Me Prof Ferdi Papariston kam pasur shumë miqësi. Shpesh bisedonim për Elbasanin dhe në veçanti për malësitë. Një ditë, gjatë një bisede të zakonëshme e pyeta:

– Im atë, më ka thënë se jeni njohur në vitet e luftës, a të kujtohet?

– Po, është e vërtetë, Qazimin e njoh që në vitin 1942, – më tha Ferdi.

Im atë më kishte treguar se gjatë muajit korrik 1942, në Ballejë vinin vizitorë të shumtë nga Elbasani, Tirana, Dibra, Librazhdi dhe Mati. Në javën e fundit të korrikut kish ardhur vëllezërit Sofokli, Kolë, Ferdi dhe Albert Paparisto, të katër djemë elbasanas, katër intelektualë antifashistë, që pasi kishin kaluar në ilegalitet, ishin strehuar në Orenjë. Pas disa javësh, të katër do të inkuadroheshin në çetën partizane të Çermenikës.

Pasi e konfirmoi njohjen dhe udhëtimin në ato vite lufte në Martanesh, Prof Ferdi më tregoi dhe një ngjarje të lidhur me vizitën në Ballejë dhe si u njoh me tim atë.

“Një ditë me thirri komandanti Kadri Hoxha e më tha të shkoja në Ballejë për të vizituar një partizan dhe ta informoja, në se ishte në gjendje shëndetësore, për të përballuar një udhëtim të gjatë.

E mirëprita këtë detyrë, pasi ishte rasti të vizitoja Martaneshin. Kisha dëgjuar për bukuritë e bjeshkëve të kësaj treve, andaj i kërkova Kadriut të vinte me mua dhe Kola, botanist i apasionuar për florën dhe faunën dhe Sofokliu me Alberti, që kishin shprehur dëshirën të takoheshin me Baba Fajën.

Kadriu e miratoi propozimin tim dhe për të na shoqëruar në këtë udhëtim të gjatë, ngarkoi Faik Ballën, një djalosh të shkathët dhe shumë i respektueshëm.

Ndonëse u nisëm në mëngjes herët, në Ballejë arrijtëm në muzg, pasi Kola ndalonte e mblidhte bimë dhe na i përshkruante lulet e bukura e të rralla, sidomos kur gjente një zambak të bardhë, ndalonte e me entusiazëm përshkruante të famëshmin Pancratium illiricum.

– Termi latin pankracio, – spjegoi Kola, do të thotë potent, i fuqishëm, me këtë emër botnisti i famshëm Karl N. Linnaeus, e përkufizoi zambakun potent të Ilirisë.

Zambaku i bardhë i Martaneshit (Pancratium illiricum).

Kur arritëm në Teqen e Ballejës, na priti Baba Faja, i cili pasi na uroi mirëseardhjen, na prezantoi një partizan zeshkan, trup madh. Ai ishte malazezi Miladin Popoviç. Ai nuk fliste shqip, andaj u përshëndetëm me atë pak italishte që dinte. Ai ishte partizani i sëmurë, që do të vizitoja. Më shoqëruan në një dhomë të vogël në katin e dytë ku e vizitova

Miladinin. Vuante nga tuberkulozi, por klima, ushqimi dhe mjekimi, kishin ndikuar t’i përmirësohej gjendja shëndetësore dhe si kuptohet, mund të përballonte dhe udhëtime të gjata. Këtë konkluzion ia thashë Baba Fajës, madje me shaka shtova: “Druzhen e keni ushqyer si gjel deti, kështu si është aktualisht, udhëton në këmbë deri në Mal të Zi”.

Baba Faja qeshi me të madhe.

Kur u ktheva në Orenjë, këto ia thashë dhe Kadri Hoxhës.

Baba Faja shtroi një darkë të begatëshme dhe na krijoi një atmosferë festive e me biseda miqësore. Mikëpritja ishte shembullore, e zbukuruar me këngët e Isuf Myzyrit, me repertorin e plotë të tij dhe me këngë patriotike të Martaneshit.

Sofokliu dhe Alberti si dy specialistë muzike, konstatuan se martaneshasit këndonin në mënyrë origjinale. Këngën e fillonte një solist dhe më pas të tjerët i bashkoheshin në kor, pra ishte një polifoni e pëlqyeshme, këndonin në kor të intonuar, por pa iso dhe të pa shoqëruar me çifteli. Kësisoj i këndonin dhe balladat dhe këngët epike vendase, si këngët “Zjarr në male, zjarr në bjeshkë” dhe “Çohuni djema shaloni atin”, dy këngë shumë të vjetra, që evokonin patriotizmin e malësorëve të kësaj treve heroike.

