këto qëllime. Në gusht të 1912 kur disa bejlerë sëbashku me Zef Harapin dhe 100 malsorë erdhën tek “Bishti i Murit” (në afërsi të Shënavlashit), për të shpallë pavarsinë në Durrës, ai shkoi me disa shokë për tu marrë vesh me ata. Ishte shoqërues i Ismail Qemalit dhe delegat i Durrësit në shpalljen e pavarsisë në Vlorë. Mbas largimit të ushtrisë Serbe prej Durrësit mer pjesë bashkë me Kristaq Ramën, Dom Nikoll Kaçorrin, Seid Kërtushën dhe Ismail Myderrizin si delegat i Durrësit në kongresin e thërritur prej Esat Pashës në Krujë në vitin 1913, por që largohen prej mbledhjes për shkak të mospajtimit me qëndrimet politike të Esat Pashës. Në 1914 mbas thyerjes së ushtrisë së Princ Vidit përballë trupave të Haxhi Qamilit detyrohet të largohet nga Durrësi duke u strehuar në Ulqin dhe më vonë në Shkodër, nga krahu tjetër rebelat i plaçkisin shtëpinë duke i grabitur pasurinë.
 
Aleks Duka lindi më 1864 në Labovë të Tepelenës dhe vdiq në Durrës më 1934. Që në rininë e tij, është përpjekur për atdheun duke bashkëpunuar me grupe patriotësh Shqiptarë brenda dhe jasht vendit. Në kohën e sundimit Osman është përpjekur për të përhapur botime në gjuhën Shqipe të cilat vinin nga jashtë Shqipërisë, dyqani i tij u kthye në një çerdhe për mbledhjet e patriotëve Durrsakë, me të cilët krijuan dhe klubin e posaçëm patriotik. Në ditën e shpalljes së kushtetutës së perandorisë Osmane “Hyrieti”, ai nxorri një tabelë të shkruajtur Shqip (me alfabetin e atëhershëm) “Ëmbëltore Atdheu” duke zgjuar kureshtjen të gjithëve në Durrës pasi ishte hera parë që reklamohej publikisht gjuha Shqipe. Aleks Duka deri në vdekje dha kontribut patriotik pa bërë reklamë dhe bujë. Në momentin kur vdiq, populli dhe autoritetet e qytetit i bënë nderime të posaçme ndërsa gazetat “BESA” dhe “VATRA” shkruajtën artikuj rreth jetës dhe veprave të tija patriotike.
 
Gjergj Lezhja lindi në Tiranë më 6 Maj 1880 dhe vdiq në Durrës më 1932. Nga viti 1905 deri në vitin 1913 shërbeu si kavaz (truprojë) pranë postës së Austrisë dhe mbas kësaj date deri në vdekje si zyrtar në postën e Durrësit. Në mënyrë indirekte ai ka ndihmuar duke sjellë libra dhe revista në gjuhën Shqipe, po ashtu ka qenë pjesë në konferenca të ndryshme të bëra nga Shqiptarëve asokohe. Në kohën e qeverisjes së Esat Pashë Toptani u dënua si nacionalist, por mundi të shpëtojë me pak muaj burg, për shkak të ndërhyrjes së miqve të tij me influencë të asaj kohe.
 
Hafiz Ali Podgorica lindi më 16/4/1855 dhe vdiq më 14/1/1929 në Durrës. Kreu mësimet fetare në qytetin e Shkodrës duke marrë titullin Hafiz dhe më vonë studio për drejtësi në Stamboll. Edhe pse nën petkun i të qenurit fetar dhe nënpunës i administrates Osmane, ai kurrë nuk rreshti së bashkëpunuari me patriotët e tjerë për pavarsinë e vendit. Në 26 Nëntor të vitit 1912 në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Durrësit pati nderin e posaçëm për të ngritur me dorën e tij flamurin kombëtar në pallatin qeveritar të qytetit. Në kohën e Princ Vidit isht kadi (gjykatës) i Durrësit, por me ardhjen e rebelave të Haxhi Qamilit u detyruar të shkojë në Shkodër bashkë me familjen.
 
