Zane_H

Hyqmet Zane

Genocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë gati një shekulli të tërë që nga ndarja e padrejtë e trojeve shqitpare nga Konferenca e Londrës më 1913, pati si fund të tij vitin 1999, çka ishte edhe viti i solidaritetit ndërkombëtar ndaj Serbisë. Shpërngulja e kosovarëve me zjarr e me hekur nga shtëpitë e tyre për shkak të vrasjeve dhe masakrave që u përdorën mbi këtë popullatë, bëri që edhe në Elbasan, si në të gjithë Shqipërinë, të vinin mijëra familje. Ishte koha kur unë, si shkruesi i këtyre fakteve, punoja në bashkinë e qytetit të Elbasanit, si drejtor i marrëdhënieve me publikun. Ishte një moment i rëndësishëm se pata fatin që të kontaktoja drejtpërdrejt me vëllezërit tanë të Kosovës dhe ishte i njejti fat si ai i bashkatëdhetarëve të mi të Çamërisë më 1944 – 1945.

Ndihma që iu dha vëllezërve tanë nga bashkia Elbasan ishte e menjëhershme dhe kryebashkiaku i asaj kohe, Engjëll Dakli, më ngarkoi detyrën e rëdësishme që të merresha me problemet e ndryshme që do të duhej në këtë kohë. Veç me një gjë nuk u mora, me ndihmat materiale që iu dhanë familjeve kosovare se, të themi të vërtetën, pati edhe shumë abuzime. I vura vetes detyrë që të dëgjoja dhe të intervistoja njerëz të ndryshëm që kishin parë genocidin me sytë e tyre apo që kanë përjetuar situata që përgatitën këtë genocid. Kjo më dha edhe më shumë të drejtën që këto pohime dhe fakte t’i kem si dëshmi rrënqethëse për këtë botim që dua të publikoj në librin tim.

 

Abdyl  Duraku, 49 vjeç,

Me banim në Krushë e Madhe, Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 6 prill 1999, ora 11–00

 

Me një dhembje të madhe që të këput shpirtin nga fjalët që i dalin përmes ngashërimeve dhe dënesave të lotëve, Abdyl Duraku rrëfen se çfarë ka parë gjatë ngjarjeve në Kosovë : “Në prani të dhjetra njerëzve në fshatin Nagovc të Krushës së Madhe milicia serbe më pushkatoi djalin e dytë, Jetonin, 18 vjeç, nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme. Arsyeja e kësaj vrasjeje ishte se gjatë legjitimitetit të të mbledhurve, i gjetën djalit një shenjë të UÇK-së në xhep, që ai e mbante me vehte dhe që shpesh më thoshte “i them shokëve se është nder të vdesësh me një dëshirë për një ushtri shqiptare”. Dhe ai gjatë gjithë kohës u shërbente njerëzve shtëpi më shtëpi, duke u çuar ushqime dhe ilaçe”.

Sipas të jatit, i cili u strehua në Tiranë në shtëpinë e një mikut të tij dhe që kërkonte pjestarët e tjerë të familjes, për vdekjen e djalit ai thotë se “lajmin ma dha  një njeri nga ai fshat që më doli përpara, duke më paralajmëruar për masakrën dhe më tha që të shpëtoja familjen. E kam varrosur vetë me 3 vetë, miq të mij në Nagovc. Nga 5 fëmijë, tani kam 4. Ngjarja ka ndodhur më 26 mars (1999).

Nga familja jonë me të njejtin mbiemër në Krushë të Madhe bëhemi rreth 900 vetëdhe prej tyre 30-40 mashkuj janë vrarë në Krushën e Madhe. Në këtë fshat pathuajse janë shuajtur të gjithë mashkujt, ashtu si të familjes së Ykshin Hotit, që janë vrarë shumë”.

***

Zenun  Ymer  Daçaj, 55 vjeç,

Me banim në Krajli i Hasit të Prizrenit, Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 6 prill 1999, ora 11–30

 

Përmes një shqetësimi njerëzor dhe me një mbresë tragjike përsa ka parë, Zenun Dajçi shprehet për ç’ka përjetuar në Kosovë : “Pas bombardimeve të serbëve, plaçkitejeve dhe djegieve në të gjithë fshatin, kam parë të ikin njerëz në mënyrë masive në drejtime të ndryshme dhe një kilometër larg fshatit tonë është fshati Pirân. Unë kam parë me sytë e mij më 30 mars eskavatorin bager të fshatit që e drejtonte një serb që hapte një gropë të madhe, pranë fshatit Pirân. Më vonë me zetora kanë sjellë kofoma të vramësh dhe i kanë hedh atje. Më shumë janë nga ky fshat. Vetë policia drejtonte eskavatorin dhe zetorët. Ato makina që sillnin kufoma punonin pa ndërprerje. Jam në gjendje të shkoj atje e ta gjej atë varr. Me mua kanë qenë edhe Ymer Ibrahimi e të tjerë nga Krusha e Madhe që ka qenë i vendosur tek unë me 32 pjestarë të familjes pas bombardimeve të serbëve. Këtij (Ymer Ibrahimit) i kanë mbet edhe 5 djemtë atje në Krajl që kanë bërë rezistencë të armatosur”.

***

Nuhi   Tulla, 51 vjeç,

Me banim në fshatin Pirân – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 6 prill 1999, ora 12 – 30

 

Mes hidherimit të madh, Nuhi Tulla nga fshati Pirân të tregon : “Më 26 mars (1999), në orën 8 të mëngjesit, policia serbe erdhi në fshat dhe ka vrarë Malush Tulla, 71 vjeç së bashku me bashkëshorten e tij Dudie Tulla 65 vjeç. Po ashtu kanë vrarë edhe Shaban Kabashin nga fshati Opterush i Rahovecit që ka qenë në shtëpinë tonë që nga gushti 1998 se fshati iu dogj. Këta i vranë në shtëpinë time dhe të babës sim Vehbi Tulla. Baba im ka shpëtuar se ishte në katin e tretë të shtëpisë se ishte e pambaruar dhe serbët vetëm se qëlluan lart dhe ikën më pas”.

Kurse Ismeti, djali i Shaban Kabashit tregon se “babës ia hoqën kafkën e kokës dhe e qëlluan me automatik dhe unë bashkë me Nuhiun ishim në një kanal dhe shikonim të gjitha skenat.

***

Rasim  Batusha, 51 vjeç,

Me banim në fshatin Krushë e Vogël – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në bashkinëElbasan, më 08 prill 1999, ora 17-23

 

Dhembjet e kosovarëve pikojnë gjak nga hidhërimi që shkaktojnë vrasjet e shumta dhe masakrat e treguara nga vetë ata, në shumë raste me lot në sy. Kështu tregon edhe Rasim Batusha 51 vjeçar nga Krusha e Vogël, të cilit i janë vrarë vëllezërit dhe fëmijët. Ja se si shprehet ai : “Sapo erdha nga Gjermania (në Shqipëri) ku punoj prej 28 vjetësh, për të gjetur familjen. Nana jeme Alemsha Batusha më kallzon se çfarë ngjau në familjen tonë dhe në të tanë fisin e Batushave. 23 vetë të vramë, që nuk gjenden kërkund, ndërsa nga familja jeme janë vramë të tre vllaznit e mij : Vëllai i dytë, Zaimi, 47 vjeç bashkë me 2 djemtë e tij, Feimin 20 vjeç dhe Mërgimin 18 vjeç. Kanë vra vllaun tjetër Ahmetin, 42 vjeç bashkë me djemtë : Burimin 16 vjeç dhe Lirimin 14 vjeç. Edhe vllaun e tretë, Milaimin, 36 vjeç, si dhe djalin tem, Haxhiun, 29 vjeç të martuar e me katër fëmijë. Ngjarja ka ndodhur më 1 dhe 2 prill (1999). I kanë vra në shtëpi të vet. Ishim në oborr, siç i kanë treguar nanës djemtë, kur kanë ardh tanket. Milicia i ka thënë : “Ikni ju gratë me fëmijët”. Kur kanë ik 50-60 metra larg, kanë ndigjue breshërinë e automatikut dhe panë se si u kall në flakë shtëpia, pasi ia morën të tanë mallin që kish brenda. Nga 25 vetë të shtëpisë, 8 janë vramë. Tani vllaznëve u ka mbet nga një djalë. Ne kena pas serb në fshat dhe nuk kena lanë që t’u ndodhë gja atyre, kurse ata na kanë hang në besë”.

Rasim Batusha i ardhur nga emigrimi gjen familjen në Elbasan të vrarë dhe të coptuar, por që falë ngrohtësisë së një familjeje elbasanase, ata shuajnë mallin dhe gjejnë ngushullimin tek njeri-tjetri, po aq sa edhe tek atdhetaria e qytetarisë së Elbasanit, që u mjekon dhembjen me dashurinë e bujarinë mikpritëse.

 

***

Shyrete Berisha, 37 vjeç,

Me banim në Suharekë – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 15 prill 1999, ora 13-00.

 

Është e hidhur, por e vërtetë, se çfarë ka parë me sytë e saj gruaja kosovare Shyrete Berisha, 37 vjeçare nga Suhareka. Këto ajo ia tregon kunatës së saj Myrvete Elhami, 51 vjeç, nga Sopi i Suharekës për ngjarjen e 28 marsit (1999) të ndodhur në lagjen e Berishajve.

“Shtëpia jonë prej dy muajsh ishte vendqëndrimi i përfaqësuesve të OSBE-së. Pasi ikën ata, kjo ishte arsyeja që serbët më parë erdhën në shtëpinë tonë. Dita e parë, kur hynë serbët në qytet ishte 28 marsi. Kërkuan parâ (zllato – monedha ari) në shtëpinë e Nexhat Berishës. Nusja e vllaut u dha 51 mijë marka, veç djalin, Fationin, 28 vjeçar, si dhe fëmijët e djalit bashkë me nusen, të mos ua ngiste. Në shtëpi ishim unë (Shuretja) me burrin e katër fëmijët, kunata Fatimja, me të birin Fationin, nusja e dy fëmijët, si dhe motra e tij. Shtëpia jonë ishte pranë stacionit të policisë serbe. Kurse më pas të gjitha shtëpive të lagjes u kallën flakën, pasi i kanë vjedhë të gjitha gjanat e mëhallës Berisha.

I morën 51 mijë markat dhe i thonë se shpëtuat ditën e parë. Ditën tjetër, më 29 mars, kanë ardh grupi tjetër i policëve serbë, që kanë qëlluar mbi kushërinjtë e axhës (xhaxhait) së burrit tem, Sadetin. Bujar Berisha, si dhe nana e tyre Hava u ka dalë përpara policëve për të mos vra djemtë, por ata (policët serbë) e kanë vra nanën dhe 2 djemtë, Bujarin e kanë masakru. Aty kanë vra edhe Nexhatin. Kurse Nexhmedini ka mbetur i plagosur. Nga ulurima e madhe e vrasjes, ne kena dalë në oborr të shtëpisë dhe bashkë me fëmijët dhe shumë gra të tjera. Policia me dhunë na futi në një lokal të madh në qendrën e zejtarëve. Grupin e policëve e kryesonte serbi Zoran Petkovië, biri i Verës, nëna e kriminelit që masakroi më pas  të gjithë njerëzit e Suharekës.

Ishim rreth 100 vetë në këtë qendër. Kur erdhi Zorani, ai iu drejtua kunatit tim, Bujarit : “ty po të kërkoja” dhe e ka qëlluar me thikë në fyt dhe po ky njeri me automatic qëllon mbi turmën, duke vrarë sa ka mundur. Të gjithë njerëzit janë shtrirë përtokë. Ai që bëhej i gjallë vritej. Më tej erdhën paramilitarët që gjithmonë udhëhiqeshin nga Zorani, që bënin masakër mbi trupat e njerëzve, në veçanti mbi gratë dhe fëmijët, duke i qëlluar e duke i shpuar me thika. Aty m’u vranë para syve të mij edhe të katër fëmijët e mij, si dhe nusja e djalit të kunatës me të dy fëmijët e saj. Edhe unë u plagosa. Kurse djalit të vogël 10 vjeç, serbët i afrohen, siç ishte i palgosur dhe i thonë serbisht “josh dishe” (akoma merr frymë) dhe para meje i bien më bombë në kokë, por pa e shkrehur. Aty janë vrarë Avdi Berisha me të shoqen, Hamdi dhe Hajdin Berisha me tërë familjen”.

