Nё vazhdim tё reportazhit pёr pёrurimin e rrugёs Tiranё – Qafё Kёrrabё – Elbasan, siç premtohet nё fund tё shkrimit, revista “Minerva”  boton reportazhin e mёposhtёm. Nё reportazh pёrshkruhen tre qytete, Elbasani, Korça dhe Pogradeci. Ky reportazh ёshtё nёnshkruar nga N. Ç. (inicialet e drejtorit tё revistёs nё fjalё, Nebil Çika). Mё poshtё ёshtё pjesa qё i takon Elbasanit:

Minerva nё krahinat

NGA TIRANA NË KORÇË

Njeriu nuk e zbulon dot Shqipërinë, e sidomos nuk kupton dot se sa punë konstruktive janë bërë gjer tani, veçse kur del jashtë Tiranës dhe shpëton nga zgjedha verbonjëse e kësaj qëndre t’ipokrizisë, t’intrigës, të kombinezoneve politikë plot vanitet e vogëli e të sipërmarjeve influente dhe parazite.

Shqipërija e vërtetë, e fjeshtë dhe e bukur, e sinqertë dhe krenare, fillon përtej kufive të Tiranës: ajo shpirtin e saj e çfaq andej e tutje…

E me të vërtetë ç’madhëri e gjithë ajo rug’ e re nga Tirana n’Elbasan, dhuratë e bukur e përpjekjeve konstruktive të Shqipërisë ! Një rugë e veshur krejt, e qarkuar me kodra që buzqeshin, me male q’i japin udhëtarit kuptimin e një të paprekëshmërije krenare mistirioze, me fusha fqinj e të larkta q’evokojnë qetësin’e shpirtit dhe ju thrasin të shtriheni, pa gaile, nënë rezet e diellit, dhuronjës të një fiziollogjije të këndëshme përtese, ose nënë hijen e pemëve të freshkëta e plot prëhje.

Duke përshkuar rugën e Elbasanit jini në shoqëri drejt për drejt me Natyrën dhe jini, lark nga vanitetet e jetës së qytetit, n’intimitet të ëmbëlë me vet-vetëhen t’uaj. Ndjeni shijen e rallë të jetës së çliruar nga ambicja, nga lakmija dhe nga lodhjet dërmonjëse që tërheqin pas këta mallkime.

Automobili shtrihet në distancë dhe para syve të njeriut shpërdridhen pamje të gjëra, që e bëjnë të ndjejë vogëlinë dhe pafuqishmërin’e tij para Natyrës vigane dhe autoritare, e me gjithë këtë përkdhelëse dhe mirdashëse.

Elbasani

Pas nonjë orë udhëtiml në prëhrin e kësaj natyre të gjërë, fillon të duket, nga lartësija e një mali q’e përshkoni duke u ulur tatëpjet, Elbasani, i futur në hijen e pemëve jeshille të thellë, sikur flë.

E me të vërtetë Elbasani flë, indiferent kundrejt aktivitetit të zjartë dhe pëpjekjeve plotë ethe dhe etje, që theksojnë karakterin e shekullit të sotmë, atje lark, përtej kufive të Shqipërisë plakë. Njerëzit në këtë qytet që kënga e popullit e do «të bukur» e «në kërthizë të Shqipërisë», rinë nëpër dyqane e kafene ose ven’ e vijnë nëpër kalldërëme të tregut të dëndur, posi automatër që mezi lëvizin nënë barën e rëndë të një konservatorizmi të plakur shumë, po që, në kundrështim me vjetërsin’ e tij skeletike e dhëmbë-rënë, ësht’ akoma i fortë dhe i gjallë.

Ky konservatorizm i Elbasanit, i cili në kthedrat e tij vyshk dhe mbyt akoma edhe brezin q’është duke u ritur nëpër shkolla – dhe s’janë pak këta, mjerisht – shpërblehet me urtësin’ e elbasanasit të bindur, zëmër mirë dhe nikoqir, që kënaqet me pak e q’është mjaft punëtor. Të tri cilisit’ e fundit duke iu shtuar tokës pëlla të vendit, i kanë siguruar elbasanasit një gjëndje ekonomike të mirë. Ay prodhon duhan, vaj, pemë e të tjera, nevojat e jetesës i ka të pakta e kështu ka mundur të përmbleth edhe një kapital, të cilin e mban në sënduq ose e përdor më ndonjë punë, pse me gjithë shpirtin konservator që vihet re edhe në lëmin tregtaro-financiar, prap nisjativa private e kolektive nuk mungou n’Elbasan. Hotelet e Llixhës, fabrikat e vajit, e alkolit, e cigareve dhe ca gjëra të tjera, si Grand- Hoteli q’është m’e mirë se hotelet e klasit të parë të Tiranës, janë dëshmitarë të një agimi të vonuar të përpjekjeve tregtare të lëvduarshme.

Një tjatër cilisi e elbasanasit është miqësija e tij për kulturën. Ay ka etje këndimi në qetësinë q’i siguron jeta monotone e qytetit. Veç kësaj me Kristoforidhin, me Normalen e me disa nga të bijt e tij, elbasanasi e ka traditë dhe zakon lëvrimin e gjuhës dhe miqësin’e letraturës e të kulturës, e bashkë me këtë patriotizmën.

Një fakt tjatër, veç atij të pasjes së një shumice studentësh, që tregon miqësin’ e elbasanasit për kulturë, është bibliotheka që është duke ngritur familja Beholli. U ndodha në ceremonin’ e hedhjes së themeleve të godinës që për pak muaj do të jetë streha e miqve të këndimit. N’apathin’ e përgjithëshme shqiptare për vepra mirbërësije, familja Beholli, pas Ali Agjah beut prap t’Elbasanit e pas Z-it Thoma Turtulli të Korçës, e ka të drejtë çdo lëvdatë dhe mirnjohje.

Një klub që përmbleth elitën e Elbasanit gjith’ ashtu ekziston në qytet, sado që gjallërija dhe aktiviteti i saj është tepër e kufizuar, po që për veç faktik t’ekzistencës së tij ju përket edhe si një bërthamë shprese.

Po të gjitha këto që kallzoj, s’janë veçse përshtypjet e një shtegtari të ngutshëm e të zënë me putië. Çdo qytet ka një shpirt shum’ a pak një soj me shpirtin e njeriut e pra s’mund të kapet me një shëkim. Do studim e anketë. Dhe Elbasani, nte gjithë konservatorizmin që bije në sy me-një- herë, ësht’ aq i dashur sa që kam një dëshirë të madhe që t’a njoh më mirë shpirtin e tij e t’ja u njoftoj këndonjësve të mij.

(Marrё nga revista “Minerva”, Nr. )