Haxhi Met Rama, ishte një patriot i mirë dhe bashkëpunues i vlefshëm i atdhetarëve të tjerë në Durrës. Në vitin 1914 u burgos nga rebelat si nacionalist duke pësuar dhe dëmtime nga grabitjet e tyre. Deri kur vdiq e ruajti dashurinë e vërtetë për atdheun.
 
Jahja Ballhysa, ishte anëtar i rregullt i klubit të patriotëve durrsakë, në të cilin dha kontributin e tij moral dhe material. Më 1912 shkoi në Vlorë bashkë me Dom Nikoll Kaçorrin për të asistuar në ngritjen e flamurit. Është burgos dy herë nga rebelat e Haxhi Qamilit (1914,1915) në Tiranë dhe Durrës si nacionalisht Shqiptar.
 
Kasem Durrësi, është përpjekur në kohë të vështira për pavarsinë e Shqipërisë, gjë që e pohojnë jo vetëm atdhetarët e Durrësit por edhe jashtë saj. Shtëpia e tij është bastis disa herë dhe ai vetë është burgosur. Në gusht të vitit 1912, kur disa bejlerë bashkë me Zef Harapin dhe 100 malsorë kishin ardh tek “Bishti i Murit” (në afërsi të Shënavlashit) për të shpallur lirinë e Shqipërisë në Durrës, shkoi me disa shokë për tu marrë vesh me ata dhe u mbajtën peng prej tyre që Durrsakët mos të guxonin ti qëllonin me armë malsorët në momentin kur dështoi misioni i tyre. Në kohën e Esat Pashës, u detyronte bashkë me të burgosurit e tjerë për të thyer gurë dhe për të ndërtuar rrugën sotme të vilës së Zogut.
 
Kristaq Rama, lindi në Kozare, Berat më 20 Dhjetor 1866 dhe vdiq në Durrës në vitin 1924. Mësimet fillestar i bëri në shkollën e Kristaq Zografit në Qestorat, pastaj kreu shkollën e normale (didaskalin) Greke, duke marrë titullin mësues. Kthehet në Durrës dhe meret me botimet gazetat dhe revistat Shqipe, që shtypeshin jashtë Shqipërisë: si “Bashkimi i Kombit” në Manastir, “Lirija” e Selanikut etj. Mori pjesë në çeljen e klubeve nacionaliste 1908-1909 në Durrës. Bashkë me Sali Nivicën, Mytesim Këlliçin (atë kohë myfti), Aleks Dukën etj, mori pjesë në komisionin për futjen e mësimit të gjuhës Shqipe në shkollat Osmane të vendit tone. Në 1914 mbas ikjes së Princ Vidit nga Durrësi kapet nga rebelat dhe burgoset për 5 muaj. Që nga shpallja e pavarsisë shërbeu me detyra të ndryshme në doganën e Durrësit, duke e filluar si arkëtar e duke e mbyllur si drejtor kur vdiq në 1924.
 
Hysejn Halimi lindi në Krujë më 1835 dhe vdiq në Durrës në moshën 95 vjeçare më 1930. Ishte një atdhetar i mire, ka mbledhur ndihma për të financuar kryengritjen e Abdi Toptanit në malin e Krujës. Edhe pse i moshuar, ka mbajtur në krah arkivolin e kolonel Tomsonit. Mbas ikjes së Princ Vidit është burgosur nga rebelat e Haxhi Qamilit deri në Qershor të 1915, duke u arrestuar përsëri nga trupat e Esat Pashës në Dhjetor të po atij viti, dhe internuar më pas në Itali ku arrin të lirohet vetëm mbas mbarimit të luftës së parë botërore. Në 5 vitet e fundit të jetës, ka mbajtur deryrë si kryetar i Odës së Tregtisë të Durrësit.
 