Më i dhimbshëm ishte rrëfimi i saj i mëposhtëm : “Ka ardh një kamion serb dhe ka mbushur mbi 60 kufoma në karroceri për t’i çuar në plehurishten e Prizrenit, ku ishin hapur gropa të mëdha. Unë u bëra si e vdekur, si dhe Vjollca Berisha , 36 vjeç, me djalin, Gramozin, 8 vjeç, që ishte i palosur si i vdekur (gruaja e Sedatit u vra tek shtëpia). Ndërkohë kam dëgjuar një serb, që i thoshte shokut të vet : “qenka një punë e rëndë që të ngarkosh kufoma”, kurse shoku i përgjigjet : “birzhe (shpejt) se duhet pastruar terreni”. Para makinës ishte edhe Vera, nana e Zoranit, krimineli që, kur u ndal makina, thotë si me vehte, por me za ta lartë : “rrugë të mbarë”, si me thënë se kështu duhet të ikin shqiptarët. Dhe ashtu mes kufomave kam biseduar me Vjollcën : “A do hidhemi ?”, kurse Vjollca më thotë që “shkojmë e dalim atje, kur të na hedhin”. Pas rreth 10 kilometrash  pranë fshatit Greikovc, u hodha unë, (Shyretja), kurse Vjollca u vonua se mezi nxorri djalin nga kufomat dhe është hedhur pas 2-3 kilometrash. Rashë në një kanal e plagosur. Rrugës kanë kaluar dy ushtarë të UÇK-së që më kanë gjetur e më kanë marrë, ndërsa unë u kam thënë : “më lini mua e shkoni pas kamionit me kufoma që të mos i varrosin”. Por ndërkohë u duk një konvoj (kolonë tankesh). Ushtarët e UÇK më dërgojnë në fshatin Greikovc, ku më mjekojnë e atje më jepet ndihma e parë. Aty më erdhën Shkurte Sopa e i shoqi Muhameti, Xhelal Berisha, kunati em, si dhe Myrvetja, motra e burrit. Nuk mund t’ju tregoj, se ç’kam pa me sytë e mij, se do të tmerroheni”, – përfundon rrëfimin e saj Shyretja.

***

Asllan  Elshani, 65 vjeç,

Me banim në Brestovc – Rahovec – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më  prill 1999.

 

Pasi mundi të shpëtonte gjallë krejt rastësisht, Asllan Elshani, 65 vjeçar, nga Brestovci i Rahovecit, tregon i stresuar për ato, që ka parë me sytë e tij më 25 mars 1999 në fshatin e tij. Ai shprehet :

“Pasi kisha përcjellë familjen në mal për ta shpëtuar nga serbët, ngela në shtëpi bashkë me djalin tim Beshir Elshani, 40 vjeç, për ta ruajtur. Serbët na sulmuan papandehur rreth orës 6 të mëngjesit. Pranë shtëpisë seme kaluan rreth 14 pleq e të rinj, që kishin marrë vesh se çfarë po bëhej, më thanë  : – Çfarë po bën, ik se nuk është punë e mirë hiç ! – Dhe ata ikën. Doja të fshihja traktorin, se nuk dija ç’ka po ndodhte. Ata që kaluan para derës sime, u kthyen prap. Nga shtëpia kishte ikur edhe djali im. Jam nis në kambë pas një ore, duke u ruajtur, kurse jashtë fshatit tonë po vinin forcat paramilitare serbe. Tanket i kishin lënë më larg. U fsheha në një shtëpi dhe kam qëndruar atje, deri sa ra nata. Serbët kanë qëlluar mbi trupat e atyre 14 vetëve që kaluan para shtëpisë sime. Ika në mal e, pas tre ditësh, u ktheva në atë vend dhe pashë kufoma të vrara, koka e këmbë të thyera si dhe në bark të premë nga plumbat e serbëve. Ishin qëlluar nga shumë afër me automatik dhe ishin ndamë në dysh. S’kisha mundësi t’i varrosja. Ishte herët në mëngjes. Nuk doja të largohesha nga fshati. Aty kam parë të vramë vëllanë tim Isuf Elshani, 60 vjeç, Bajram Muhameti, 74 vjeç, Azis Berisha, 65 vjeç, Haki Berisha, 66 vjeç, bashkë me djalin Bexhetin, 33 vjeç, Hamdi Berisha, 56 vjeç, me gjithë djalin e tij 25 vjeç, Xhemali Berisha, bashkë me djalin e tij Sami, 21 vjeç, Shaban Berisha me djalin 20 vjeç (emri nuk më kujtohet), si dhe vajzën 18 vjeç, Ragib Elshani, 30 vjeç, Arben Elshani 25 vjeç, Rexhep Berisha 59 vjeç.

Vendi ku ishte bërë kjo vrasje quhet “Lisi i Bajrakut” në një fushë. Nuk dija çfarë të bëja dhe ika nga frika e ndonjë plumbi. Jam kthyer pas një javë pasi ishte bërë kjo masakër, kur pashë se vetëm 4 vetë ishin varrosur, kurse të tjerët qelbeshin nga era. Nuk mund të rrija. U nisa për në fshat, ndërkohë që po vinin 3 makina Pinzgauer, 3 makina të vogla si dhe një kamion që shërbente për të vjedhur shtëpitë e më pas u vinin flakën bashkë me kufomat.

Ishte bërë natë, kur takova tre pleq që nuk kishin ik, Jallxhi dhe Haxhi Berisha, si dhe një më i ri, Masar Elshani, që kërkonte të ruante shtëpitë nga magjypt (jevgjit e romët), që vidhnin bashkë me serbët. Një nga pleqtë më tha se njeri nga serbët që dihej se kishte vra ma shumë, ishte nga Rahoveci e që quhej Aca.

Në fusha Hamovc kam parë të vramë të tjerë. Ishin nga ata që nuk mundeshin të largoheshin, se i kapi serbi të gjallë që janë vramë rreth 30 minuta pas të tjerëve. Kujtoj këtu shumë nga ata të vramë me mbiemrin Elshani : Shaqe, 76 vjeç, Sefedin, 64 vjeç, Ramadan, 45 vjeç, Bajram, 73 vjeç, Avdi, 74 vjeç, Asmon, 60 vjeç, Bilal, 64 vjeç, Selim, 64 vjeç, bashkë me djalin, Qerim, 68 vjeç, Selami, 24 vjeç, Dan, 45 vjeç, Milaim, 37 vjeç, Osman Nuhi, 72 vjeç. Me mbiemrin Berisha : Halim, 60 vjeç, Kadri, 43 vjeç, Fetim, 23 vjeç, si dhe Sevdali Bytyçi, 20 vjeç, Qerim Bytyçi, 47 vjeç.

Ishin rreth 44 vetë të vramë në një bodrum, ku ishin future për t’u fshehur dhe që një serb nga fshati Hoçes e Madhe. U kishin hedhur një bombë brenda dhe që la shumë të vramë, shumë të plagosur, me kokë e kambë të preme, por që edhe ata duhet të kenë vdek, se nuk kishte se kush t’i ndihmonte. Këta u vranë ditën e premte.

Në fshat kanë qenë të vramë edhe disa nga fshati Retie, që kishin ardhur për t‘u shpëtuar serbëve si Zamira Kabashi, 17 vjeç, dhe Minisre Kabashi 9 vjeç, si dhe një vajzë 18 vjeç, që nuk ia di emrin. Si dhe Shaip, 65 vjeç, Sanie, 61 vjeç, dhe Remzie, 35 vjeç, me mbiemrin Kabashi. Nga fshati Retie pashë të vramë edhe plakun 83 vjeçar Elez Mate me djalin e paralizuar Mehmetin. Po ashtu kam parë edhe  Mihani Shtërbani, 15 vjeç, të vramë në një shtëpi. Ka qenë një kasaphanë e madhe. Një numër kufomash i ka hequr policia, kurse të tjerët kanë mbetur jashtë në fusha pa u varrosur. I ligur dhe i dëshpëruar kam ikur në Rahovec. Aviacioni serb ka granatuar në këtë fshat dhe granatat kanë rënë mbi 2 shtëpi rreth orës 1 e 30 të natës. Të gjithë ata që ishin të fshehur aty, i ka zënë plloca (pllaka e betonit) dhe njerëzit kanë mbetur nën gërmadha dhe ku mund të kenë qenë dhjetra vetë. Unë edhe sot atje kam gruan e djalin, si dhe disa nga njerëzit e tjerë të familjes”.

***

Bedrie Zhuja (Rudi),

mbesa (goca e motrës Zekije Agani-Zhuja) e dr. Fehmi Aganit.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më  prill 1999.

 

“Dajën e arrestuan, kur po kthehej nga varrimi i dr. Bajram Kelmendit. Dhe dy djemëve të tij që u varrosën në Prishtinë, të vrarë e të masakruar nga policia serbe në fund të marsit 1999. E morën në pyetje e më pas e lëshuan në mëngjesin e së nesërmes. Më pas, daja doli në ilegalitet së bashku me të shoqen Sadijen dhe djalin e madh Mentorin, 32 vjeç. Kanë qëndruar në shtëpitë e nipave dhe të mbesave në Prishtinë. Duke parë rrezikun që u kanosej nipave e mbesave nga qëndrimi i tij, se policia serbe kontrollonte çdo orë, vendosi të largohej më datë 7 maj (1999). Bashkë me të shoqen e të tjerë kanë shkuar me tren për të hyrë në Maqedoni. Por duke qenë i mbyllur kufiri dhe nuk i lejuan të kalonin, i kanë zbritur prej trenit dhe i kanë hypur në autobuza, larg Prishtinës. Aty e kanë zbuluar dhe e kanë arrestuar. Të shoqen dhe djalin i kanë lënë për t’u kthyer në Prishtinë.

Mua më lajmëroi motra ime, Shahindere, nga Tetova, që komunikonte shumë shpesh për fatin e dajës. Kjo ishte vendosur në Tetovë, pasi ikën nga Prishtina së bashku me djalin e vogël të dr. Fehmit, Shpendin 30 vjeç, bashkë me familjen. Të nesërmen e kanë gjetur jashtë qytezës së Lipjanës, 30 km larg Prishtinës. Ka qenë policia serbe që ka dhënë lajmin, përmes mjeteve të informacionit, duke thënë se ishte vrarë nga ushtarët e UÇK-së. Kështu e kanë marrë vesh edhe e shoqja, edhe djali i tij. Atë e kanë marrë vetëm 4 gra : e shoqja, e motra e tij, Hydajete Agani, (Goçi), mbesa e tij Lule Zajmi (Berisha) dhe nusja e nipit Violeta Goçi. Vetëm këto katër gra u lejuan ta varrosnin më 10 maj, në varrezat e Prishtinës. Nuk mendoj kurrë se kjo ishte vepër e UÇK. Ai ka punuar për të, ka bashkëpunuar me ta dhe kurrë nuk mund të them se këtë e ka bërë një shqiptar. Kjo është vepër e dorës vrastare serbe, të shkjaut, armikut tonë.

Unë nuk mund të rrëfej se çfarë kam ndje, kur motra ime e madhe, që është në Tepelenë, më tha se dajën e kanë vra dhe masakruar policia serbe. Nuk e imagjinoj dajën të vramë, ate njeri që më rriti mua me mësimet e tij dhe që ka ndikuar shumë te mbesat dhe nipat, se ai ishte një atdhetar i vërtetë dhe demokrat i pastër. Kështu kanë qenë të gjithë dajat e mij, vëllezërit e mëdhenj të dajës, Sytki Agani (i madhi) dhe prof.dr. Hilmi Agani, profesori i albanologjisë në Universitetin e Prishtinës. Kështu u mbyll jeta e një atdhetari, mikut më të afërt të dr. Ibrahim Rrugovës”, – e mbyll rrëfimin e saj me lot në sy mbesa, Bedrije Zhuja, që është vendosur në Elbasan bashkë me burrin e saj, Bashkimin dhe me 4 fëmijët. Familja elbasanase ku kanë qëndruar familja e mbesës së dr. Fehmi Aganit, shpreh respekt dhe ngushullim të thellë si vëllezër për humbjen e njeriut që dha një kontribut të shquar për Kosovën dhe ëështjen e saj të drejtë.

