Sot më 21 shtator, në fshatin Valësh të Shpatit përkujtohet MARTIRI, Kostandin Shpataraku, ikonograf i shquar i shek.XVIII. Ai ka lindur ne fillim te shekullit te 18, padyshim në një nga fshatrat e Shpatit. Sipas të gjithë të dhënave ka lindur në fshatin Valësh.
Afreskat dhe ikonat ai i ka nënshkruar qartë: Kostandini nga Shpati.
Mundet që ndikimi artistik i Onufrit të ketë ndikuar në talentin e Kostandinit.
Ikonografët e historianë të artit kanë gjetur deri tani një numër të madh ikonash, që i përkasin Kostandin Shparakut gjatë viteve 1736-1767. Banorët e zonës, tregojnë se Kostandini u martirizua nga forcat osmane me prerje të kokës, 100 m në perëndim të Namazgjasë – Elbasan dhe u varros më tej në fshehtësi nga bashkëfshatarët në vendlindje. Deri vonë ka qenë edhe nji vend i mirë, afërsisht përballë merkatos së Elbasanit, sot. Nuk dihet saktësisht data e tij e vdekjes. Kostandin Shparaku ka pikturuar në kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, në manastirin e Ardenicës, në kishën “Shën Premtja” në fshatin Cikallesh të Kavajës, në manastirin “Shën Gjon Vladimiri” në Elbasan, në kishën e Manastirit “Shën Marena” në fshatin Llëngë në Mokër të Pogradecit.
Kostandin Shpataraku është afreskist i shkëlqyer. Specialistët thonë se me skenën e “Gjygjit të Fundit”, Shpataraku të kujton mjeshtrat e rilindjes italiane.
Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, thotë:” Kryevepra e tij është ikona e quajtur “Darka e Fundit”, që e ka patur kisha “Shën Premtja” në Lushnje….
Mjafton të kujtojmë se kryevepra e Leonardo Da Vincit e quajtur “Darka e Fundit” është nga më të famshmet.
Po kështu edhe piktori surealist Salvator Dalia ka bërë një pikturë të mrekullueshme për të. Si Leonardo Da Vinci ashtu dhe Salvator Dalia i paraqesin të 12 apostujt e Krishtit në një tryeze katërkëndëshe. Kurse piktorët shqiptare edhe Onufri edhe Shpataraku, tryezën e “Darkës së Fundit” e paraqesin përherë të rrumbullakët. Ky është një dallim i rëndësishëm, jo thjesht një ndryshim ikonografik stilistik.
Kompozimi i “Darkës së Fundit” i Kostandin Shpatarakut është gati i pabesueshëm”.
Një ikonë tjetër e famshme e Kostandin Shpatarakut është ajo, që i kushtohet Princit Gjon Vladimiri. Kjo ikonë ka në vetvete 14 skena. Në qendër të ikonës është figura e Gjon Vladimirit. Një nga skenat me të bukura të kësaj ikone, është paraqitja e princit shqiptar Karl Topia, i cili është zot i manastirit të Gjon Vladimirit.
Po sipas M. Zeqos..”…nuk është më pak rëndësishme të vemë në dukje se jo rastësisht Kostandini ka dëshirë të madhe dhe të paepur deri në fund për t’u quajtur me origjinë nga krahina e Shpatit. Kjo për mendimin tim mund të ketë karater të dyfishtë.
Së pari të tregojë që është shqiptar nga krahina e Shpatit, pra të tregojë origjinën e tij të vërtetë dhe së dyti për të theksuar dhe nënvizuar para të gjithë botës, rëndësinë e Shpatit si një vatër ikonografike me disa monumente kulti të pikturuara në mënyrë të çuditëshme dhe me art shumë të madh nga vete Onufri si paraardhës por dhe nga vete Kostandini si pasardhës i denjë. Një krahinë e vetme dhe dy gjeni nuk janë pak apo jo? Ndoshta janë më shumë nga ç’mund të mendohet.
Përcaktim më real e brilant që i ka bërë Prof. Moikom Zeqo, nuk ka.

Foto 1,2,3, ikona të K.Shpatarakut
Foto 3,4,5 Busti i realizu nga Klevi Myrto, harta ku ka pikturuar dhe pasardhës të tij me mbiemrin Oga, në inagurim të bustit.(Marrë nga faqja e Vasil Pëllumbit)