E quajtur e tillë, pikërisht sepse aty falej falej namazi nga besimtarët muslimanë, Namazgjaja e qytetit tonë, përbën një nga vendet më të dashura për të gjithë qytetarët. Sot këtë vend ne e thërrasim akoma me njëjtin emër, por ai nuk ka aspak pamjen që ka pasur, në mungesë edhe të të selvive simbol, që e identifikonin Namazgjanë e Elbasanit.

Ky  vend mjaft i lakmuar në fotot e shkrimet e shkruara për të kaluarën e qytetit tonë, nuk ka më rëndësinë që ka pasur dikur, përveçse përdoret si referim për vendtakimin e qytetarëve të ndryshëm .

Do të ndalemi tek ndryshimet që ka pasuar ky vend, duke iu referuar një shkrimi të autorit Geri Daka, në gazetën “Elbasani”, të vitit 2004, i cili na jep një pasqyrë të qartë të domethënies së Namazgjasë për Elbasanin.

“Në fundin e shek.XV, qyteti i Elbasanit mori një shtrirje të gjërë jashtë mureve të kalasë, duke arritur përgjatë një shekulli përmasat e një qyteti të madh të kohës.

Në mes të qytetit ndodhej edhe Namazgjaja, një shesh lëndinë rrethuar nga rreth 60 selvi të larta. Në drejtimin nga Kibla, ajo kishte të theksuar nikenë, mihrabin dhe shkallaren e miniberit të realizuar me strukturë guri. Rreth e rrotull një bordure prej guri dhe kangjella druri qarkonin sipërfaqen e Namazgjasë në të katër anët.

Namazgjaja e Elbasanit kishte përmasa të mëdha dhe, mendohet , se ajo vjen e para ndaj të gjitha Namazgjave të tjera të ndërtuara në vendin tonë. Edhe pse Namazgjaja ishte shpallur “Monument kulture”, që do të thotë se ajo kishte mbrojtjen e shtetit, livadhi i bukur i dikurshëm i Namazgjasë, miniberi i saj me shkallët e gurta tepër të veçanta e karakteristike, bordura rrethuese me gurë e me kangjella druri etj tani janë shkatërruar krejt.

Në vendin e dikurshëm të Namazgjasë u hapën, gjatë viteve ’70, themelet e Pallatit të Sportit ku u ndërtua edhe bazamenti i tij prej hekuri e betoni.

Kësisoj, gjurmët e Namazgjasë u fshinë krejt. Më e dhimbëshmja qe se u prenë edhe selvitë e larta, që kishin mbetur deri në ato vite.

Po një urdhër i çuditshëm që erdhi nga lart, anulloi ndërtimin e Pallatit të Sportit në sheshin e Namazgjasë, pasi u gjet një tjetër shesh për ndërtimin e saj (aty ku është sot Pallati i Sportit “Tomorr Sinani”).

Komuniteti Musliman  që e ka edhe sot Namazgjanë pronë të tij, ka dalë kundër ndërtimeve që mund të bëheshin në këtë vend, duke u përpjekur t’a ruajë të pazënë këtë hapsirë. Kështu, sot Namazgjaja ka mbetur një treg i zakonshëm.”.