***

 

Maksut  Kuçi, 67 vjeç, ish mësues,

Me banim në Suharekë – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.

 

Mësuesi veteran Maksut Kuçi shprehet se Suhareka u bë një varr i hapur i Kosovës, Në rrefimin e tij, i ndodhur në Elbasan në shtëpinë e vëllait të tij Ramadan Kuçi në lagjen “Skënderbej” (lagja e kosovarëve që njihet me emrin “Fushë-Mbret” në Elbasan) dhe që ka ikur nga Kosova 34 vjet më parë për shkak të tallavisë së kohës së Rankoviçit, ai pohon se “ Më 25 mars ndodhi katrahura. Sapo isha kthyer në Suharekë, se kisha ikur në mal një vit më parë se nipi im Blerim Kuçi, djali i vëllait, ishte veprimtar i UÇK-së.

Me daljen e UÇK-s në skenë, kuptuam se mbi ne do të kishte tmerre. Rreth 20 vetë, ku bënte pjesë edhe djali im Naim Kuçi, 32 vjeç dhe vëllai i Blerimit, Besim Kuçi, 35 vjeç, formuan qelizën e parë të UÇK-s për Suharekën. Djemtë dolën në emër të lirisë dhe të frymëzuar nga LDK-ja. Në emër të LDK-së kanë ekzistuar të gjitha institucionet në Kosovë. Përplasjet e UÇK-s me ushtrinë serbe, bënë që më vonë organizimi të ishte ma i fortë e më i rregullt. Blerim Kuçi u zgjodh zv/komandant i zonës. Ishim të ndjekur nga policia dhe ushtria serbe, se kishim djemtë me UÇK-në, prandaj dhe ma dogjën shtëpinë. Në orën 5 e 30 kam qenë në një shtëpi të vjetër të një fqinji pranë djalit të dytë, Skënder Kuçit, që ishte me nusen e një fëmijë. Dëgjova krisma dhe pashë shtëpitë e para, duke u djegë në lagjen “Skanderbeu” në rrugë Suharekë-Rahoves. Sa u bëra të lajmëroj fqinjin, rreth 25-30 shtëpi u dogjën me flakëhedhësa. Njerëzit dolën në rrugica prej shtëpive në krah të kundërt nga ishte pak më lirë, dolëm në lumin Toprruha për të ikur në mal.

Ishim bërë rreth 15 mijë vetë. Vetëm me duar në xhepa pa marrë asgjë. Policia ka vrarë sa ka mundur. Vetëm atë ditë mund të jenë vrarë rreth 200 vetë dhe kufomat kanë ngelë atje për 7 ditë pa u varros.Më pas kam parë se kufomat i kanë mbledhë me kamiona e i kanë nisë në plehurishten e Prizrenit.

Na dhanë urdhër të ikim për në Shqipëri. Kështu filloi shpërngulja masive. Por dua të them se ai më agresori nga serbët ishte njeri që njihet me emrin Mishkoviç, rreth 40 vjeç nga Suhareka, si dhe Zoran Petroviç, djali i Verës dhe kjo një nanë kriminele.

Në Suahrekë ka familje të shfarosuna krejt, si dhe familje që u janë vrarë nga 5-8 vetë. Edhe ditën e dytë u bë masakër. Ne ikëm për të kërkuar mbështetje nga UÇK-ja në male. Me shtrirjen e fushatës serbe edhe në fshatra të tjerë, me djegien krejt të Suahrekës, u nisëm për në Shqipëri, nuk mund të ktheheshim. Kujtoj se duke dalë prej shtëpisë, u vra kushërira ime, Lindita Kuçi, 22 vjeç, pasi kaloi rrugën, kur doli nga shtëpia. Plumbi e kishte marrë në ballë. Gjuanin me snajper. Babai i saj, Bajrami, si dhe nana e saj, Fetije Kuçi, donin me ndejtë atje mbi kufomën, por njerëzit i ndihmuan se edhe ata do t’i vritnin si atë”.

***

 

Muhamet  Berisha, 60 vjeç,

Me banim në fshatin Leze – Prizren – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.

 

“Ajo që dua të them, ështe se jam babai i një ushtari të UÇK-së të vrarë dhe nje djali tjetër të plagosur. Nga fshati u largova më 1 shtator 1998, se fshati ynë ishte në zonën ku vepronte UÇK-ja dhe unë kisha djalin, Afrimin, 26 vjeç. Ushtria e policia serbe, që kishte qenë në gjurmë, erdhën dhe, në mëngjes, në orën 7 e 15, pasi kishin rrethuar fshatin, filluan granatimet mbi pozicionet e ushtarëve të UÇK-së dhe mbi shtëpitë e fshatit Leze, që bëhej gjithësej nga 30 shtëpi dhe të gjitha shtëpitë  u rrafshuan. Rreth 60 veta burra, gra e fëmijë ishim futur në bodrumet e shtëpisë së vllait tim. Bashkë ishim familja ime me 19 anëtarë, e vëllaut tim Hasanit me 8 anëtarë, e xhaxhait me 10 anëtarë, e kushëririt tim, Hajdarit, me 17 anëtarë dhe 4-5 vetë të tjerë që serbët na zunë rob. Në orën 6 të darkës, këmbësoria hodhi një bombë para shtëpisë dhe, nga të bërtiturat e fëmijëve, na kapën dhe na ndanë burrat veç nga gratë e fëmijët. Pasi na vunë për muri me duart lart, na kontrolluan, duke na marrë të gjitha paratë, duke na thanë se “do t’ju masakrojmë e do t’ju vrasim të gjithëve”, pse kishim strehuar dhe pse kishim djemtë tanë me UÇK-në. Para syve tanë rrahën djalin tim, Burimin, si dhe vllaun tim, Hasanin, bashkë me djalin Selimin. Në mëngjes rreth orës 9, burrat i hypën në pizgaver (autoblind) e i çuan në burg, ndërsa mua më lanë. Në mëngjesin tjetër, lëshuan 4 vetë, mbajtën Burimin dhe Selimin si të mitur 16 vjeçar që i lëshuan pas dy muajsh me kërkesën e OSBE-së. Ndërsa vazhdojnë akoma të jenë në burg vëllai im Hasani dhe dy kushërinjtë e mij, Nexhmedini dhe Hajdar Berisha.

Por ajo që dua t’ju them është se atë ditë më 1 shtator 1998 u bënë luftime mes UÇK-së dhe serbëve dhe atë ditë më është vrarë djali im, Alejdin Berisha, 34 vjeç, si dhe 12 të tjerë, po nga fshati Leze, veç njerit që kishte ardhur nga lagja Tususit i Prizrenit, Ibrahim i Murselit, 17 vjeç. Nga fshati ynë që kishte nxjerrë rreth 35 luftëtarë, janë vrarë Xhevdeti, 37 vjeç, Bekimi, 26 vjeç, Seladini, 44 vjeç, Shefqeti, 45 vjeç, Nehati, 46 vjeç, Asimi, 40 vjeç, Naipi, 23 vjeç, Shehadini, 18 vjeç, Asllani, 62 vjeç dhe Izaili, 61 vjeç, që të gjithë me mbiemrin Berisha. Pati edhe të plagosur dhe luftimet u zhvilluan afër fshatit në Fushëz, mbi varrezat e fshatit. Pas tre ditësh shkuam me LDK-në në Prizren për të marrë vesh dhe, 8 nga të vrarët ishin në morg të Prizrenit dhe u varrosën atje, por 4 vëtë nga ata nuk njiheshin, se ishin shumë të dëmtuar dhe ata i çuan në një varrë të përbashkët, se familjet nuk i njihnin se të kujt ishin. Ndërsa 4 të tjerë i kemi gjetur pas 9 ditësh dhe i kanë varrosur fshatarët. Që nga ajo kohë, serbët mbajnë në burg djalin tim, Afrim Berishën dhe 6 vetë të tjerë, 4 prej të cilëve janë nga fshati Zhur, duke i akuzuar për armëmbajtje pa leje, irredentizëm dhe kalim kufiri. Ata vazhdojnë edhe sot ta kryejnë burgun në Beograd, pa asnjë sinjal se janë gjallë e se cili ështëq dënimi i tyre”, – përfundon rrëfimin e tij kosovari i thinjur nga hallet, Muhamet Berisha, që pohon edhe faktin e hidhur se “djemtë e vrarë më 1 shtator 1998, ishin qëlluar nga afër me plumb pas koke ose në ball, pasi ishin edhe të plagosur më parë e nuk mund të lëviznin”.

***

Mylazim Bejgu, 29 vjeç, & Behexhet Bejgu, 23 vjeç,

Me banim në lagjen Tavnik – Mitrovicë – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.

 

Me pikëllim, vëllezërti Bejgu tregojnë tmerret në burgun e Smrekonicës. “Forcat serbe na ndanë nga prindërit dhe na kthyen në fshatin Gremnik, afër Klinës, ku kemi qëndruar deri më datë 24 prill 1999. Të nesërmen, pasi kishim udhëtuar një ditë e një natë, na erdhën forcat ushtarake serbe e na thanë se duhej të bëheshim gati brenda orës, se do të ktheheshim në shtëpitë tona në Mitrovicë, prej edhe nga jemi, duke ardhur në këtë qytet nga fshati Kaçanall.

Kur arritëm tek postblloku i policisë në Skënderaj, në hyrje të qytetit, kolona u nda nga oficerët e policisë, ashtu siç u ndanë edhe meshkujt nga gratë e fëmijët. Meshkujt nga 16 vjeç e lart u mbajtën. Ishim 247 vetë dhe na futën në një shkollë që ishte e shkatërruar. Më pas kanë ardhur disa paramilitarë serbë që nxorrën thikat nga mylli e na thanë “të gjithë do të kaloni përmes këtyre (thikave)”, që i tregonin me dorë. Kështu filluan keqtrajtimet mbi ne, duke na goditur, ku të mundnin, si dhe duke na fyer rëndë.

Të nesërmen më 25 prill, 3 kamionë serbë marrin rreth 60 vetë dhe i nxjerrin si truprojë që t’i qëllonin ata të UÇK, por ata i dalluan dhe nuk qëlluan, duke i kthyer, ku ishim ne. Kemi njohur mes të tjerëve nga Mitrovica prof. Xhaferr Hamiti, me të dy djemtë, Skënderin dhe Mensurin, kemi njohur Nexhmi Zeqirin etj.Asnjë natë nuk ngeli njeri pa u keqtrajtuar. Pas ditës së tretë të qëndrimit më 28 prill, kanë ardhur nga Mitrovica inspektorët e sigurimit shtetëror që merrnin në pyetje si “sa njeh ti nga ata të UÇK-s, çfarë armësh kanë, ku janë pozicionuar” dhe çdo njeri që kalonte në duart e tyre, rrihej brutalisht. Më shumë pyesnin për zonën e Shalës, prej edhe nga ishim ne. Edhe neve na morën në pyetje dy herë. Qëndruam 15 ditë në Skënderaj, duke ndejtur tërë kohës në çimento. Në 72 orë na jepnin një çerek buke e pastaj na transferuan në burgun e Smrekonicës, midis Mitrovicës dhe Vushtrisë. Kur zbritën na kontrolluan e na morën gjithçka kishim.

