Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Në Shqipëri në kohën e Perandorisë Osmane nuk kishte hotele.  Kishte vetëm hane.

Dhe mikpritje shqiptare…

Ja cfarë thotë Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij :

“Në Shqipëri i jepet rëndësi mikpritjes. Nëpër qytete nuk ka pasur hotele per “zotërinjtë”. Disa bujtina mjerane (hane) ishin vetëm për popullin e thjeshtëe. Nesë ndokush që kishte emër apo pozitë, ose së paku e mbante veten për dikushin vinte në një qytet, për të bujtur ai mësynte në ndonjë “shtëpi të madhe”, apo në mungesë të saj, në ndonjë tjetër më të vogël, por të rëndësishme dhe të hapur, që ishte derë e madhe dhe oxhak i lartë.” (Eqerem bej Vlora, kujtime f. 35)

Bujtjen në një nga ” shtëpitë e mëdha “ të qytetit të Elbasanit, atë të Dervish bej Bicakciut e përshkruan gazetari francez Gabriel Louis-Jarey, në shënimet e udhëtimit nëpër Shqipëri, në prag të shpalljes së pavarsisë (1912) :

“… Dervish beu është kryetar i familjes së Biçakçinjve, familjes së parë të Elbasanit…. Jemi katër vetë të ulur në tryezë dhe katër vetë qëndrojnë pas nesh. Sjellin një legen bakri dhe një ibrik dhe na sjellin ujë për të larë duart. Pastaj darka fillon me një supë brenda së cilës ka copa mëlçie shpendësh. Kos ose djathë u shërbehet atyre që dëshirojnë, këto bëjnë pjesë në çdo të ngrënë dhe secili merr sipas orkesit. Mish deleje me salcë është pjata e pare( tavë me pistil). Shqiptarët e gatuajnë kështu edhe delen edhe lopën, por jo viçin, të cilin e përjashtojnë nga ushqimi i tyre. Më pas ka shumë perime, një lloj byreçke me petë që i ngjan një ëmbëlsire, por që brenda ka barishte që i ngjasojnë spinaqit, patëllxhanë të fërguar me gjalpë, një gjellë me speca shumë të veçantë të cilën e quajnë ‘brirët grekë’ dhe, në fund, pilafi tradicional, sepse, këtu orizi zëvendëson pataten që nuk njihet. Këto gjellë ndahen nga gjëra të ndërmjetme si pite dhe ëmbëlsira të ndryshme me miell misri, dhe, për ta mbyllur, ushqimi më i shijshëm, pjeshkë të tulta e të lëngshme si ato që gjenden vetëm në Francë, si edhe rrush të artë e të shijshëm…”.

Darkë e parisë së Elbasanit, 1937, Arkivi Digjital Elbasan

Darkë e parisë së Elbasanit, 1937