Mustafa Ali Ibrahimi (Mustafa Hanxhi Basha) lindi në Tiranë në vitin 1840 dhe vdiq në Stamboll në vitin 1915. Ishte një nga atdhetarët më të vjetër të Durrësit, duke punuar shumë me grupin e bejlerëve. Në vitin 1912 u dërgua delegat i Durrësit, në shoqërinë e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit në Vlorë.
 
Osman Mustafa Ibrahimi lindi në Durrës në vitin 1893 dhe vdiq në moshë të re vetëm 22 vjeç në Kavajë në vitin 1922. Ishte djali i Mustafa Ali Ibrahimit, qe ndër të rinjtë që morën pjesë me entuziazëm në klubet patriotike të Durrësit. Vetes ja kishte vënë mbiemrin Drita (Osman Drita) sepse i pëlqente si mbiemër i bukur Shqip, shpesh mbante një qeleshe të qëndisur me fjalët “Rroftë Shqipnija”. Mori pjesë në kryengritjen e Abdi Toptanit në Malin e Krujës.
 
Panajot Beçka lindi në Berat më 1885 dhe vdiq në Durrës në vitin 1932. Ishte me diploma të shkollës tregtare Italiane të Shkodrës dhe të shkollës normale “San Demetrio Corone” të Italisë. U emërua si mësues në vitin shkollor 1907-1908 në shkollat Italiane të Durrësi dhe të Vlorës ku shërbeu deri në vitin 1920 duke dhënë mësim gjuhën Shqipe. Më pas shërbeu në Vlorë, Durrës dhe Tiranë si mësues, drejtor dhe inspektor arsimi në shkollat Shqiptare deri më 26 nëntor 1932 (datë kur vdiq). Që në kohën e sundimit Osman ka qenë I frymëzuar me ndjenja patriotike, i cili me anë të mësimit të gjuhës Shqipe, u shpërndante të njohurve libra në gjuhën Shqipe të cilat vinin nga jashtë. Më 1912 kur Zef Harapi bashkë me disa bejlerë dhe malsorë po bëheshin gati për të hyrë në Durrës për të shpall pavarsinë e Shqipërisë, Panajoti ju bashkua atyre ku me mundime të mëdha shpëtoi nga luftimi i malsorëve me trupat Osmane dhe Osmanofilët e Durrësit. Në vitin 1932 mbas një sëmundje të marrë në detyrë vdiq në Durrës, duke u përcjellë me nderime prej shkollave dhe autoriteteve të qytetit.
 
Doktor Neki Libohova lindi në Libohovë më 1866 dhe vdiq në Durrës më 1935. Në kohën kur ishte student në Stamboll u njoh me Naim Frashërin i cili i inspiroi ndjenja patriotike. Në vitin 1894 emërohet mjek në bashkinë e Durrësit, dhe duke filluar nga viti 1908 bashkëpunoi me patriotët e tjerë në klubin ku ishte mjaft aktiv, dhe kështu u përpoq që deputet në parlamentin Osman të dilte Esat Pasha dhe jo Musa Qazimi. Si mjek është tregua i ndërgjegjshëm duke fituar kështu simpatinë dhe nderimin e popullit të Durrësit.
 
Sabri Dermani lindi në Durrës më 5 Korrik 1886 dhe vdiq me 17 Maj 1934 në Durrës. Shkollën e kreu në Shkodës (Idadi-Ryshdi) dhe më vonë I hyri tregtisë. Që në kohën e shpalljes së kushtetutës Osmane në 1908 është përpjekur bashkë me nacionalistët e tjerë për pavarsinë e vendit. Ka qenë pjesmarrës në çdo mbledhje në klubin e patriotëve të Durrësit. Duke qenë se udhëtonte shpesh jashtë për shkak të tregtisë sillte nga andej libra dhe fletore në gjuhën Shqipe. Në kohën e kryengritjes së Shqipërisë së mesme në 1914 largohet nga Durrësi për në Itali ndërsa familja shkon në Shkodër, kurse rebelat i shkatërrojnë pronën. Kur u kthye nga Italia, arrestohet nga forcat e Esat Pashës dhe bashkë me të burgosurit e tjerë detyrohet për të thyer gurë dhe për të ndërtuar rrugën sotme të vilës së Zogut. Internohet në Shkodër ku ngeli atje deri në ardhjen e Austro-Hungarezëve.
 
