Nevruz Tahiri me prejardhje nga Kamiçani i Gramshit, por me banim në fshatin Mlizë të Shushicës, lindi në 25 mars të vitit 1937. Siç e ka bërë edhe vetë të ditur, fyellit ka filluar t’i bjerë që në moshë të njomë, kur ka qenë vetëm 10 vjeç. Që prej asaj moshe e deri sa u nda nga jeta, asnjëherë nuk reshti së luajturi në fyell. Që në fëmijërinë e deri sot që nuk është më mes nesh, imazhi që krijojmë për Nevruzin, është ai i instrumentistit, i cili asnjëherë nuk e ndante nga vetja instrumentin e tij të dashur, që i fali kaq shumë gëzime e kënaqësi, fyellin (kavallin).

Kur shikoje Nevruzin në skenë me kokën e pjerrët dhe fyellin e gjatë, me lëvizjen e gjallë të gishtërinjve dhe një frymëmarrje të thellë, të jepte përshtypjen se nuk kishte ndërprerje midis melodisë dhe frymarjes së tij. Ai dëgjohej jo vetëm nga spektatorët, por edhe nga regjistrimet e Radio Tirana dhe Tevizioni Shtetëror.

Me talentin e tij, ai mahniti edhe spektatorin e huaj jashtë vendit si pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të Dizhonit në Francë, nga 31 gusht – 6 shtator 1970. Në këtë festival, ansambli ynë fitoi çmimin “Gjerdani i Artë“, ndërsa Nevruzi mori vlerësimin më të lartë që jepej nga juria e tij, laureat i festivalit. Kompozitorët francezë u tërhoqën nga meloditë e tij të pakrahasueshme me të tjerat dhe e përzgjodhën për të qenë kolona zanore e filmit francez “Fara e ithrës“. Po ashtu, instumentisti popullor Nevruz Tahiri u nderua edhe në Festivalin Folklorik Kombëtar, që u zhvillua në Gjirokastër, si laureat i festivalit.

Ai pati një repertor të gjërë artistik duke marrë pjesë në disa festivale folklorike në Lezhë apo Gjirokastër, por edhe qytete të tjera. Ai shkonte kudo, në çdo qytet dhe me melodinë e bukur popullore të dalë nga fyelli e tij, përcillte mjeshtërinë e një instrumentisti që i jepte jetë melodive të folklorit tonë. Ndër meloditë e tij më të spikatura janë: “Melodia e vajtimit”, “Avazi i këmborave”, “Avazi i korijes” etj.

Për talentin dhe përvojën që kishte, Nevruzi ishte përzgjedhur edhe si anëtar në jurinë e konkurimit të grupeve folklorike në festivalin e Gjinarit. Ka shkruar disa artikuj në gazetën “Shkumbini”, sidomos për Festivalin e Labinotit, duke  përshkruar profesionalisht natyrën e pjesëve që luheshin në këto festivale.

Nevruz Tahiri në vitin 1983 krijoi grupin folklorik instrumentist “Shpati”. Për shumë vite  punonte si metodist i folklorit në Shtëpinë e Kulturës, Elbasan ku edhe doli në pension. Talentin e tij e trashëgoi edhe i biri, Meti. Nevruz Tahiri u nda nga jeta në 16 shtator të vitit 1999.