Kov-Bibaja

Kov-Bibaja

Ka lindur në Elbasan në lagjen “Kala” më 13 Prill 1910. Në qytetin e lindjes, kreu shkollën fillore.  Ai ishte djali i Kleopatrës, motrës së gjuhëtarit elbasanas Kristoforidhit. Në fund të vite’20, mbaroi Normalen dhe në vitin 1930 del mësues. U emërua në Qarkun e Dibrës, ku shërbeu si mësues disa vjet. Fatos Daci në librin e tij “Historia e arsimit shqip në Dibër”, shkruan”. . . . . . shumë mësues kanë dhënë kontribut për arsimin në Dibër, por disa ish mësues, janë kthyer në ikona të arsimit shqip dhe midis tyre êshtë dhe emri i Kovi Bibaja”.  Kurse Lutfi Hanku, shkruan se në Dibër:”Nga fundi i viteve 30-të mësuesit M. Sh, I. B dhe Kov Bibaja vunë në funksion të mësimit dhe edukimit,  organizimin e aktiviteteve artistike e sportive sa jepnin shfaqje me këngë,  valle,  recitime, lojëra popullore, ushtrime gjimnastikore, etj”. Pastaj me thirrjen e ish ministrit të arsimit të kohës, Ernest Koliqi, si dhe shumë normalistë të tjerë, shkon në Gostivar, ku shërben si mësues i fillores në shkollën, ”Naim Frashëri”, në vitet 1941-43. Pasi kthehet në Shqipëri,  ka shërbyer në disa rrethe, si në atë të Vlorës, Lushnjës, Tiranës dhe së fundmi në vendlindje, Elbasan deri në vitin 1965, vit kur doli në pension. Ja çfarë shkruan në studimin e tij, Petraq Dhana “Arsimi dhe kultura në Myzeqe”. . . . . Kovi Bibaja si drejtor i shkollës së Ballagatit, ka qenë një kuadro i përgatitur, organizator me aftësi profesionale e drejtuese. Ai së bashku me kolektivin e vunë shkollën në rrugën e zgjerimit dhe të demokratizimit të saj. . . . ”. Mësues Kovi ka dhënë mësim kryesisht në shkolla fillore dhe shtatëvjeçare në lëndë të ndryshme. Ai ka dhënë lëndën e Bukurshkrimit për disa kohë edhe në shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”të Elbasanit. Kov Bibaja zotëronte mjaft mirë gjuhët e vjetra, Latinishten dhe Greqishten e Vjetër. Pas daljes në pension ka punuar vullnetar në Bibliotekën e Elbasanit, duke ndihmuar në të gjithë sektorët e saj.  Vullnetarë të cilët kanë kontribuar në bibliotekën e qytetit, ka qenë disa. Midis tyre mund të përmendim me respekt edhe z. Bardhyl Dakli. Një intelektual mëse i formuar, ndihma e të cilit ishte mjaft e çmuar, pothuajse në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të bibliotekës. Po të shikosh skedarët edhe sot, menjëherë i dallon se kush i ka plotësuar, nga nji shkrim mjaft i bukur dhe nji rregullsi perfekte e prof. Bardhylit. . . . Respekte për njerëz të tillë, kontribues pa interes për qytetin e tyre. Për prof. Bardhylin mund të shkruhet më shumë. . . . . po ky shkrim i dedikohet elbasanasit të ndershëm e të urtë, Kov Bibaja.