Ligor Sqapi lindi në Elbasan, në familjen e një zanatçiu. Shkollën 7 – vjeçare e kreu në lagjen e tij, në Shënkoll. Arsimin e mesëm e kreu në Teknikumin Bujqësor të Kamzës, në Tiranë, në vitin 1955.

Pasi mbaroi shkollen emërohet inspektor në Komisionin e Planit të Shtetit për pyjet dhe pas dy vjetesh, teknik pyjesh.

Në vitin 1958 fillon studimet në Universitetin e Sofies, ku pas prishjes së marrëdhenieve me ish vendet e kampit socialist, kthehet si shumë studentë  të tjerë dhe i përfundon studimet në Institutin e Lartë  Bujqësor të Tiranës, në degën e kultivimit të luleve dhe drurëve dekorativë.

Në vitin 1962 mbron diplomën me projektin e parkut të qytetit të Korçës. Më pas emërohet në  Ndërmarrjen Komunale të Tiranës, në Ministrinë e Ekonomisë Komunale dhe në vitin 1966 kthehet në vendlindje, Elbasan.

Menjëhere nis punën për gjelbërimin e qytetit të Elbasanit me metoda bashkëkohore dhe në përshtatje me natyrën e qytetit ku lindi. Projektoi dhe zbatoi parqe e lulishte të reja, si: parku Rinia, varrezat e dëshmorëve, lulishten tek shatërvani (përballë ish – klubit të gjuetarëve). Gjelbëroi me drurë dekorativë të gjitha rrugët e qytetit, si bulevardin kryesor, rrugën “Rinia” (rruga e blirave).

Ligori ështes nismëtari i përhapjes dhe kultivimit të mimozave, të blirit, të palmave, fikuseve etj. Falë punës së tij edhe sot e kësaj dite, me gjithë ndryshimet e ndodhura, ka gjurmë të gjelberimit dhe zbukurimit të qytetit tonë.

Ligori ishte ai që ngriti fidanishten e luleve të qytetit, ishte ai që realizoi për herë të parë eksportin e mimozave. Traditën e luleve të Elbasanit si qytet i luleve e përmirësoi dhe zhvilloi më tej. Bëri më të mirën për zbukurimin e qytetit të tij, falë njohurive bashkëkohore që kishte.

Ligori do të mbahet mend edhe për humorin dhe komunikimin brilant me bashkëqytetarët e tij. Të gjithë eksperiencen dhe punën e tij të palodhur për qytetin, i botoi në librin :”Kultivimi dhe trajtimi i luleve e drurëve dekorativë”.

Ndërroi jetë  në një moshë shumë të re, por la gjurmë të pashlyeshme, të cilat duken edhe sot e kësaj dite në qytetin tonë, në qytetin e tij, në Elbasan.