Kristaq Mullisi ka lindur në Elbasan. Shkollën fillore e 7-vjeçare e mbaroi në qytetin e lindjes. Në vitin 1954 përfundoi shkollën Normale. Punoi mësues në rrethin Peshkopi, Burrel e Librazhd. Gjatë shkollës së mesme ka luajtur futboll me ekipin e të rinjve e më vonë me atë të Librazhdit.

Kristaq Mullisi

Kristaq Mullisi

Në vitin 1960 mbaroi studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” e pastaj emërohet inspektor, kryeinspektor e shef i Seksionit të edukimit fizik në rrethin e Elbasanit. Gjatë kësaj periudhe punoi me kompetencë në rritjen e cilësisë sportive në rreth. Në vitin 1968 transferohet si mësues në shkollën Pedagogjike deri në vitin 1978. Këtu fillon puna metodike e pedagogjike. Ka marrë pjesë aktive në disa Konferenca kombëtare, ku edhe ka mbajtur referate për problemet e zhvillimit cilësor të mësimit të edukimit fizik nëpër shkolla. Ka botuar vazhdimisht materiale metodike, informative e përgjithësim përvoje në organet e shtypit arsimor si në Revistën Pedagogjike, gazetën “Mësuesi”, si edhe në shtypin vendor.

Në vazhdim ka punuar si metodist në Kabinetin pedagogjik të rrethit. Gjatë punës së tij dhe përvojës disavjeçare në këtë profesion, ka dhënë ndihmesën e tij cilësore në arritjen e treguesve që kërkoheshin.

Është bashkautor i botimit të librit “Metodika e Edukimit Fizik për shkollat e mesme”,“Didaktika e Edukimit fizik”,si edhe ne librin “Reflekse te mendimit perendimor te intelektualeve elbasanas,ne fushen e Kultures Fizike e Sporteve”.

Deri në daljen në pension ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Ka qenë nismëtar dhe kryetar prej gati 20 vitesh në krijimin e Shoqatës Mbarë kombëtare “Normalisti”, duke u marrë me studimin dhe përcjelljen e vlerave kombëtare të shkollës Normale që në çeljen e saj dhe të mësuesve normalistë, që përhapën dritë e dituri në gjithë Shqipërinë dhe në të gjitha trevat shqiptare dhe në Diasporë.

Kristaq Mullisi njihet si metodist, veprimtar i arsimit, veprimtar shoqëror. Për Kontributin e tij në fushën e arsimit ka marrë titullin “Mësues i Merituar”.

 

Kristaq Mullisi do të kujtohet gjithmonë si një njeri komunikues, bashkëpunues me nxënesit, miqtë e koleget. Luftoi  dhe punoi deri në fund që shkolla ikonë e arsimit shqiptar “Normalja” të mos mbyllej.