Aleksander Cangonja

Ishte fillimi i vitit 1934, kur elektrifikimi i qyteteve nê shumicën e rasteve i kishte kaluar me koncesion shoqerive të huaja, përkatesisht atyre Italiane ku spikaste shoqeria S.E.S.A (Shoqeria Elektrike Shqiptare Anonime) e cila kishte vendosur diktatin e saj në marjen e koncesionit të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetet kryesore. Krijimi shoqërisë S.E.S.A u aprovua me vendim të këshillit të ministrave dhe dekret mbretëror më 1929, ajo ishte me qender në Tiranë dhe me kapital Italian. S.E.SA ishte shoqëri e specializuar në sektorin elektrik në Shqipëri, ajo ishte nëndegë e shoqërisë Italiane S.E.I.A (Sociaeta Elettrica Italo-Albanese). Në vitin 1932 ajo kishte arritur të merte në koncesion shpërndarjen dhe elektrifikimin e periferisë së Durrësit, por tashmë ajo synonte të merte dhe ate të qytetit e cila deri ne vitin 1934 kishte qene nën administrimin e bashkisë së Durrësit. Duke parë që shoqëritë Italiane kishin gati fushën e lirë për të kapur koncesione dhe për të bërë biznes “rehat” në Shqipëri, kjo gjë kishte lënë shteg për abuzime nga shoqëritë Italiane të cilat rrisnin cmimin e tarifave shumë herë më shumë sesa ishte realisht kosto. Dhe ne rastin konkret shoqeria S.E.S.A ishte bërë gati të gllabëronte dhe sherbimin e energjise dhe elektrifikimit të qytetit, por kryetari i atëhershëm i bashkisë z.Ahmet Dakli një Elbasanlli patriot dhe një person me integritet të lartë në detyrat shtetërore të cilat ka mbajtur u bë pengesë për këtë gjë. Ai vendosi që koncesioni të jetë me garë dhe jo të jepej në mënyrë direkte shoqërisë Italiane e cila normalisht do vepronte si në qytete të tjera me abuzimin e cmimit të energjisë elektrike. Ndërkohë për shoqërinë Italiane ishte punë e kryer marrja e koncesionit e cila pa u zhvilluar ende gara ajo kishte ndërtuar dhe godiën e cila sot është stacioni hekurudhor i qytetit. Ahmet Dakli duke qene se ishte kryetar i bashkisë, pozicion i cili i siguronte koncesionin firmës Italiane mendoi se elektrikun e qytetit ta merte një shoqëri vendase e cila ishte nga më të fuqishmet në Shqipëri, ajo shoqëri ishte S.T.A.M.L.E.S. e cila kishte monopolin e letrës dhe shkrepseve, ajo ishte me kapital vendas dhe me gati 300 aksionere, u donte pak që Dakli ta bindte këtë shoqëri që ta fitonte koncesionin e elektrikut. Ndërkohë nga ana tjetër ndërhyrjet qeveritare të njërëzve me influence në Tiranë ishin të mëdha, madje ndërhyrje pati dhe nga Roma për këtë koncesion por Dakli mbajti të njejtin qëndrim si në fillim që koncesioni të bëhet me gare, dhe përfundimi Stamles-i paraqiti ofertën më të ulët dhe fitoi koncesionin, në këtë rast fitoi dhe qyteti i cili do e blente energjinë elektrike me cmim më të ulët nga ajo që ofronin Italianët.

Më poshte është artikulli i një gazete vendase për kushtet dhe detyrimet midis Bashkisë Durrës dhe Stamles mbas fitimit të koncesionit. Material i siguruar nga drejtoria e përgjithshme e arkivave :

Ja cfarë shkruante gazeta “Besa” në Tiranë me datë 15 Shtator 1934.

Kompania Stamles nisi të japë “dritë” nën emrin e saj. Në këtë korrespondencë ne japim një ekstrakt të kushteve kryesore të rënë dakord midis bashkisë së qytetit dhe Stamles rreth ndërmarrjes elektrike. Sa për çmimin, Stamlesi obligohet për të shitur energji në këtë mënyrë: për bashkinë e qytetit (rrugët dhe vendet publike) 25 cent për kwh, për zyrat qeveritare 35 dhe 45 për private. Nga privati është i detyruar të mbledhë gjithashtu një taksë të zakonshme për ndriçimin, të cila varion nga 10-5 cent ari, sipas kategorive të rrugëve. Kjo taksë shkon në favor të bashkisë së qytetit, në këtë mënyrë çmimi i konsumit për individët privatë arrin në 60-65 cent per kilovat. Koncesioni u dha për 20 vjet. Gjatë vitit të parë, bashkia nuk ka ndonje angazhim të vecante, por duke filluar nga viti i dytë është e detyruar të konsumojë 80,000 Kwh. Kështu edhe Stamles nuk do te jete e angazhuar plotesisht për vitin e parë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi një përmirësim të menjëhershëm të rrymës elektrike. “Qartazi nga një pikëpamje komerciale – me deklaron një zyrtar i lartë i Stamles- ne do të bëjmë çdo përpjekje në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të rregullojmë ndriçimin, pasi interesi ynë në shërbim është bazuar vetëm në një konsum më të lartë.” Por kushtet e mos-detyrimit për një vit, vërehet se është vendosur për qëllim të lehtësimit të kompanisë nga çdo detyrim dhe rimbursim i dëmeve në rast të dështimit të motorëve dhe mungesës së furnizimit me dritë për një periudhë të shkurtër, fillimisht per shkak se autoritetet e shoqerise sipërmarrëse edhe mund të ankohen se centralin që kanë marrë nê dorëzim ka qene i dëmtuar. Stamles bleu centralin e bashkisë për 100,000 franga ari, vlera e së cilës do të paguhet nga furnizimi i ndriçimit publik për disa vjet me rradhë, deri në zhdukjen e plotë të detyrimit. Që tani e tutje ata nisën rregullimet e ndërtimit të centralit të energjisë dhe motorëve, që janë komisionuar për pjesët e fundit të nevojshme që mungojnë. Në krye të centralit është një inxhinier teknik elektriçist, i cili ka ardhur posaçërisht para disa muaj. Stamles do të ketë një impiant të ri në të gjithë qytetin. Plani që neve na është thënë se është duke u përgatitur nga teknikët jashtë shtetit dhe besohet të jetë gati brenda disa muajsh. Stamles gjithashtu ka porositur, një motor me fuqi të lartë për të zgjidhur problemin e furnizimit me energji elektrike përgjithmonë.

Referenca: 1) Gazeta “Besa” Tirane 15 Shtator 1934, e bashkangjitur me kontratën midis Stamles dhe Bashkisë Durrës- Arkivit i Shtetit nr.238.
2) Bazuar në librin e kushtuar për Ahmet Daklin, botuar “Onufri” viti 2017.

Ahmet Dakli (1897-1947), Arkivi Digjital Elbasan