Seid Hysen Kërtusha lindi në Ishëm më 1863 dhe vdiq në Durrës më 1918. Bashkëpunoi me nacionalistët e tjerë të Durrësit duke mos kursyer asgjë. Në incidentin e “Bishtit të Murit” (diku në Shënavlash) kur disa bejlerë dhe Zef Harapi tentuan të shpanin pavarsinë në Durrës, u mbajt peng prej malsorve që trupat Osmane mos ti sulmonin ata. Kur erdh Ismail Qemali në Durrës më 1912 qëndroi tri ditë roje në hotelin e tij, për shkak të ndonjë incidenti nga Xhonturqit, dhe vonë si shoqërues i tij gjatë udhëtimit për në Vlorë. Me hyrjen e rebelave të Haxhi Qamilit më 1914 në Durrës largohet dhe vendoset në Ulqin dhe më pas në Shkodër, ndërsa rebelat i plaçkisin shtëpinë në Durrës dhe i djegin atë në Shënavlash nga të cilat i more dhe shumë kafshë.
 
Sotir Margariti lindi në Ohër më 1862 dhe vdiq në Durrës më 1917. Qe një tregtar i madh në Durrës. I paisur me ndjenja patriotike, bashkëpunoi me atdhetarët e tjerë të Durrësit. Ai siguronte libra dhe revista në gjuhën Shqipe të cilat i fshihte nëpër topat e basmeve, duke i përhapur kështu ato në të gjitha viset e Shqipërisë. Në këtë mënyrë veterani i gjallë Stefan Kaçulini i dërgonte libra dhe fletore shkollës normale të Elbasanit.
 
Sotir Veveçka, qe një propagandis i flaktë i çështjes kombëtare. Në kohë e sultan Abdyl-Hamidit jepte fshehtas mësime në gjuhën Shqipe, në vitin 1907 kur ishte antar i gjykatës së Krujës jepte mësime në gjuhën Shqipe në mënyrë private dhe për këtë arsye e transferojnë në Shijak. Po ashtu edhe në Shijak në vitin 1908 i mblidhte shijakasit dhe i mësonte gjuhën Shqipe, e cila u bë shkak për pushimin e tij nga puna, ku ndërhyrja e miqve ti me influencë bëri që mos të burgosej. Në 1912 kur Ismail Qemali erdhi në Durrës u mundua që flamuri të ngrihej në Durrës.
 
Ziver-Muhamed Ismail Myderrizi, në kohën kur ishte student në Stamboll, u përfshi në organizata të fshehta me patriotë të tjerë me qëllim lejimin e gjuhës Shqipe dhe pavarsinë e Shqipërisë, dhe për këtë arsye kapet prej autoriteteve Osmane me qëllim që ta internonin por ndërhyrja e xhaxhait të tij Osman Myderrizi (kolonel në ushtrinë Osmane) dhe dajës Demir Pashës arriti të shpëtojë. Në vitet 1908-1909 kthehet në atdhe për të propaganduar pavarsinë e Shqipërisë, por nuk lejohet nga agjentët Osmanë kështu që kthehet përsëri në Stamboll ku krijon ilegalisht shoqërinë “Burimi” bashkë me dajën e tij Ibrahim Pashën.
_____________________________
Referenca: Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 170, viti 1937, dosja 47 (Komisioni i 25 Vjetorit të Vetqeverimit).