Kjo mënyrë të kënduari polifonike, ndyshonte me trevat tjera të Shqipërisë së mesme, pasi në qytetet dhe në fshatrat e tjera, këngët popullore dhe ato të Isufit Myzyrit, këndohen solo, nga një këngëtar, pra një rapsod, i cili i shoqëronte me çifteli.

Njëkohësisht ata konstatuan se këngët vendase ishin pa ndikime të melodive orientale, ishin këngë epike me melodi të intonuar, harmonike dhe me ritëm hymni dhe ndonjëra me ritëm marshi. Ashtu si nëndialekti, doket, veshjet, vallet dhe këngët e martaneshasve, kanë karakteristika autoktone, ndryshojnë me ato të trevave të Dibrës, te Librazhdit, të Matit dhe të Tiranës.

Rreth këtyre veçorive etnokulturore dhe origjinalitetit të melodive të këngëve të Martaneshit, vazhduan diskutime të gjata dhe Sofokliu me Albertin kërkuan, qe disa këngë të rikëndoheshin, për t’i studiuar më mirë. Me këto biseda dhe me këngë, kaluam natën deri në agim.

Të nesërmen në mengjes, të shoqëruar nga partizani Qazim Alia, morëm rrugën e kthimit për në Orenjë. Me insistimin e Kolës, ndoqëm rrugën, që kalonte nëpër malet e Platunit dhe të Kaptinës, një rrugë e bukur, që lakonte përmes livadhesh e lëndinash të lulëzuar e nëpër shtigje mes pishave, bredhave të lartë dhe aheve shekullore.

Kur kaluam livadhet e Lekajve, para se të fillonim ngjitjen e malit, dëgjuam një melodi me fyell dhe tringëllima zilesh bagëtie.

Sofokliu me Albertin ndaluan e na urdhëruan dhe ne të dëgjonim e ndërkohë nxorrën blloqet dhe filluan të shkruanin notat në pentagrame të improvizuar në çast.

Pasi përfundoi melodia me fyell, Ata i kërkuan Qazimit të thërriste bariun. Pas disa minuta Qazimi u kthye bashkë me një djalosh zeshkan simpatik, trup lidhur, i cili mbante në dorë një fyell bronxi që ndriste.

Na përshendeti, duke na shtërnguar dorën të gjithëve me rradhë.

– Si të quajnë? – e pyeti Sofokliu

– Rexh Krypi, – u përgjigj djaloshi.

– A mund ta dëgjojmë dhe ne melodinë me fyell? – e pyeti Sofokliu.

– Po, me shumë dëshirë, – u përgjigj Rexha.

– Është melodi shumë e bukur, është si preludi i simfonisë Pastorale të Bethowen-it, – tha Sofokliu duke na u drejtuar ne të tjerëve.

Rexha e nxorri fyellin nga brezi dhe u ul këmbëkryq. U ulëm dhe ne rreth tij e me kuriozitet të madh, pritëm të fillonte të interpretonte, melodinë baritore.

Rexha e vuri grykën e fyellit në këndin e buzëve, anoi kokën pak sa nga e djathta dhe duke e hedhur vështrimin larg nga malet përballë, filloi interpretimin.

Gishtërinjt i lëviznin me gjallëri, sa të krijohej përshtypja se tingujt buronin nga gishtrinjt dhe jo nga vrimat e vogla te tubit te bronxit. Tingujt e ëmbël të fyellit, u përhapën ne eter, por pas pak, Sofokliu i kërkoi ta ndërpriste interpretimin e melodisë dhe filloi të komentoi.

– Fillimi është alegro non troppo, një melodi e ëmbël, që shpreh zgjimin e natyrës, lindjen ngadalë të diellit, gjallërimin e jetës së fshatit.

Pas këtij përshkrimi, i kërkoi Rexhës të rifillonte dhe njëherë nga e para e të vazhdonte deri sa t’i bënte shenjë që ta ndërpriste melodinë. Kështu vazhdoi pak minuta. Pasi i bëri shenjë, Rexha ndaloi. Sofokliu filloi të diskutoi me Albertin.

