Mustafa Bodini është padyshim një nga emrat që i ka dhënë identitetin këngës popullore qytetare elbasanase. Kompozitor dhe aktor, Bodini i ka dhënë një krijimtari të jashtëzakonshme qytetit të tij. Në 60 vjet, krijimtari ai la pas 70 këngë e 7 drama.

Mustafa Bodini lindi në Elbasan, në vitin 1900, në shtëpinë e familjes së tij në lagjen Namazgja, në atë godinë ku u instalua shkolla “Zgjimi”.

Fillesat e arsimimit të tij i mori në qytetin e lindjes. Ai ndoqi shkollën Plotore në Elbasan. Mësimet e larta i ndoqi në Tiranë. Mbaroi shkollën për sekretari, por edhe pse punoi në profesionin e tij, asnjëherë nuk la pas dore pasionin e tij të madh për muzikën. Gjatë kohës së studimeve të tij punonte edhe si këngëtar në bar “Stambolli”. Ëndrra e tij shkonte përtej muzikës, ai u mor edhe me aktrim, kryesisht luajti komedi. Talenti i tij i ra në sy të gjithëve, duke e bërë atë të spikatej ndër të tjerët. Të gjithë shihnin tek Bodini të ardhmen e kinematografisë shqiptare. Formimin e tij si aktor e mori në Itali , ku  dha shkëndijat e para të talentit në aktrim. Spikati me rolët në Çineçita, duke plotësuar kështu imazhin e personalitetin e tij artistik.

Në vitin 1940, pasi ishte martuar me bashkëshorten e tij italiane, Adën, kthehet të jëtojë në Shqipëri, së bashku me dy djemtë e tyre, Saliun dhe Aleksandrin. Fillimisht në Shqipëri bëri një jetë të thjeshtë, duke punuar dhe përballuar njëkohësisht sëmundjen e rëndë të lëkurës.

Në vitet e mëvonshme, jeta e tij nuk do të ishte aq e lehtë. Në vitin 1945 u nda nga e shoqja dhe fëmijët, të cilët u larguan në Itali. Vetë Bodinin e dërguan në kënetën e Maliqit, ku edhe u burgos, fizikisht, se në shpirt e krijimtari mbeti gjithmonë i lirë.

Në vitin 1953 fillon punë si punëtor krahu në Sauk e në 1954 në fabrikën e porcelanit. Gjendja ekonomike e tij linte për të dëshiruar. Asnjëherë nuk ndaloi së shkruari e së shprehuri.

Vdiq i vetëm në 17 prill të vitit 1970. Pas vdekjes emri i tij nuk u shkrua e nuk u përmend për 35 vjet.

Mustafa Bodini i këndoi së mirës, së bukurës, së sinqertës, të urtës, në një krijimtari që sot përbën themeli i këngës së Elbasanit e Shqipërisë.