Na vjen moti…

Na vjen moti prej s’mari,

Çelin bathrat e zymbylat.

– Meshde, o djem, se vjen behari,

Baçe më baçe këndojnë bylbylat.

 

– Ju, moj lule, buz’burbuqe,

A s’na çilni, të na gëzoni,

Ca jeshile, ca të kuqe,

Gjith’ dynjanë ta zbukuroni.

 

– Ju moj lule, pse u qellët simjet?

– Pritëm borën gjersa u tret,

Dimrit falni me shëndet,

Vjen behari, ma s’na nget.

 

Ç’na gëzon ky behari,

S’na ‘ep ma siklet,

Jeshilon toka nga bari,

Dalin lulet me kimet.

 

– Ju, moj lule, gjith’ sa jeni,

Ma të parin ju ci’n keni?

– Vezir kemi karafilin,

Padisha kemi trëndafilin.

 

– Ju, moj lule, të vitit të ri,

Hapni e çelni her’ për her’,

Derdhini mall e bukuri,

Derdhini erën nga kjo verë.

Kjo këngë këndohet 3 herë në vit, për Vitin e Ri, për Ditën e Verës në muajin mars dhe një herë në muajin maj për festën e Shën Gjergjit. Për festat e fundit, strofa e fundit ka ndryshim fjalësh.