Na nisën nëpër qelitë e burgut, ndërsa rreth 30 milicë ishin vënë në rresht, që qëllonin mbi çdo të arrestuar, kur kalonte pranë tyre. Kështu për të 247 vetët. Aty gjetëm rreth 800 të burgosur të tjerë. Pas dy ditësh, numri i tyre ka arritur në rreth 3 mijë vetë. Me sytë tanë kemi parë njerëz me koka të çara, që u rridhte rrëke gjaku nga goditjet e kondakëve të pushkëve të milicëve. Njoha mes tyre Sadik Myftari, 35 vjeç, nga Mitrovica që ishte i gjakosur. Për çdo ditë që ndejtëm atje, policia merrte nga 100 vetë për biseda informative dhe ata nuk ktheheshin më dhe fati i tyre nuk dihet e më pas sillnin të tjerë. Në 48 orë merrnim ushqim vetëm për 2 minuta dhe, kur shkonim e vinim në kuzhinë, na rrihnin gardianët. Flinim në çimento në një dhomë 4 x 4 – 72 vetë. Në një dhomë tjetër kemi parë tmerre që u bëheshin shqiptarëve nga policia serbe. Serbët rreshtonin që në orën 6 të mëngjesit 100 vetë dhe i rrihnin masivisht dhe më pas i nxirrnin 2 e nga 2 në oborr të burgut e i rrihnin me shkopinj druri e gome, me kondak pushke e me shkelma. Një i burgosur, rreth 20 vjeç, vdiq. Pas rrahjes, kur ishin babë e bir ose dy vëllezër, i detyronin të rriheshin mes vetes. Po qe se nuk donin, i rrihte vetë policia. Këto i pamë për 15 ditë rresht që ndejtëm atje. Gjatë tërë kohës nuk kemi patur mundësi të pastrohemi, ndërsa zgjebja e morrat na hëngrën të gjallë. Shumë nga të burgosurit ishin bërë me të meta fizike e mendore që prej moshës 14 vjeç e deri pleq. Me sytë tanë kemi parë se si rrihej një plak rreth 70 vjeç nga Mitrovica.

Dy ditë para se të na lëshonin nga burgu, na morën e na çuan në Mitrovicë, në shkollën teknike në një bodrum, ku na thoshin vazhdimisht që do t’ju pushkatojmë. Ishim 65 vetë dhe, pas gjysmë ore, filluan rrahjet masive. Pas rrahjes na morën përsëri në biseda informative e më pas na detyronim të rrinim në gjunjë me duar të lidhura prapa e me kokë të ulur në çimento. Rreth 6 orë qëndrimi në atë mënyrë, gjatë tërë kohës na rrihnin. Shumë vetave u binte të fikët, me dhëmbë të thyera e të përgjakur. Policët merrnin fëmijët e tyre serbë dhe i pyesnin se “kë do ti që të rrah”. Dhe fëmija përcaktonte se kë donte dhe personin e rrihnin dy vetë. Fëmijët qeshnin dhe thoshin se “këtu është Serbi”, siç i kishin mësuar prindërit.

Të nesërmen e mbrritjes sonë, dërguan grupin e dytë prej burgut të Smrekonicës që erdhën në Mitrovicë dhe i futën në shkollën medicinale, ku bëheshin tortura më keq se tek ne dhe në mënyrë kriminale. Nuk mund t’i shikonim me sy, me buzë të shqyera, me fytyra të gjakosura. Mes tyre ishte edhe mjeku nga Mitrovica Avni Xhafa, 28 vjeç. Për 4 ditë ai nuk ka pasur mundësi të lëvizte gishtat e duarve nga rrahjet. Trupi i ishte nxirë i gjithi.

Më 22 maj, në orën 8 të mëngjesit filluan të na thërritnin emër për emër, na hypën nëpër makina dhe na çuan  në fshatin Zhur, ku na thanë se “kufiri gjendet 5 km, ikni në Shqipëri”.

***

Trepça, thesari  i  pashtershëm  i Kosovës.

Intervistë :

E inxhinierit të diplomuar Ismet Sylaj, me gazetarin e “Albania” Hyqmet Zane, 1999.

Ismet Sylaj ka mbaruar teknologjinë e përgjithshme në inxhinieri, udhëheqës i metalurgjisë së plumbit. Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kombinatit të Trepçes. Ish kryetar i Kombinatit të Trepçes më 1986-1989, kur u zhvillua greva e njohur e Trepçes. Iu imponua dorëheqja nga qeveria e Beogradit.

Hyqmet Zane – Çfarë është Trepça për ju dhe për çdo kosovar ?

Ismet Sylaj – Kombinati Trepça është subjekti ekonomik që ka rëndësi shumë të madhe për Kosovën, Europën e Botën, se ka mundësi të mëdha të angazhimit të punëtorëve në profile të ndryshme të veprimtarisë ekonomike, duke filluar prej hulumtimeve të xeherorëve, përpunimit të tyre në koncentrate, shkrirjen e tyre në metale, përpunimin e metaleve dhe finalizimin e tyre. Secila prej këtyre fazave të përpunimit janë potenciale madhore të kërkuara në tregun botëror. Trepça zë vendin e dytë në botë dhe vendin e parë në Europë për prodhimin e plumbit, si dhe për prodhimin e akumulatorëve. Plumbi është prodhuar në sasi prej 85-100 mijë ton në vit ; zing 55-60 mijë ton në vit ; argjend 10 mijë kg në vit ; ar 75-100 kg në vit. Është shfrytëzuar edhe bizmut, kadium etj. Rëndësia e Trepçes është e madhe jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë trojet shqiptare dhe Europën. Mundësia e zhvillimit është shumë e madhe, se finalizimi i këtyre metaleve ka depërtim në tregun e brendshëm dhe botëror, ka mundësi shumë të madhe në zhvillimin e programeve të reja ekonomike, që kërkojnë investime edhe të profileve të kuadrove profesionale në lëmi të ndryshme.

  1. Zane. – Sa punëtorë përmbledh Trepça ?
  2. Sylaj – Si kombinat në Mitrovicë kanë qenë të inkuadruar 12,5 mijë punëtorë. Por bashkë me komunat e Mitrovicës, ajo përmbledh edhe organizata të tjera punuese në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë, Skënderaj, Vuçitern dhe Leposeviç, që përbëjnë 23,5 mijë punëtorë, ku përfshihen edhe organizata të tjera punuese në Serbi e Mal të Zi.
  3. Zane – Çfarë i ka sjellë Trepça Kosovës ?

I.Sylaj – Ajo i ka sjellë më shumë të mira Serbisë, se sa Kosovës. Të gjitha ëmimet e metaleve të kombinatit Trepça, kanë qenë të kontrolluara nga Oda Ekonomike e Serbise dhe Jugosllavisë dhe, deri në vitet pas 1974, të gjithë prodhimet i ka shitur firma “Geneks”me qendër në Beograd dhe shumë punëtorë të kësaj firme nuk e dinin se ku binte Trepça. Diktati i politikës ekonomike e zhvilluese i qeverisë së Beogradit ka ndikuar në moszhvillimin adekuat e rajonal të Kosovës. Programet profitabile (me përfitime ekonomike më të larta) janë ndërtuar jashtë Kosovës. Kur Trepça kishte nevojë për zhvillimin e vet, administrate e Beogradit nuk e garantonte për kombinatin, por kur Jugosllavisë i nevojitej për interesa të veta, e vinte Trepçan në kuadrin europian. Në vitin 1948 Jugosllavia ka marrë nga Gjermania Lindore e Çekosllavakia kredi për paisje bujqësore për zhvillimin e Jugosllavisë dhe Trepça ishte garanti i kësaj kredie që më vonë e ka paguar me metal të pastër të plumbit dhe zingut.

H.Zane – Kur i ka fillimet e veta Trepça ?

I.Sylaj – Disa xeherore të Trepças janë shfrytëzuar që nga viti 1927, kur miniera e Staritërgut shfrytëzohet nga ish shoqata e aksionerëve të Anglisë. Në vitin 1940 kalon në duart e gjermanëve. Nga viti 1945 është në duart e Jugosllavisë. Për ta thënë troç, Trepça është konsideruar si një burim i pashtershëm kapital, ku nëpërmjet hulumtimeve dhe zhvillimit të proceseve teknologjike, ai mund të rriste vlerën e vet në përmasa të pakufijshme, se me zhvillimin e Trepças, zhvillohet edhe vetë popullata dhe specialitetet e ndryshme. Në kohën e fundit në vitet 70-80 fillon që Trepça të jetë në duart e kuadrove kosovarë që përcaktuan kuadrin e dytë të zhvillimit të saj me finalizimet e prodhimeve të metaleve të saj. Filloi marketingu dhe menaxhimi në vetë Kosovën nga kuadrot e kombinatit, që përcaktuan kriteret e zhvillimit dhe shitjes në tregun e brendshëm e atë ndërkombëtar. Kjo ishte arsyeja që Serbia kërkoi të kishte protektoratin mbi të e jo të ishte në duart e kuadrove kosovarë, sepse vlera ekonomike vjetore e Trepças llogaritet afërsisht në 1 miliard e 200 milion dollarë, që pak e kanë arritur këtë.

H.Zane – Sa ndikoi lufta mbi Trepçen ?

I.Sylaj – Fati i Trepçes nuk mund të ndahet nga fati i punëtorëve të saj. Ashtu siç përjetuan punëtorët e saj tragjedinë, ashtu e përjetoi edhe vetë kombinati Trepçe. U shkatërruan shumë organizata ekonomike, u zvogëlua prodhimi i tyre, nuk ka hulumtime dhe përgatitje për shfrytëzimin e rezervave të reja  të kombinatit, iu ndërpre hovi i zhvillimit dhe Trepça nuk e ka vlerën që ka patur para 10 vjetëve. Jam i kënaqur që këtë gjë nuk e shfrytëzojnë serbët, se mungojnë punëtorët e saj.

H.Zane – Si do ta mendonte inxh. Ismet Sylaj të ardhmen e Trepçes ?

I.Sylaj – Kosova e lirë pa subjektet ekonomike : Trepça, termocentralet në Obiliç me xeheroret e veta të qymyrit, ferronikeli i Gllogovcit, as që mund të mendohet, si nuk mund të mendohet një njeri pa kokë. Pa këto nuk ka zhvillim të lirë e të drejtë të Kosovës. Përveç tragjedisë fizike mbi popullin, do të ishte një e padrejtë ndërkombëtare nëse llogaritet ndarja e Kosovës nga Trepça dhe organizatat e tjera ekonomike. Këtë e kanë të qartë të gjithë kosovarët për një Kosovë të lirë, shtet sovran e të pavarur, me qeveri e ekonomi stabile të saj.

H.Zane – Ju faleminderit.

***

Obiliçi,  termocentrali  i  jetës  në  Kosovë.

Intervistë :

E inxhinierit të diplomuar Hamit Zeneli, me gazetarin e “Albania” Hyqmet Zane, 1999

 

Inxhinieri i diplomuar Hamit Zeneli nga Mitrovica ka punuar për 16 vjet në industrinë e mëdhe të prodhimit të energjisë elektrike në Obiliç, në këtë termocentral që konsiderohet si termocentrali i jetës së Kosovës.

