Në Arkivin Qendror të Shtetit, në “Dosjen Nr. 1” të vitit 1945, me titullin “Kisha Ortodokse Autoqefale. Emërtimi struktural: Organizimi i kuadrit”, gjendet  dorëshkrimi i një letre të datës 8.6.1945, të cilën Visarion Xhuvani ia ka dërguar si përgjigje Së Shenjtës Kryesi të Sinodit të Hirshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë për një vendim në lidhje me Peshkopin e Gjirokastrës Pandelejmon Kotoko.

Sipas kësaj letre Kryesia e Sinodit duhej të merrte një vendim për të pushuar nga detyra kishtare titullarin e Dioqezës së Gjirokastrës, Pandelejmon Kotoko, i cili ishte peshkop i kësaj Dioqeze të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pushimi i tij nga detyra kërkohej sepse gjatë një kohe prej më shumë se katërvjeçare ai e kishte braktisur Dioqezën e Gjirokastrës duke mos qenë në drejtimin e saj. Sipas Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe sipas kanoneve të hirshme të Ortodoksisë Peshkopi Pendelejmon Kotoko kishte bërë shkelje statutore dhe kanonike që çonin në masën ndëshkimore të pushimit nga detyra kishtare.

Nëpërmjet kësaj letërpërgjigjeje Visarion Xhuvani, që në atë kohë ishte Peshkop i Beratit, Vlorës dhe Myzeqesë dhe anëtar i Kryesisë së Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i sugjeron Kryesisë së Sinodit që ajo të ndiqte procedurat e nevojshme për organizimin e Gjyqit të hirshëm, i cili parashikohej prej Statutit të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale dhe prej kanoneve të shenjta. Gjykata Shpirtërore ishte organi kompetent që do të gjykonte çështjen e braktisjes së detyrës kishtare nga Peshkopi Pandelejmon Kotoko dhe do të vendoste për pushimin e tij nga detyra kishtare pasi t’i bëhej atij thirrje e hapur publike në gazetat (fletoret) e Shqipërisë dhe nëpërmjet njoftimit të posaçëm në organin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Vetëm pas këtyre veprimeve procedurale për titullarin e Dioqezës së Gjirokastrës Peshkopin Pandelejmon Kotoko dhe vetëm atëherë Gykata Shpirtërore do të shqyrtonte vendimin e pushimit nga detyra të titullarit në mungesë të tij, dhe në bazë të shkeljeve statutore dhe të së drejtës kanonike kishtare për braktisjen e detyrës kishtare në Dioqezën e Gjirokastrës. Për këtë vendim të Gjykatës Shpirtërore Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë lipsej të njoftonte Qeverinë shqiptare, sepse ajo e kishte të drejtën e miratimit të shkarkimit nga detyra peshkopale dhe prej saj vendimi i Sinodit do të merrte formën e prerë të ekzekutimit.

Më poshtë po japim të plotë fotokopjen e kësaj letre të Visarion Xhuvanit, sepse për përmbajtjen e saj kemi dhënë më sipër vetëm një përmbledhje të disa çështjeve që ajo ka shprehur.