– Pjesa e dytë e melodisë është andante molto mosso, shpreh gjallërimin e jetës në fshat, të shoqëruar me mërmërimën e ujit në krua, me gurgëllimën e ujit të lumit, me eren qe fershellon permes gjetheve te pemeve me blegërimat e bagëtive, të pasuara me cicërimat e zogjëve, me këngën e bilbilit e të laureshës dhe me “ku – ku – ku” të qyqes.

– Pikërisht – aprovoi Alberti, – dhe djaloshi e interpretoi pa bërë asnjë shmangie nga linja e melodisë.

Të dy i thanë Rexhës të vazhdoi, duke e filluar melodinë nga e para. Tingujt e fyellit jehuan, duke e mbushur atë lendinë të qetë plot me nota gazmore, që shprehnin një festë malësorësh, të mbledhur për t’u argëtuar së bashku. Pa pritur, melodia ndryshoi, u mbush me tinguj të fortë e të dendur dhe pas pak u zbut, u qetësua e rrodhi ëmbëlsisht.

Sofokliu dhe Alberti i bën shenjë ta ndërpriste interpretimin.

– Kjo pjesë alegro e vrullshme, duket sikur po fillon shiu, një shi i dendur me stuhi, i shoqëruar me fërshëllimën e erës inatçore. Këtë pjesë djaloshi e shprehu me variacione të shumta, duke i përshkruar me nota emocionet e ditës me stuhi, – komentoi Alberti.

– Shumë e drejtë dhe pas kësaj pjese, melodia ndryshon, bëhet e butë, nostalgjike, e ëmbël, andaj ta dëgjojmë deri në fund, – tha Sofokliu.

Rexha, i ndiqte këto diskutime me vemendje, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, plot kënaqësi dhe i gatshëm të zbatonte “urdhërin”, për të rifilluar interpretimin edhe pse nuk i kuptonte këto lloje komentesh, me fjalë të mëdha e të vështira.

Ky ishte interpretimi i fundit. Rexha e përfundoi melodinë e pasi e uli fyellin, na vështroi të gjithëve me rradhë, si për të na pyetur: “A ju pëlqeu melodia ime?”

Sofokliu dhe Alberti, të mrekulluar thirrën:

– Interpretim i shkëlqyer, një mrekulli e vërtetë. Pasi e përqafoi Rexhën, Sofokliu na u drejtua ne të tjerëve:

– Një finale e bukur allegretto, që e mbyll melodinë, me përfundimin e stuhisë me nota optimiste, të rizgjimit të natyrës dhe jetës së fshatit. Kam dëgjuar dhe herë të tjera melodi me fyell, por kjo ishte ndryshe, është unikale, Rexha është artist virtuoz.

– Përgëzime Rexhë, të lumtë, na gëzove me interpretimin tënd, – i tha Alberti dhe e përqafoi.

– Kush të ka mësuar t’i biesh fyellit? – e pyeti Sofokliu.

– Gjyshi im Xhep Krypi dhe më porosiste gjithmonë, bjeri fyellit pa e ndryshuar avazin, – tha Rexha.

– Edhe ti duhet ta zbatosh këshillën e gjyshit, sepse ai ka të drejtë, ti po deshe bëj melodi tjetër, krijo melodinë tënde, por nuk duhet ta ndryshosh këtë, që luajte sot, – i sugjeroi Alberti.

– Kur të rikthehemi në Ballejë, do të vijmë të takojmë, – i thanë të dy.

Rexha buzëqeshte me një gëzim të brendëshëm, që i shprehej në sytë e ndritshëm dhe pasi na përshëndeti, u kthye të gregja, që kulloste në lëndinat gjelbëroshe, ndërsa ne vazhduam rrugën përmes maleve dhe në darkë vonë arrijtëm në Orenjë”.

Kështu e mbylli tregimin Prof Ferdi Paparisto.

I premtuan Rexhës se do ta takonin përsëri, por fati i mbrapësht, ua mohoi të dy palëve këtë nder dhe kënaqësi. Dy javë, pas takimit, me 4 gusht të vitit 1942, në malin e Platunit, Rexh Krypin e vranë, e vranë djaloshin e pafajshëm, e vranë artistin. Populli i Martaneshit, në vitet Luftës Nacional-çlirimtare dha besën të ndërpresi gjakmarrjen, këtë akt barbar tribal, por mendja e mbrapshtë, ndërgjegjia tragjike dhe dora kriminale e gjakësit mizor, shkeli mbi nderin, shkeli besën, shkeli fjalën e dhënë dhe tinëzisht e pas shpine, vrau djaloshin Rexhë Krypi, artistin popullor virtuoz.