  1. Zane – Si e konsideron një kosovar termocentralin e Obiliçit ?
  2. Zeneli – Është termocentrali më i madh i Kosovës që gjendet 13 km larg nga Prishtina e që ndodhet në zonën qëndrore të Kosovës. Është ndërtuar në vitin 1963 dhe që nga ajo kohë ai u emërua termocentrali “Kosova A”, sepse në vitin 1983 u ndërtua edhe termocentrali “Kosova B”. Që të dy këta prodhues të fuqishëm kanë kapacitete prej 1450 MËh (mega-vat-orë), si një energji e madhe për Kosovën, po të kemi parasysh se e gjithë Kosova dhe industritë e saj në pikun e dimrit, kur harxhimet e energjisë janë të mëdha, nuk i kalojnë 450 MËh. Pjesa tjetër eksportohet në Serbi ose jashtë Jogosllavisë. Pas Trepçes, termocentrali i Obiliçit përbëjnë kompleksin më jetësor të Kosovës, pasuritë dhe të ardhurat e të cilëve nuk i marrin shqiptarët, por serbët, si një burim i madh ekonomik në kurriz të Kosovës.
  3. Zane – Ku mbështetet prodhimi i energjisë së këtij termocentrali ?
  4. Zeneli – Janë mihjet (vendi ku nxirret qymyri i drurit) sipërfaqësore që përbëjnë burimin e prodhimit të energjisë që kapin një sipërfaqe qindrahektarëshe dhe, sipas hulumtimeve nga Instituti i Ekonomisë, rezervat e qymyrit në Kosovë janë rreth 12 miliard tonelata, në një kohë që për një vit Obiliçi harxhon 5,5 milion ton, sasi e cila do të mjaftonte për rreth 500 vjet me këtë kapacitet të termocentralit, sikur të mos kishte rezerva të tjera energjie. Ndërsa nga ana tjetër, potencialet intelektuale dhe punëtorët janë një investim tjetër që bëhet në këtë vepër. Është për të ardhur keq, se që nga viti 1963 deri në vitin 1978 ato ishin në vartësi të elektro-ekonimisë së Serbisë. Më pas për 11 vjet ato u administruan nga rreth 200 inxhinierë të ekonomisë kosovare që u shkolluan në universitetet e Kosovës. Duhet theksuar se në të dy termocentralet punojnë rreth 17 mijë vetë, ku rreth 65 përqind ishin shqiptarë. Ndërsa pas 1989, kur u ndrrua Kushtetuta e Kosovës, ky gjigand u përfshi përsëri në kuadër të elektro-ekonomisë së Serbisë.
  5. Zane – Cili është qëndrimi i qeverisë serbe ndaj këtij gjigandi ?
  6. Zeneli – Energjia e ketij termocentrali mban të gjithë Kosovën dhe atje gjendet mundi i shqiptarëve, jo vetëm për energjinë që prodhon dhe për punësimin e njerëzve, paga e të cilëve është mezatarisht 400 DM për njeri. Në kuadër të elektro-ekonimisë së Kosovës, kanë qenë edhe repartet tertorja (tharja e qymyrit), azotiku, ku prodhohen plehra azotike të konsiderueshme për Kosovën, reparti kimik i prodhimit të gazrave për djegie, reparti i transportit të punëtorëve, institute i elektro-ekonomisë, reparti i sigurimit e i shëndetsisë. Pas vitit 1989 filloi një fushatë sprastrimi të të gjithë kuadrove drejtues të këtij kompleksi. U hoqën të gjithë udhëhesqësit shqiptarë, xhirollogaria u transferua në Beograd, sigurimi i pjesëve të këmbimit dhe riparimi bëhej nga Beogradi, por vitet e fundit, nga mosbërja e riparimeve, por vetëm “mjelje të lopës” për energji elektrike, termocentrali është dëmtuar rëndë që ka sjellë edhe shkatërrim të objektit në tërësi. Edhe nga Serbia filluan të sillnin inxhinierë, si apel i kthimit të serbëve në Kosovë, kur ata s’kishin jetuar kurrë aty. Muajt e fundit mes shqiptarëve dhe serbëve provokoheshin incidente që ktheheshin edhe në përleshje dhe, deri sa ika unë, u vranë tre shqiptarë. Ndotja e ambjentit u bë një shqetësim i përditshëm për banrët përreth.
  7. Zane – A pati ndryshime të destinacioneve të termocentralit ?
  8. Zeneli – Pas vitit 1998 termocentrali “Kosova B” u kthye në bazë ushtarake serbe, nga ku udhëhiqej ofensiva serbe në fshatrat Hade, Lajthishtë, Hamdi, Zhilivode, Strovc, Beçuk, Bivolak. Edhe në mihjet sipërfaqësore u futën tanket nga ku u sulmua Grabovci, Hade e Sibovci. Përreth lumit Sitnica dhe objektet e hirit të “Kosova B” u stacionuan policë dhe paramilitarë. Në objektin e drejtorisë buzë rrugës që të shpie në Plementinë, u vendos shtabi komandues, kurse 100 metra më larg, në një barake, u bë depo armatimi. E gjithë puntoria u shndrrua në një puntori ushtarake, ku blindoheshin automjetet luftarake, që u mvisheshin shirita speciale për t’u mbrojtur nga goditjet e bombave e granatave.
  9. Zane – Çfarë të ardhurash sillte termocentrali në përgjithësi ?
  10. Zeneli – Duke llogaritur punën mezatare prej 1000 MËh për të dy pjesët “Kosova A & B”, përfshi edhe amortizimet, duke llogaritur edhe çmimet e konsumit të gjerë, del se fitimi i përgjithshëm nga prodhimi i energjisë elektrike, pa llogaritur prodhimet e tjera që përmendëm më lart, është 1 milion DM në ditë, nga të cilat 10-15 % shpenzime të vetë termocentraleve, 60 milion DM të ardhura vjetore të punëtorëve, po kaq për pjesët e këmbimit, ndërsa rreth 250 milion DM mbesin të pastërta që shkonin për llogari të shtetit serb. Të mos harrojmë se termocentrali “Kosova B” ka kushtuar rreth 1 miliard DM, është e thjeshtë të nxjerrësh se për çdo 4 vjet Obiliçi nxirrte shpenzimet e veta. Por dëmtimet e fundit në të dy termocentralet janë aq të mëdha, sa sot nuk mund të investosh për riparimet, por për të ndërtuar më mirë nga e para një termocentral tjetër. Është kjo arsyeja që Serbia kërkon ta ndajë këtë pjesë të Kosovës bashkë me Trepçen si pasuri të mëdha dhe për t’i patur si territore të vetat.
  11. Zane – Ju faleminderit.

***

U bëj apel politikanëve të mos e përçajnë Kosovën

Intervistë :

E mësuesit-veteran Mehmet Gjevori, me gazetarin e “Albania” Hyqmet Zane, 1999.

Mësuesi-veteran 87 vjeçar nga Elbasani, Mehmet Gjevori, i ardhur në Kosovë më 1941, në kohën kur Ministri i Arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, u bëri thirrje shumë nxënësve dhe mësuesve të kohës, veçanërisht normalistë (nxënës të shkollës Normale në Elbasan) rreth 400 prej tyre, për të shkuar në trojet shqiptare për hapjen e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve. Më tej, pas një aktiviteti të gjerë pedagogjik dhe mësimdhënës, Mehmet Gjevori ka qenë për shumë kohë  Kryetar i Shoqatës së Arsimit në Kosovë, sot President Nderi. I ndodhur në Elbasan, në familjen e vëllait të tij Ferit Gjevorit, duke ndjekur me vëmendje situatat politike dhe zhillimet në Kosovë, munda t’i merrja një intervistë, ku ai pohon shumë të vërteta.

  1. Zane – Si e përjetoi kryeveterani i arsimit dramën e Kosovës ?
  2. Gjevori – Kjo nuk është thjesht një dramë, kjo është një tragjedi. Këtë filluam ta përjetojmë shumë herët, kur serbët filluan të na sulmojnë arsimin, ku kam punuar tash 58 vjet, kur ika nga Elbasani. Atherë ne iu përgjigjëm apelit të Ernest Koliqit, ish Ministër i Arsimit në Shqipëri për të vajtur në Kosovë. Rreth 400 arsimitarë nga të gjitha viset e Shqipërisë nga më të mirët që shkuan jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi e Çamëri. Por serbët punën tonë e kërkonin që të përkthenim libra e jo që ne vetë të bënim libra për mësimet e nxënësve. Edhe programi kishte një sens antishqiptar që tek fjalia “të parët tanë ishin sllavët”, që duhet ta thoshin edhe arsimtarët e nxënësit, por përkundër thojshin se “të parët tanë janë ilirët”. Vitet e Luftës II Botërore 1941-1944 kanë qenë fat i madh që hapëm shkolla shqipe dhe ata arsimitarë u bënë theror për të hedhur themelet e arsimit në Kosovë. Pas luftës kuptuam se do të çliroheshim e do të bashkoheshim, por u zhgënjyem e që atëherë filluan presionet.
  3. Zane – Cili është komenti juaj për që ndodh sot në Kosovë ?

M.Gjevori – Kjo dramë ishte e pabesueshme, në veçanti për intelektualët si dr.Fehmi Agani e shumë doktorë shkencash e deri te dr. Ibrahim Rugova. Kujtoj me respekt qëndrimin e dr. Rugovës bashkë me të gjithë anëtarët e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kur u therritën në Beograd që shfaqën qëndrimin e tyre, se nuk pajtohen me serbët. Të nesërmen e kthimit takova Rugovën dhe e përgëzova e ai më tha : “Po kështu na keni mësuar ju arsimtarët e parë”. Kjo është domethënëse.

  1. Zane – Si e latë Prishtinën ?

M.Gjevori – Të shkatërruar. Në fillim forcat militare e paramilitare, në veçanti sulmuan fshatart pa pikë mëshire. Ishte një barbarizëm që nuk mund të përshkuhet nga asnjë historian. Vrasjet pa faj të grave, sidomos shtatzana dhe fëmijët, duke i nxjerrë prej shtëpive, duke i djegë edhe kufoma, duke vra nga 50-100 vetë njeherësh e duke i varros në varre masive, janë një pikëllim i madh për mua dhe për të gjithë arsimtarët e sidomos vrajset e mësuesve para nxënësve. Pas fshatrave, filluan sulmet mbi qytetet. U grumbulluam të gjithë në një shtëpi. Shumë lajme i merrnim nga stacionet e huaja, por më shumë i përjetonim çdo ditë vetë. Paramilitarët me maska, të dehur, bënin presione mbi fëmijët për t’u kallur frikën. Por kemi ndjekë me shqetësim fatin e Presidentit Rugova. Lagja e tij u sulmua e para e ai u vu nën kontroll të policisë. Opinioni kosovar nuk është pajtuar asnjherë me fjalët e thëna nga politikanët e Tiranës që hedhin dyshime në qëndrimin e Rugovës. Ai tash 10 vjet ka punuar për Kosovën, për Pavarësinë dhe kërkonte e deklaronte  për NATO-n e OKB-në. Populli kosovar nuk i ka marrë për të vërteta ato që kanë thënë të tjerët në emër të Rugovës. Ato janë trillime. Mendimi i kosovarëve ka qenë që UÇK-ja e partitë e tjera të merren vesh me Rugovën. Këtë ai e vërtetoi edhe në Rambuje. Të gjithë ne këtë përçarje të politikanëve të Kosovës këtu në Tiranë e quajmë fatkeqësi. Fjala e urtë se “bashkimi ban fuqinë” është reale edhe sot. Ne e kemi arsimuar brezin e ri me edukatë atdhetare.

H.Zane – Si do t’i komentonit ju mosmarrëveshjet ?

M.Gjevori – Mendimi i popullit kosovar është kundër mosmarrëveshjeve. U bëj apel politikanëve që të mendojnë jo për pushtet personal, por për Kosovën që sot vuan. Unë nuk i quaj serioze këto qëndrime të njëanshme të qeveritarëve shqiptarë. Askush nuk mund të flasë para se të flasë vetë Rugova. Unë e pres në Shqipëri Rugovën, që ai t’ua thotë haptaz mendimet e veta. Po të pyetet populli i Kosovës për Rugovën, ai do të shprehet përsëri me 90 %.

H.Zane – Ç’mendoni për të ardhmen ?

M.Gjevori – Kemi udhëtuar 2 ditë e 3 net me kamiona. Më morën peng djalin, Shkëlzenin, 47 vjeçar, një serb nga Kroacia. Çeja i thoshin. Kolona ishte e gjatë 18 km dhe makina e serbit ndaloi te makina jonë dhe i vunë automatikun në gjoks Shkëlzenit dhe e morën. Kështu kishin marrë edhe shumë djem të tjerë, që i çojnë në bazat ushtarake, ku bombardon NATO, për të thënë se “ja se si i vret ajo civilët e pafajshëm”. Por serbi nga Kroacia, që kishte vuajtur vetë nga Serbia në luftën në Kroaci, e bëri zemrën gur e na e lëshoi djalin. E lamë Kosovën nga zori, por e kam shpresën se shumë shpejt do të kthehemi në Kosovë, bashkë me fëmijët e mij, gjallë apo vdekur. U bëj apel atyre që u dëbuan nga Kosova që të mos largohen nga viset pranë Kosovës, se zemra më ndjen se do të kthehemi shumë shpejt në Kosovën e lirë e të pavarur, ashtu sië tha edhe vetë Presidenti Rugova në Itali.

H.Zane – Faleminderit.

***

Vetëm në Kosovë do të jemi shqiptarë të vërtetë, ashtu siç kemi qenë në shekuj.

Intervistë :

Me Prof. Mr. i Shkencave Politiko-Juridike, Ramadan B. Kelmendi, me gazetarin e “Albania” Hyqmet Zane, më 27.04.1999.

