Historia e Leksit Vinit,është shumë e trishtueshme,deri në fund të jetës së tij.Ai shkroi dhe grumbulloi thesare folklorike në 65 kg.letër. Ai vdiq si lustraxhi, i vetmuar dhe në varfëri. Nga jeta e vështirë që bënte i shkroi letër komitetit të partisë: “Dua të vdes në dhe të huaj pasi Shqipëria nuk e meriton përkushtimin tim”.
Kjo është shumë shkurt jeta e tij.

Ja çfarë ka shkruar ai në librin e tij “Tradita zakonore të Elbasanit,për ditën e Nevruzit:

Dita e Nevruzit

Në 9 Mars allaturka,sekti Bektashian feston ditëlindjen e imam Aliut (22 Mars) dhe 3 ditë më pas,më 12 Mars allaturka,festohet Dita e Nevruzit nga muslimanët.
Ditës së Nevruzit në gojën e popullit i thuhet dhe “12 laknat”. Dita e 12 laknave është Dita e 12 imamëve. Ajo ditë festohet e respektohet sipas zakonit. Për të këndohet dhe një këngë,që i kushtohet kësaj feste:
Kënga e Festës (poezi me tre strofa)

Në Ditën e Nevruzit që festohet nga i gjithë populli i Elbasanit,çdo familje bën një laknur. Atë e përgatisin duke i futur brenda 12 gjethe lakrash në një qoshe. Laknuri përgatitet me ç’të duan gratë,mjafton të ketë brenda 12 gjethet e lakrave (të cilat hahen). Në darkë e marrin nga furra ku e kanë çuar për ta pjekur. Amvisa e shtëpisë i fut laknurit një pare metalike që të mos e shohë askush. Në darkë shtrohet sofra për të ngrënë bukë dhe,pasi hanë e pinë,vihet laknuri në mes të sofrës.
Amvisa e shtëpisë e rrotullon atë 3 herë,që të mos e dijë as vetë ku është leku dhe,pas kësaj,lutet për fatet e shtëpisë,të cilat do të vinë duke u rrotulluar,sikurse rrotullohet edhe ajo tepsi. Pasi kryhet kjo ceremoni,që të mos dyshojnë pjestarët e shtëpisë,secili merr pjesën e vet.
Ai që e gjen lekun në pjesën e vet,me të duhet të blejë kripë. Në se lekun e gjejnë fëmijët,gratë ia marrin atë dhe i japin një monedhë tjetër me të njejtën vlerë. E mira është që lekun ta gjejë i pari i shtëpisë. Në se nuk e gjen ai, preferohet një tjetër pjestar i familjes. Të gjithë të tjerët që janë rreth sofrës thonë se bereqeti është po brenda shtëpisë. Kur të tjerët e gjejnë atë monedhë,i zoti i shtëpisë nuk mërzitet.
Ditës së Nevruzit populli i Elbasanit i ka shtuar edhe një zakon tjetër nderi dhe respekti,të cilin muslimanët ua bëjnë kristianëve. Çdo familje muslimane që ka një mik kristian,i ndan pjesën e laknurit që në darkë dhe,në mëngjes,ia dërgon (hisen) në dyqan.

Ky është folkloristi i harruar i Elbasanit që ia kushtoi jetën e tij mbledhjes, krijimit dhe kompozimit të këngëve elbasanase jeton në kujtesën e çdo familjeje të vjetër elbasanase për këngët e bukura, për këmbënguljen e tij që traditat e zakonet të hidheshin në letër,sepse një ditë do të merrnin vlerë.