Visarion Xhuvani u përpoq të bënte të njohur edhe meritat e Elbasanit. Ai çmonte në mënyrë të veçantë veprën e Aqif pashë Elbasanit (Biçaku), i cili kishte dhe titullin “Shpëtimtar i Kristianizmit”. Nacionalizmi dhe atdhedashuria ishin brumosur tek Aqif Pasha nga mjedisi familjar. Trimërinë, burrërinë dhe frymën e sakrificës e trashëgonte nga nëna dhe nga familja. Visarion Xhuvani ka shkruar: “Shkëlqesia e tij Aqif pashë Elbasani asht nji burrë i gjatë pak me fytyrë fare Pellazge, bojë gruni të kuq, me sy plot vetëtima të zjarrta, me gjithë që asht jo edhe shumë i ri, por edhe plak s’mund ta thomi. Do të jetë 55 vjeç, trupin e ka fare të drejtë dhe kur ecën si dhe kur rri ka nji pamje shumë të bukur dhe të kandshme. Aqif Pasha asht i biri i Mahmud pashë Elbasanit, nji nga shtëpiat ma të ndershme të Elbasanit dhe ma të vjetrat, me emën të madh nga punët e mëdha dhe të ndershme.

Mahmud Pasha, ndjesë pastë, ka punue shumë për Elbasanin dhe Krahinën e Tij. Ka edhe titullin Shpëtimtar i Krishtenimit të Elbasanit. Këtë titull ai e ka marrë me punë të ndershme dhe fort të rrezikshme për jetën e tij, vorri i tij gjendet në Teqen e Madhe të Elbasanit. Kur ndërroi jetë ka qamë gjithë Elbasani dhe krahina e tij. Gjithë të Krishtenët bashkë me gjithë klerin e Elbasanit dhe të Shpatit morën pjesë në vorrim deri në Teqe.

E ndershmja zonjë e Aqif Pashës, asht zonjë fort me randësi, tepër fisnike dhe mbretneshë e shtëpisë, sikundër lipset të jetë çdo grue shqiptare me mend. Asht nga shtëpia e pashallarëve të fuqishëm të Tosknisë, nga familja historike e Vrionasve. Edukacioni që u ka dhanë fëmijëve të saj asht nji lëvdatë për te. Djali tepër i kandshëm, Aqif Pasha, prej 15 vjeç, na jep shpresa të mira. Zoti i madh tua falë prindëve dhe Shqipnisë. Sot e 30 vjet përpara, në familje të Aqif Pashës mësohej gjuha shqipe. Dhe librat shqip ishin plot në shtëpi të Aqif Pashës që në kohë të fuqiplotit Sulltan Hamidit. Në çdo lëvizje kombëtare Aqif Pasha ka marrë anën ma të ndershme. Në kohën e mbretit të Shqipnisë i shërben shumë atdheut tonë, edhe madhështinë e tij mbreti e nderonte si i kishte hije. Prishësit e fatbardhësisë së shtetit shqiptar suellnë (qëlluen) edhe kundër Aqif Pashës, të cilit i prunë dame të mëdha, përpara gjithë këtyne Aqif Pasha u rrëfye tepër fisnik dhe shumë i naltë.

Aqif Pasha asht nacionalist por i rallë dhe i qëruem, propagandat e hueja as që guxojnë të afrohen aty. Të gjitha këto i rrëfen me vendimet mbledhjes së Lushnjes. Shumë shpejt e kuptoi Aqif Pasha që lypset të formohet nji qeveri e re kombëtare, po punët i peshonte nga të gjitha anët dhe shikonte të gjente atë ma të mirën zgjedhje, që të mos bjerë as ndonji dam po vetëm fitim të atdheut. Kjo asht e vërteta. Kur erdhi koha dhe shpëtimi i Shqipnisë e kërkonte që të rrëfehet cilët jemi, çfarë duem dhe t’i japim botës të kuptojë zgjedhjen e përgjithshme e të pandame të gjithë popullit shqiptar, atëhere Aqif pashë Elbasani u ngrit në kambë dhe shpejtoi mbledhjen e përgjithshme kombëtare. Burrë me zemër e me nder nuk desh të dijë as për ndonji kundërshtim të madh a të vogël. Sipër të gjithave tha: asht shpëtimi i Shqipnisë dhe nderi i shqiptarit.

Ato ditë ndodhej pak i sëmunë dhe kur i thanë, që lypset për të mirën e shëndetit të mos udhëtojë në dimën në nji udhë tepër të keqe e të randë në Lushnje, u përgjigj e tha: “Dhe duke vdekë të jem do shkoj të baj detyrën time. Kështu nuk humbi kohën dhe nuk përtoi, as nuk priti të bahet ma mirë nga shëndeti, por me nji kohë dimni të fortë e të keq i hypi atit dhe nëpër balta të mëdha deri në barkun e kalit mbërrini shpejt në Lushnje, në mes të janarit, sa bukur e sa mirë e kryesoi mbledhjen e përgjithshme atje Aqif Pasha dhe sa shumë punë të mëdha shpëtimtare bani për Shqipninë, në këtë mbledhje kombëtare, e dinë të gjithë dhe me të drejtë shumë e pat mbledhja e përgjithshme kombëtare kur e zgjodhi kryetarin e saj dhe kryetar të këshillës së naltë mbretnore të Mbretnisë së Shqipnisë. Lutemi të na rrojë ky bir i cili asht pa ndonji pikë të zezë në jetën e tij si edhe prindët e tij, të cilët i japin nder gjithë Shqipnisë dhe veçanërisht Elbasanit”.