Ramadan B. Kelmendi ka lindur në Lipë të Mitrovicës më 1952. Ka mbaruar fakultetin e Shkencave Natyrore, dega Gjeografi, Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, si dhe Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit. Këto ditë (viti 1999) ka patur për të mbajtur desertacionin me titull “Elementi i hapsirës gjeografike dhe ai popullor për rikrijimin e e shteteve të reja”. Ramdadan B. Kelmendi ka qenë pjesmarrës aktiv i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si dhe pjesmarrës në hartimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës më 7 Shtator 1990. Ka qenë nënkryetar i kuvendit i të Republikës së Kosovës, pjesmarrës i të gjitha mbledhjeve të këtij Kuvendi, ku janë miratuar vendime me rëndësi politike për Kosovën, si : – Rezoluta për Kosovën Shtet Sovran e i Pavarur ; – marrja e vendimeve për shpalljen e zgjedhjeve të para, të lira, shumëpartiake për deputetët e Kuvendit të Republikës dhe Kryetarin e Republikës së Kosovës.

Një vit pas këtyre ngjarjeve, ka jetuar në ilegalitet në Kosovë dhe 6 vite të tjera ka qenë në ekzil politik. Në vitin 1996 është kthyer në vendlindje dhe ka vazhduar veprimtarinë politike në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe menjëherë është zgjedhur kryetar i LDK-së, dega Mitrovicë dhe pjesmarrës i rregullt i mbledhjeve të kryesisë së LDK-së të Kosovës me përfaqësuesit e degëve. Është kryetar i Këshillit të Kuvendit të Republikës së Kosovës 2 Korriku, i cili në gjirin e vet përfshin të gjithë deputetët që shpallën dhe miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

  1. Zane – Në ç’gjendje e latë Kosovën ?
  2. Kelmendi – Përkundër vullnetit e dëshirës, ne shqiptarët e Kosovës nën tyta, bajoneta, tanke të shkiaut e lamë Kosovën në gjendje shumë të rëndë dhe tragjike. Relievi i Kosovës mbeti i përgjakur nga gjaku i bijëve dhe bijave më të çmuar. Fshatrat e Kosovës të djegura e të shkrumbuara deri në themel, qytetet e granatuara nga serbët, të plaçkitura e të kallura në flakë. Atje mbetën varret e të parëve tanë, mbeti pjesa e jetës sonë, mbeti UÇK-ja e cila bën çmos për të krijuar mundësi që ne të kthehemi.
  3. Zane – Si i vlerësoni ju veprimet e NATO-s e SHBA në mbrojtje të lirisë dhe drejtësisë njerëzore ?
  4. Kelmendi – Në fund të shekullit XX në Kosovë ndodhi çmenduria dhe tragjedia barbare sllave. Ata u vlerësuan drejt Kosovës për të zhbërë popullin shqiptar të kësaj treve, si dhe çdo gjurmë dhe të mirë të saj. Në këto rrethana ka qenë e arsyeshme dhe e drejtë që të intervenojë Bashkësia Ndërkombëtare e konkretisht NATO, ndonse e bërë tani, faktet flasin së është bërë pak me vonesë. Megjithatë shqiptarët i janë mirënjohës për një ndërhyrje të tillë, sepse vetëm në këtë mënyrë NATO me në krye Amerikën do të ndalin makinerinë shtypëse dhe vrasëse serbe mbi popullin shqiptar duarthatë. Demokracia Perëndimore, mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në aktin final të Helsinkit, në Kartën e Parisit për paqe për një Europë të lirë, të barabartë e të pashtypur, si dhe në parimet e proklamuara demokratike ka patur për obligim të mbrojë dhe të ndihmojë popullin kosovar, lirinë e tij dhe posaëërisht, duke ditur faktin tashmë të njohur se Fuqitë e Mëdha i ndanë dhe i përgjysmuan trojet e popullit shqiptar, u detyruan të jetojnë në një shtëpi të përbashkët me ata që nuk i lidh asgjë, as gjuha, as kombësia, as gjaku e as besimi. Shpresoj se këto intervenime ajorore janë shprehje e vullnetit të demokracisë dhe e përmirësimit të gabimeve njëshekullore të bëra mbi ne shqiptarët e Kosovës dhe Çamërisë. NATO-ja, si e vetmja forcë e së drejtës ndaj padrejtësisë do ta arrijë qëllimin për të mbrojtur të drejtat tona njerëzore e kombëtare. Dhe, duke i mbrojtur këto, dëshmon demokracinë e vërtetë.
  5. Zane – Është bërë publik formimi i qeverisë së përkohshme të Hashim Thaçit, paralel me qeverinë legjitime të Bujar Bukoshit. Cili është komenti juaj ?

R.Kelmendi – Kjo pyetje është me interes të përgjithshëm të sqarohet drejt e mirë. Nuk dua të jap përgjigje juridike, por, në rrethanat e në momentin aktual, Kosovës i duhet një qeveri e aftë profesionalisht, e gatshme për t’u rrokur me problemet madhore, një qeveri demokratike që din ta realizojë dhe sendërtojë vullnetin e popullit shqiptar të shumëvuajtur, një qeveri që nuk i ka sytë tek kolltuqet e pushtetit, një qeveri që popullit ia sjell lirinë, që popullin e kthen në shtëpitë e tij të djegura, që hap mundësi e perspektivë për jetë në Kosovë, një qeveri që repekton vullnetin e lirë të popullit, që merr bekimin nga populli sovran, një qeveri që din, don dhe angazhohet të shfrytëzojë në të mirë të popullit kosovar të gjitha këto mundësi që i ofron shteti shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare me Amerikën në krye. Cilado qeveri qoftë ajo që nuk ka qëllime të krijojë pushtetin, mekanizmat e saj organizative, horizontalisht e vertikalisht, organet që nga pushteti vendor e deri lart në hierarkinë e respektimit organizativ, do të ngelë në gjysmë të rrugës. Mendoj se pas bisedave të zhvilluara në Rambuje (për aq sa është publikuar) qeveria e përkohshme e zotit Thaçi duhet të kompletohet nga i tërë spektri politik veprues në Kosovë deri në zgjedhjet e vërteta demokratike, ku fjalën përfundimtare do ta thotë populli sovran me votën e tij të lirë. Kemi nëvojë për liri, sepse për atë po derdhet gjaku, por duhet të tregojmë aftësi dhe të krijojmë shtet e qeveri, t’i çmojmë dhe t’i nderojmë ato sië bën bota e qytetëruar.

  1. Zane – Si do ta komentonit qëndrimin e njëanshëm të shteti shqiptar ndaj qeverisë së Thaçit dhe lënien në hije të qeverisë së Bukoshit ?
  2. Kelmendi – Qeveria shqiptare, duke respektuar sovranitetin e vet shtetëror dhe duke realizuar një politikë të caktuar shtetërore, nga partia në pushtet bëhet ndarja që ju e shtroni në pyetje. Megjithkëtë, ndihma më e mirë do të ishte që ajo të shfrytëzojë autoritetin e pushtetin që të na afrojë, bashkojë në luftën tonë të përbashkët për liri kundër shkiaut, të gjejë forma e metoda të shumta që synimi ynë të jetë i përbashkët. Çdo anim apo përkrahje e njëanshme shprehet negativisht brenda faktorit shqiptar dhe atij kosovar, por edhe atij ndërkombëtar. Shqipëria ka mundësi ta bëjë këtë. Momenti është. Uniteti i përbashkët në qëllime të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, të të gjithë strukturave politike, në tërë hapsirat gjeografiko-etnike shqiptare, sepse të gjithë jemi të rrezikuar, kudo që të ndodhemi. Në raste të tilla na duhet një qeveri, një ushtri, një popull për një liri të përbashkët, sepse gjakatari Millosheviç arriti që të gjitha forcat e veta kundërshtare t’i vejë në veprim kundër shqiptarëve. Andaj edhe ne të vihemi në të mirë të Kosovës e të Shqipërisë të gjithë. Në këtë drejtim është i qëlluar mendimi i Berishës për dialog, afrim e bashkëpunim të të dy subjekteve të Kosovës.

H.Zane – Cili është komenti juaj për çfarë është folur për Presidentin e Kosovës Ibrahim Rrugova ?

R.Kelmendi – Zoti Rrugova erdhi në postin e Kryetarit në rradhë të parë nga guximi i tij për t’iu kundërvënë politikës së Milosheviëit të viteve ’90 dhe, së dyti, në bazë të zgjedhjeve të para dhe të dyta. Është personalitet që gëzon autoritet në masën e madhe të kosovarëve dhe të Lëvizjes Demokratike Botërore. Faktet flasin se si ai qëndron me këmbëngultësinë më të madhe për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, kontributi i tij politik në aktualizimin dhe sensibilizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës është i dukshëm dhe se rruga e tij për zgjidhje politike të problemit të Kosovës është përkrahur edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Është një vizion programor që nuk mund të dështojë. Edhe pas ndërhyrjes së NATO-s, edhe pas luftës heroike të UÇK-s, edhe pas gjithë këtyre viktimave martirë dhe dëshmorë, edhe pas shkatërrimit total të Kosovës, do të vijë momenti që politikisht nën ndikimin e Aleancës Euro-Atlantike, do të bëhet një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës. Është e drejtë të themi të vërtetën se Rrugova tani është në burg shtëpiak, në duart e kriminelëve serbë dhe deklaratat të cilat publikohen së fundi, janë të imponuara dhe të kushtëzuara. Prandaj unë nuk i marr si shprehje të vullnetit të tij, sepse ato shkruhen dhe publikohen nga punëtorët sekretë të shërbimit të Serbisë për qëllime propogandistike e përçarëse dhe bëjnë pjesë në luftën politike.

H.Zane – Klasa politike në fuqi që nga Ceka dhe Nano, që ka takuar Milosheviëin dhe Meidani, që ka dhënë mendime për të, si, p.sh. – Nano në Lisbonë : “Kosova ka kryeqytet Beogradin” dhe Meidani në Trieste : “Milosheviëi është e keqja më e vogël”. Komenti juaj.

R.Kelmendi – Shqiptarët e Kosovës, të gjitha këto takime e deklarata, kurrë nuk i ka mirëpritur, se kemi qenë thellësisht të bindur se politikanët e sipërpërmendur do të bien në lajthitje të thellë nga politika e Milosheviëit. Cilido shqiptar qoftë ai e çfarëdo funksioni që ushtron çdo herë, duhet të ketë parasysh interesin kombëtar dhe çdo përulje diplomatike e ul prestigjin e tij individual dhe i shkakton dëm të madh kombit e, posaçërisht, kosovarëve. Historia na mëson se shkiau është i pabesë dhe, çdo herë, besën tonë e ka shkelë dhe e ka keqpërdorur. Andaj dhe këto takime me serbët janë keqpërdorur dhe kanë pasur rezultate negative. Këtë po e vërteton edhe gjendja e tanishme e rikrijuar me spastrim etnik të Kosovës.

H.Zane – A është ky i pari spastrim etnik në Kosovë ?

R.Kelmendi – Ky është spastrimi i katërt etnik në Kosovë, që nga viti 1878, pastaj më 1912-1913, më 1952-1953 dhe gjatë gjithë diktaturës 50-vjeçare është heshtur për spastrimet etnike që ka bërë Jugosllavia e Titos. Fatkeqësisht ky është spastrimi më i madh. Thënë të vërtetën, Kosova është e spastruar, por shpresoj se Bashkësia Ndërkombëtare nuk do të lejojë realizimin e saj, ngaqë ajo mbron me të drejtë, në mes të tjerash, edhe kërkesën për rikthimin e shqiptarëve.

H.Zane – Si një titullar i lartë i politikës, cili është mesazhi juaj për të ardhurit nga Kosova ?

