Për çdo elbasanas, por edhe për shumë normalistë kudo në Shqipëri, ndarja nga jeta e një kolegu të tyre arsimtar, është një ndarje nga një personalitet. I tillë është cilësuar edhe mësuesi Mehmet Qorri. I lindur më 1911, në një familje qytetare elbasanase të mirënjohur për kontributet në lëmin e arsimit dhe një prej të vetmit normalistë që ishte dëshmitari më i vjetër dhe i nderuar i Normales së Elbasanit, jeta e tij ka qenë e mbushur me një aktivitet në shërbim jo vetëm të arsimit, por edhe të kombit, duke merituar edhe nderimin nga Presidenti i Republikës Sali Berisha me “Urdhërin Naim Frashëri” të klasit I më 4 mars 1993 me motivimin “për kontributin e dhënë në arsimimin e brezit të ri, mësues i talentuar që me kompetencë ka pasuruar didaktikën e mësimdhënies”.
Fëmijëria e Mehmet Qorrit lidhet me Luftën Ballkanike dhe Luftën I Botërore, kur ai dhe familja e tij vuajtën plagët e këtyre luftrave si edhe shumë shqiptarë të tjerë. Për normalistin e ardhshëm do të mbeten të pashlyeshme protestat popullore në Elbasan në mbrojtje të integritetit të shtetit shqiptar si dhe ngjarja e strehimit nga familja e tij e 30 familjeve nga Erebara e Peshkopisë që ishin dëbuar me forcë nga vatrat e tyre nga shovinizmi serb, ashtu siç kanë bërë shumë familje elbasanase që kanë strehuar vëllezërit e tyre të përtej kufijëve.
I ati i Mehmet Qorrit, patrioti Ismail Qorri është një nga pjesmarrësit në kryengritjen e vitit 1912 për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pushtuesit e huaj, kurse në vitet e pushtimit fashist burgoset dhe internohet në Itali si antifashist.
Në vitin 1923 Mehmet Qorri është pjestar themelues në formimin e shoqërisë sportive “Sazani”. Në vitet 1928-1929, pasi mbaroi shkollën e mesme Normale në Elbasan, që njihet edhe si Universiteti i Parë shqiptar, Mehmet Qorri kontribuoi si arsimtar në qytetet Vlorë, Kavajë (në Institutin Bujqësor), në Berat, Peqin dhe Elbasan. Në Elbasan dhe Berat Mehmet Qorri shërben edhe si Drejtor Didaktik i Qarkut. Ai bën pjesë në plejadën e arsimtarëve të viteve 30-40 që futën në mësimdhënie metodat e njohura të Rusoit, dr. Ed Claparende e të tjerë iluministëve europianë. Mehmet Qorri së bashku me studentë të tjerë në Universitetin e Gjenovës më 1939 protestuan fuqishëm kundër pushtimit fashist të vendit, pikpamje të cilat i demonstroi edhe pas kthimit në Shqipëri. Më 1943 pushohet nga puna. Po ashtu edhe pas çlirimit, më 1950 Mehmet Qorri pushohet nga puna, si qëndrime politike të partisë në pushtet ndaj intelektualëve të diplomuar në Perëndim. Deri sa doli në pension, Mehmet Qorri bëri punë të rëndomta.
Qytetarët elbasanas, por edhe ish nxënësit e tij të viteve 30-40 ruajnë në kujtesën e tyre profesorin e nderuar, duke merituar edhe nderimin e Shoqatës Normalisti, si më i vjetri nga normalistët shqiptarë. Vitet e demoracisë ishin një tjetër dritare në jetën e këtij njeriu që e jepte kontributin e tij jo vetëm me pjesmarrjen si një njeri i nderuar edhe përmes djemëve të tij Skënderit e Dashamirit, si aktivistë të shquar në proçeset demokratike.
Ndarja nga jeta e çdo normalisti është një homazh për të gjithë ata bij të Elbasanit që si normalistë i dhanë emrin e nderuar qytetit të tyre të dashur të Normales së famshme.

Mehmet Qorri, normalisti që jetoi me arsimin në shpirt, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Mehmet Qorri, i pari majtas në kembë.