Mit’hat Frasheri lindi në Janinë, me 25 mars 1880. Ai ishte djali i atdhetarit të shquar Abdyl Frashëri. Arsimin e mesëm e kreu në Liceun Perandorak të Gallata Saray, dhe në vitin 1904, mbaroi Shkollën e Lartë Administrative po në Stamboll.  Në vijim shërbeu në periudha të ndryshme në administratën osmane në vise të ndryshme të Perandorisë.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908.  Mit’hat  bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.

Mit’hat  Frasheri mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare në nëntor 1912, dhe në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemal Vlora ai ishte i ngarkuar me detyrën e Ministrit të Punëve Botore. Këtë funksion ushtroi edhe në administratën e Vidit deri në shtator 1914.

Pas Luftës se Parë Botërore Mit’hat Frashëri migroi në Lozanë të Zvicrës, ndërkohë që qeveria e Durrësit e krijuar me 25 dhjetor 1918 nën kryesinë e Turhan Pashe Permetit e dekretoi si Ministër pa portofol. Ajo qeveri e caktoi antar të dërgatës shqiptare të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris, ndërkohë që edhe Federata “Vatra” në SHBA e Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e deleguan si përfaqësues të tyre në atë Konferencë. Mid-hati nuk shkoi në Paris si anëtar i delegacionit, por qëndroi në Lozanë, duke zhvilluar një veprimtari publicistike e diplomatike shumë të ngjeshur e shumë me vlerë.

Ai qëndroi në Zvicër deri në fillim të nëntorit 1920 kur qeveria kombëtare e Sulejman Delvines  e dekretoi si përfaqësuesin zyrtar të shtetit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Ai vendosi menjëherë kontakte  me personalitete evropiane, miq të Shqipërisë, që ndodheshin pranë qarqeve vendimmarrëse, dhe kërkoi ndihmën e tyre për të mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Me atributet e kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes, në shtator 1920 ai udhëtoi për në Londër, Washington, Boston, Çikago, Detroit, Toronto, ku kërkoi mbështetje politike për çështjen shqiptare e veçanarisht mbështetje ekonomike për forcimin e shtetit të ri shqiptar. Ai luajti një rol përcaktues në modifikimet pozitive që iu bënë vendimeve të ndërkombëtarëve ndaj statusit dhe kufijve të shtetit shqiptar pas lufte.

Me 26 korrik 1921, me vendimin e Këshillit të Ministrave dhe të Regjensës Shqiptare, Mid-hat Frasheri nga kryetar i Delegacionit Shqiptar pranë Konferences së Ambasadoreve në Paris, që do merrej me trajtimin e çështjeve që nuk morën zgjidhje nga Konferenca e Paqes e ndër to edhe çështja shqiptare, u dekretua edhe I Ngarkuar me Pune pranë Republikes Franceze, pozicione qe i mbajti  deri në pranverën e v.1922. Në qershor 1922, Mid-hat Frasheri u gradua si Ministër Fuqiplote i Shqiperisë në Republiken Franceze, madje u miratua edhe akreditimi nga qeveria francez. Për arsye të vështirësive financiare, Parlamenti shqiptar suprimoi funksionin e Ministrit Fuqiplote në Legatën shqiptare në Paris duke lënë vetëm ate të Londres, që do mbulonte edhe Parisin.

Me 12 tetor 1922. Mid-hat Frasheri kthehet në Atdhe. Me vendim të Këshillit te Ministrave  ai rifutet në shërbimin diplomatik duke u emeruar Minister Fuqiplotë në Athinë, duke qenë edhe Ministri i parë Fuqiplotë shqiptar në Athine. Si diplomat Mid-hat Frasheri qëndroi deri me 26 mars 1926 kur Këshilli i Ministrave dhe Presidenti Zog pranuan kërkesën e tij për dorëheqje nga shërbimi, doreheqje që ai e kishte depozituar që me 16 dhjetor 1925. Pas këtij akti ai kaloi në jetën e tij private duke mos u marrë me asnjë nëpunësi shteterore.

Në vitet që Mid-hat Frashëri drejtoi Legatën shqiptare në Athinë ai kërkoi e punoi fort për zgjidhjen e një varg problemesh bilaterale për kohën, ku më të spiatuart përmendim hapjen e shkollave shqipe në Greqi në reciprocitet me shkollat greke që qeveria shqiptare kishte lejuar në Shqiperi, apo ndalimin dhe përjashtimin e popullsisë shqiptare sidomos asaj came nga shkëmbimi i popullsive greko-turke sipas marrëveshjes që kishin bërë këto dy vende ne Lozane në 1922, si dhe mbrojtjen e pasurise së muslimaneve shqiptare nga konfiskimi .

Ai ndërroi jetë në SHBA, New York, me 3 tetor 1949. Pseudonimi i tij letrar ishte Lumo Skendo.