R.Kelmendi – Të gjithë të ardhurit nga Kosova në Shqipëri dhe në viset e tjera në Maqedoni e Mal të Zi kanë fatin që kanë shpëtuar kokën, jetën dhe ardhëmrinë e kanë përpara. I porosis dhe i lus që të mos largohen nga këto vendstrehime, të mos marrin botën në sy, të mos hyjnë në kazanin djallëzor e përulës të Serbisë, por të jenë të gatshëm që, posa të krijohen kushtet e para, të kthehen në Kosovë dhe të rinjtë t’i bashkëngjiten UÇK-së, se vetëm në këtë mënyrë do të pengojmë spastrimin e vërtetë etnik të Kosovës që e planifikoi akademia serbe dhe po e realizon politika e Milosheviëit. Iu them nënave dhe prindërve, vëllezërve e motrave, Kosova pa ju nuk ka kuptim. Kosovën pa ne e don vetëm Serbia. Mos të lakmojmë shpëtim individual dhe lumturinë e momentit, sepse jashtë Kosovës nuk do të jemi asgjë dhe se vetëm në Kosovë do të jemi ata që duhet të jemi : shqiptarë krenarë, dinjitozë, ballëhapur e të pathyeshëm. Kosova na pret, na thërrasin varret e të parëve, na thërret gjaku i freskët i dëshmorëve, familjet tona të përgjysmuara, që kanë mbetur në Kosovë. Kosova është e jona, Kosova do mbetet e jona.

H.Zane – Ju faleminderit

***

Avdi  Duraku, 41 vjeç.

Me banim në Krushë të Madhe.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.

 

Me kujtesën e tij për çfarë kishte parë në atë ditë të 26 marsit 1999, Avdi Duraku tregon : “Shtëpia ime gjendet në periferi të fshatit, nën rrugën që lidh Prizrenin me Gajkovën. Kam qenë tërhequr buzë lumit Drin i Bardhë bashkë me familjen. Erdha vetëm 100 m pranë shtëpisë. Aty ka ardhur një makinë furgon, një kamion dhe një veturë, nga ku kanë zbritur policë me tesha të zeza. Morën traktorin tim të shtëpisë dhe e kanë çuar në shtëpinë e komshisë. Aty kanë shkrepur rreth 50 plumba dy shtëpive të xhaxhait dhe traktorit tim ia vunë zjarrin dhe ikën. Unë kam arritur zvarrë deri te shtëpia. Pranë zetorit pashë 2 trupa njerëzish të djegur, nuk i njoha. Në dhomën tjetër gjeta edhe 2 trupa të tjerë që ishin vetëm eshtra. Edhe në dhomën tjetër ishte një trup që ishte Mehidin Nezir Duraku. Duket se nga makina e madhe i kishin hedhur atje dhe i kanë vënë flakën. Ishte ora rreth 16 e pasditës”.

***

Hazër Mustafa, 31 vjeç,

Me banim në Preizren.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 07 prill 1999, ora 14-00

 

Me një kujtesë të mirë dhe i pikëlluar rrëfen : “Më vranë babanë serbët më 28 mars 1999 në Dragobil të Malishevës. Unë kam një vëlla me UÇK-në, është Muharremi, vëllai im i madh. Kur erdhën serbët, baba mori 4 fëmijët e vëllait (Muharremit) bashkë me të shoqen e tij dhe iku në Dragobil. Kur kanë hy në Dragobil serbët, aty kanë vrarë babën me 3 dajat e mij, Baftjarin, Hamitin, Jahër Poçarrizi”.

***

Blendoneta Lokaj (Shala), 23 vjeç.

Me banim në Pejë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më 7 prill 1999, ora 15-00

 

Të strehuar në shtëpinë Biblike në afërsi të Universitetit “A.Xhuvani”, të shumtat gra nga Peja e Kosovës, ndër to edhe Mereme Lokaj, Blendoneta rrefen : “Ishim duke shkuar në bodrum, kur erdhën serbët të veshur me tesha të ushtrisë. – Jemi të Arkanit, – më thanë vetë ata. Ishin me maska. Ishin vrasës ata që i shoqëronin. Në fillim, – tregon Meremja, – më morën djalin e parë, Besnik Lokaj, aktivist të LDK, inxhinier ndërtimi, 31 vjeç. Neve na thanë ikni. E kapën prej krahu. Pastaj morën djalin tjetër, Bashkimin. I thanë “Na sill florinjtë e paratë, duke na kërcënuar e duke qëlluar në tokë. Ia dhamë të gjitha florinj e marka. Edhe ato që kishim ndër duar. Ia çoi burri im. Në atë moment vranë Bashkimin. Besnikun e lëshuan. Bashkimin e fusin në shtëpinë e kojshisë Isuf Mulaj, prej Llozhanit dhe i shtinë flakën gjithë shtëpisë. U dogj edhe djali. Pastaj dolën të gjithë. E gjithë lagja për të ikur. Serbët qëllonin duke na trembur, duke nathanë se “do t’ju vrasim të gjithëve. Shkoni në Shqipëri. S’ka ma Kosovë. Këtu është Serbi. Donit Arkanin ju”. Në atë kohë serbët banin hesap si me na vra një e nga nji apo 10 e nga 10. Ndëqrhyn burri im duke i thanë se “këtu ka gra e fëmijë”. Menjëherë i thonë burrit tem të dilte para. E zhveshin duk i marrë edhe lekët. Pastaj nxorrën kunatën, Shqipen 26 vjeç, motrën e Besnikut dhe i thonë se ku i kanë paret, nxirrini dhe duke nxjerrë nga goja fjalët ma të ndyra. Me zor na i marin florinjtë. Pastaj i thonë kunatës : “Çoi tre gishtat dhe thuej “Rroftë Serbia”. E qëlluan, ndërsa burrin e morën dhe e vranë pak ma tutje.

Nana : E ndjeva krismën. Milici i Pejës i thoshte shokut se edhe ky, Blerimi, nuk duhet mbet gjallë se do të thotë çfarë ka pa. Burri im, Jusufi, mësues, ka shkuar dhe e ka gjet Besnikun të vra në bahçe. E shtin brenda dhe tjetit, Bashkimit, i gjen kockat e i la ashtu në sallon të shtëpisë së re pa i varros. Veç na thanë se i ka varros shoku i Besnikut.

Na qitën mes qytetit dhe na çunë në pallat të sportit, ku ishin qindra njerëz. Ndërsa ne shikonim se si i granatonin shtëpitë tona që kalleshin në flakë. Rrugës kena pa fëmijë, burra, gra dhe pleq të vra”.

***

Hamdi Krasniqi, 49 vjeç,

Me banim në Demian–Gjakovë, Kosovë, drejtor i shkollës “Kongresi i Manastirit”.

Rrëfimi i bërë më 08 prill 1999, ora 14-00 te Kolpingu, Elbasan.

 

Më 16 mars të këtij viti (1999) nga ora 8 e mëngjesit, 12 ushtarë së bashku me një oficer serb rrethuan shkollën dhe me automatik hynë në klasat e mësimit. Nxënësit e kësaj shkolle u tmerruan shumë, kur panë këta ushtarë. Ushtarët serbë ishin me shlema (helmeta). Ata kërkonin ushtarë të UÇK. I shpjegova oficerit serb se ne nuk merremi me politikë. Duke biseduar me mua, oficeri shikon të varur në zyrë fotografinë e Skënderbeut.

Çdo ditë kishim presion të madh dhe i friksoheshim ndonjë masakre. Ata donin numrin e nxënësve, numrin e arsimtarëve, çfarë sekti fetar i takojmë (muslimanë apo katolikë). Pyetnin për numrin e fshatrave të rajonit të Hasit, se cili fshat është musliman dhe cili i fesë katolike, megjithëse ai i njihte mirë fshatrat.

Na kërcënonin duke na thënë se “do t’iu eleminojmë fizikisht të gjithëve, nxënës dhe arsimtarë”. Mua më thanë se “do të vijmë përsëri”, kur më 22 mars me një vendim të Ministrisë së Arsimit të Kosovës për shkaqe të pasigurisë më pushuan nga puna. Të nesërmen ika në mal (Mullini i erës) në mes të fshatit Ingishtë dhe Ramoje të Prizrenit, bashkë me nxënësit ku ndejtëm 3-4 ditë se u dha ndërprerja e mësimit.

Pastaj morëm lajmin se duhet ta lëshojmë Kosovën e duhet të shkojmë në Shqipëri.

***

Avdi  Krasniqi, 25 vjeç.

Me banim në Demiani, Podgoricë – Mali i Zi.

Rrëfimi i bërë më 08 prill 1999, ora 14-15, te Kolpingu, Elbasan.

 

Unë punoja në Mal të Zi, në Podgorcë si bukëpjekës. Në orën 2 të natës më 29 mars 1999 na hynë një grup njerëzish me shufra hekuri në duar. Unë isha me një shok, Skënder Maroshi nga Demiani. Ata na thoshin : “Pse ju doni të na vrisni vllaznit tanë serbë në Kosovë”? Nuk dija se kush ishin këta njerëz, veç nuk ishin shqiptarë, ata ishin armq tanë.

Na kërkonin marka gjermane. Kur i thashë se s’kena para (marka) në dorë, qëllonin me shufra hekuri duke na shkaktuar plagë në kokë, i çanë vetullën dhe i dëmtuan sytë një shoku. Na qëlluan edhe në trup. Të dyve na qëlluan ku me mujt.

Në orën 5 të mënegjesit çohet pronari i lokalit dhe na thotë se “përse ju rrafën ato mafie, kush ishin, çfarë kërkonin”.

Ky ishte shkaku që ikëm edhe nga Mali i Zi dhe erdhëm në Shqipëri.

***

Refat  Shala, 41 vjeç,

Me banim në Rugovë të Hasit, Gjakovë – Kosovë.

Rrëfimi u bë më 15 prill 1999, në Bashkinë Elbasan, ora 9 e 50 minuta.

Këtë rrefim e pohoi edhe gruaja e Adem Shalës, Hidije Shala që shpëtoi gjallë me 4 fëmijët.

Më datë 29 mars 1999, ditë e premte, në orën 6 e 20 të mëngjesit, në shtëpinë e Shefqet Berishës, policia serbe, ka rrethuar një grup rreth 25 ushtarë të UÇK-së. Ushtarët që kishin depërtuar nga Shqipëria për të kaluar në shtabet e tyre, kanë kaluar nëpër fshatin Rugovë. Policia serbe ka ra në gjurmë të këtij gurpi dhe në oborrin e shtëpisë së Shefqet Berishës, ata të UÇK-së kanë qenë me një furgon të kuq me targa Gjakovë, pronë e Xhevdet Berishës. Policia hap zjarr dhe nga furgoni janë nxjerrë rreth 20 kufoma të vrarësh. Kufomat janë çuar në fakultetin e mjeksisë (qendra medicinale) në Prishtinë, ku është bërë identifikimi i kufomave, si dhe autopsia nga ana e mjekëve.

Në këtë shtëpi kanë qenë 4 gra me famijë, rreth 25 anëtarë të familjes të cilët kanë qenë pa dijeni për ngjarjen që është zhvilluar në oborrin e tyre. Policia serbe, së bashku me grupet paramilitare, kanë hapur zjarr në të gjithë anët e shtëpisë, por anëtarët e shtëpisë kanë qenë të shtrirë dhe nuk kanë pësuar gjë. Pastaj policia serbe ka kontrolluar në shtëpi me pretekstin  e ndjekjes së ushtarëve të UÇK-së dhe kontrollin e armëve, por nuk është gjendur asgjë.

Gjatë kontrollit policia ka keqtrajtuar anëtarët e familjes, duke përdorur fjalë të ndyra dhe duke goditur me kondakun e pushkës, ku njerës nga gratë, Barie Berishës, rreth 70 vjeç (nëna e Shefqet Berishës) i është thyer krahu.

Gjatë luftimit të pakicës serbe me ushtarët e UÇK-së, nja 3-4 ushtarë të UÇK-së janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke ikur në drejtim të paditur për shkak se nuk e njihnin terrenin. Policia serbe ka gjetur pretekst për të bërë kontroll në të gjithë shtëpitë ku u bë ngjarja. Edhe në shtëpinë e Zyber Shalës, rreth 60 vjeç, policia serbe ka gjetur një ushtar të UÇK-së të plagosur dhe në shenjë hakmarrje vret Zyber Shalën, si dhe ushtarin.

