Në kujtimet e tij, Jorgji Santo, nipi i Marie Buda rrëfen për një flamur, të cilin për vite e kishin pasur të qepur në një jastëk si një aksesor zbukurimi në shtëpinë e tyre, një kujtim i çmuar i familjes Santo, sepse ky flamur ishte qëndisur si dhuratë për gjyshin e tij nga gjyshja. Marie Buda, ato vitet e pavarësisë si shumë vajza të reja, qëndisnin flamuj me simbole kombëtare, të cilat i mbanin si zbukurime, i bënin dhurata, por i përdornin edhe në paja.

Marie Buda i dhuroi pikërisht për ditën e pavarësisë së Elbasanit bashkëshortit të saj, Jorgji Santo një flamur, i cili në fakt sot merr një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është një nga ato flamuj “dhuratë” që qëndiseshin nga vajzat në atë kohë. Ky flamur, tanimë 108 vjeçar, ka të qëndisur në të  shqiponjën, simbolin tonë kombëtar dhe datën e Shpalljes së Pavarësisë, të qëndisur me fije ari.

Marie Buda aso kohe ishte një vajzë 16 vjeçare dhe rridhte nga një familje me një mbiemër mjaft të vlerësuar në Elbasan, siç ishte familja Buda. Ajo ishte vajza e xhaxhait të Aleks Budës dhe mbesa e Taq Budës. E entuziasmuar si shumë vajza të tjera,  nga atmosfera në prag të Shpalljes së Pavarësisë ajo qëndisi këtë flamur, që sot përbën një objekt shumëvjeçar, me shumë vlera patriotike e historike.