Afër shtëpisë së Zyber Shalës ka qenë shtëpia e Rifat Shalës, 24 vjeç, nipi, kur ka dëgjuar krismat e automatikëve, shkon tek axha që të pyesë se çfarë janë këto krisma. Policia serbe fillon të kontrollojë shtëpinë e  vëllaut tim, Adem Shalës, 45 vjeç, pastaj, me ardhjen edhe të nipit, policia i vret edhe këta të dy, pasi u kërkon që të shkojnë për kontroll në shtëpinë e Refatit. Kjo u bë në shenjë proteste, sepse aty pranë u gjet ushtari i UÇK-së.

Rreth 25 të vrarë në rreth 2 orë e 30 minuta, 9 prej të cilëve kanë qenë prej fshatit Rugovë : Rustem Morina, 62 vjeç me të tre djemtë e tij që u vranë gjatë kontrolleve. Ibrahim Kryeziu, 26 vjeç.

***

Ahmet  Reshiti, 42 vjeç.

Me banim në Krushë të Madhe – Kosovë.

Rrëfimi i bërë më prill 1999, në Elbasan.

 

Ka gruan dhe 3 fëmijët e tij. I pyetur për çfarë ka parë në Kosovë, ai shprehet : “Nga granatimet serbe, një predhë ra në shtëpinë e një fshatari nga Nagovc, ku unë isha strehuar bashkë me familjen dhe gjithë fisi ynë prej 120 vetësh. Ishte shtëpia e Dalip Sinan Gashit. Nga shembja e shtëpisë vdiq Sinan Gashi, 61 vjeç. Ngjarja ndodhi më 1 prill 1999, në orën 2 e 30 të natës. Isha tuj fjetë, kur më zuri muri dhe më dëmtoi në kokë dhe fytyrë, si dhe më ka krisur shpatullën. (Ndërkohë që autori i këtij rrëfimi mbante të lidhur dorën e shpatullën, kur më tregonte ngjarjen).

Unë dhe gjithë fisi ikëm nga fshati Krushë e Madhe se erdhi policia dhe ushtria serbe. Kam parë me sytë e mij, se si predhat e granatimeve serbe shembnin shtëpinë e Selajdin Çerkin Gashit, duke zënë brenda të tanë robt e shtëpisë, rreth 30 e ca vetë, bashkë me mysafirët që kishin ardhë. Njerëzit ulërinin nën beton, por askush nuk mund t’i ndihmonte, se betoni nuk ngrihej dhe predhat binin si shi mbi shtëpitë. Ajo shtëpi u rrafshu krejt”.

Më tej Ahmet Reshiti vazhdon duke pohuar me dhembje : “Më 30 mars m’u vra baba jem, Rustem Reshiti, 75 vjeç. E kam gjet të vramë në rrugë.E kishin qëlluar në tëmth të kokës në Krushë të Madhe. Ai ndejti se nuk donte të ikte nga fshati, por e vranë. E kam varrosur me dy axhat e mij, Adem e Bajram Reshiti dhe një kushëririn tim, Ismet Dana që i ka brinjët e thyera, ngaqë ishin duke fjetur e zuri gjumi. Nuk e di se ku vajti më pas. Ne ikëm bashkë me familjen nëpër natë. Nuk dinim se ku shkonim, duke ikur natën me zetora”.

Ahmet Reshiti shprehet se “jam anëtar i LDK-së. Nuk pranoj se Rugova e ka tradhëtue Kosovën. Rugova ka punue për Kosovën”.

***

Hilmi Dervishi, 40 vjeç,

Me banim në fshatin Leçin, komuna Skënderaj, Drenicë.

Rrëfimi i bërë më 23 prill 1999, ora 13 e 20, në Elbasan.

 

Jam ushtar i UÇK-së. Para një muaji u ndava nga familja në orën 4 të mëngjesit më 28 mars (1999). Isha me shokë dhe familje, pasi ishim dëbuar nga serbët për shkak të luftës. Vajtëm në Isbicë. Tërë ditën kanë granatuar dhe militaruar nëpër male. Në orën 11 forcat serbe janë futur në fshatin Isbicë, ku ishin grumbulluar pleq, fëmijë e gra, rreth 10-15 mijë frymë nga 10 fshatra si Leçin, Kastriot, Kllodernicë etj. Kemi ndarë burrat pleq prej grave dhe fëmijëve. I kanë ndarë në 5 grupe burra pleq me nga 40-50 burra. Ishte një vend si han dhe familjet kanë parë të gjithë ngjarjen.

I kanë rrethuar afër pyllit. Para se t’i ekzekutojnë u kanë thënë “kush ka parâ do të shpëtojë”. Por edhe ata që kanë pasur parâ i kanë vrarë. i kanë detyruar të çojnë tre gishtat e simbolit serb. I kanë detyruar të heqin kapelet dhe i kanë ekzekutuar. Gratë dhe fëmijët i kanë detyruar për të shkuar në Shqipëri.

Pas 3 ditësh vajtëm ne të UÇK-së ku i kemi gjet trupat të ekzekutuar, por edhe të sakatosur me sy të nxjerrë, veshë dhe hundë të prerë, u kanë çarë mishin dhe u kishin futur duart, si një njeri që i ka duart në xhepa.

Kur familjet janë larguar, në rrugë ka rënë një granatë në mes të familjes, ku janë vra një grua dhe tre fëmijë. I kemi të inçizuara të gjitha nga gazetari Liri Loshi.

Ata që kanë shkuar në Skënderaj, kanë mbetur në fshatin  Tushili, afër Skënderaj. Kurse turma tjetër ka shkuar nga Klina e Begut. Fëmijët e gratë kanë ecur përpara, kurse tanku prapa. Prej Kline e deri në Gjakovë kanë shkuar në këmbë. U kanë thënë “u mbyll kufiri e duhet me u kthyer prapa. Disa familje u kthyen deri në fshatin Kllëdërnicë. Aty kanë qenë të strehuar në shkollë fillore. Familjet kanë njohur disa serbë të fshatit Leçinë, Belicë dhe Kërnijë. Ne nuk kemi patur hasmërira me serbët, kurse, kur filluan trazirat, serbët u organizuan kundër shqiptarëve. Njihen p.sh. Zharko nga Beca.

Burrat e vrarë i varrosën në rregull në Isbicë. 158 varre të hapura. Aty kam 2 djemtë e axhës : Iliaz Dervishi, 70 vjeç dhe Sali Dervishi, 60 vjeç. Nga fshati Leçinë janë të ekzekutuar e masakruar 27 vetë. Ramadon Hoti 65 vjeç ka qenë i prerë me sopatë, ndarë koka nga trupi. Kurse kemi gjetur një femër 55 vjeç e djegur brenda në shtëpi që kishte mbiemrin Çorri, nana e Rasim Çorrit nga fshati Leçinë. Janë vrarë gjithashtu :

Ali                   Draga – 50 vjeç

Rustem            Draga – 90 vjeç

Ismet               Draga – 35 vjeç, (djali i Aliut)

Halim              Shala   – 60 vjeç

Kujtim Vesel   Shala   – 50 vjeç

Sali                  Shala   – 37 vjeç

Rexh                Çelaj    – 70 vjeç

Metush            Çelaj    – 65 vjeç

Smail              Çelaj    – 60 vjeç

Vetëm dy vetë nga ky fshat kanë shpëtuar pa u ekzekutuar

***

Gjylazim  Bejgu, 29 vjeç dhe Behexhet  Bejgu, 23 vjeç (vëllezër).

Me banim në fshatin Kaçanall dhe lagja Tavnik, Mitrovicë–Kosovë.

Rrëfimi i bërë më 30 maj 1999, të vendosur tek ish shtëpia e oficerëve Elbasan–Shqipëri.

Në burg hymë më datë 24 prill 1999. Na ndaluan në Skënderaj. Ishim në kolonë me familjen. Prindërit kishin ikur më parë në Shqipëri. Ishim bashkë me prindërit, por forcat paramilitare serbe me uniforma dhe me maska në kokë na kthyen në fshatin Grenvnik, afër Klinës, ku qëndruam 4 ditë , para datës 24 prill, deri në orën 10 të datës 23 prill 1999.

Kanë ardh forcat ushtarake dhe na thanë se brenda orës do të ktheheni në shtëpitë tuaja në Mitrovicë. Të nesërmen në orën 8 mbrritëm në Skënderaj, pasi udhëtuam një ditë dhe një natë. Kur arritëm tek postblloku i policisë në hyrje të qytetit, është ndarë kolona nga oficerët e policisë dhe ka filluar ndarja e meshkujve nga familjet nga 16 vjeç e deri të vjetërit në moshë 60-70 vjeç. Jemi ndarë 247 vetë dhe na futën në një shkollë që ishte e shkatërruar.

Pas kësaj kanë ardhur disa paramilitarë serbë pa maska që nxorrën thikat nga mylli e na thanë se “të gjithë do të kaloni përmes këtyre (duke treguar thikat)”. Pastaj filluan keqtrajtimet mbi ne, duke na goditur dhe na fyenin rëndë.

Të nesërmen, më 25 prill, na vijnë 3 kamionë të ushtrisë dhe marrin 60 vetë dhe i qesin si truproja në luftime me UÇK, por luftëtarët e lirisë i dalluan dhe nuk qëlluan mbi ta, kështu nuk pati viktima. U kthyen  përsëri ku ishim ne. Në mes nesh ishin të njohur nga Mitrovica si profesor Xhaferr Hamiti me të dy djemtë, Skënderin dhe Mensurin. Kemi njoft edhe Nexhmi Zeqiri etj.

Në burg asnjë natë nuk ngelte njeri pa u torturuar. Pas sitës së tretë të ndalimit kanë ardhur nga Mitrovica inspektorë të sigurimit shtetëror që merrnin në pyetje. Çdo person që kalonte tek duart e tyre, rrihej brutalisht. Pyetjet ishin rreth UÇK si “sa njeh ti nga ushtarët, ëfarë armësh kanë, ku janë pozicionuar etj”. Më shumë pyesnin për zonën e Shalës, nga edhe ne ishim. Mua dhe vëllanë na morën në pyetje dy herë.

Qëndruam 15 ditë në Skënderaj. Gjatë tërë kohës kemi ndejtuar në çimento. Në 72 orë na jepnin  ¼ e bukës dhe pas ditës së 15 jemi transferuar në burgun e Smrekonicës në afërsi të Mitrovicës e Vushtrisë.

Pas zbritjes nga kamioni na kontrolluan dhe na morën çdo gjë që kishim, filluan të na vendosin nëpër Bavilani në qeli të burgut ku ishin përgatitur rreth 30 milicë që qëllonin mbi çdo të arrestuar kur kalonin pranë. Ishim 247 vetë. Aty gjetëm të burgosur të tjerë, rreth 800 vetë. Pas dy ditësh numri i tyre ka arritur në 3 mijë.

Me sytë tanë kemi parë njerëz me koka të çara e me rrëke gjaku nga goditjet e kondakëve të pushkëve të milicëve, si Sadik Myftari, 35 vjeç. Ishin shumë vetë të tillë.

Gjatë kohës në burg, për çdo ditë nga 100 vetë i merrnin të burgosurit në biseda informative dhe nuk i kthenin më, për fatin e të cilëve nuk dimë gjë. Dhe për çdo ditë vinin të arrestuar të tjerë dhe iknin ata që pyeteshin që nuk dinin se ku i çonin.

Në 48 orë merrnim ushqim prej 2 minutash afati për të ngrënë e për çdo ditë që shkonim në këtë orar në kuzhinë, përsëri rriheshim nga gardianët gjatë shkuarjes dhe kthimit. Edhe këtu kemi fjetur në çimento 72 vetë në dhomë me përmasa 4×4.

Dallimi mes pavionit tonë me një pavion tjetër pamë gjërat më të rënda që kemi përjetuar në burg. Prej orës 6 të mëngjesit fillonin të rrihnin masivisht çdo 1000 vetë që ishin atje. I nxirrnin në oborrin e burgut 2 nga 2 dhe i rrihnin me shkopinj druri e gome, me kondak pushke e me shkelma. Një nga të burgosurit rreth 20 vjeç ka vdekur.

Pas rrahjes, kur ishin babë e bir apo dy vëllezër, i detyronin të rriheshin mes vetes dhe, po qe se nuk e bënin, i rrihte policia. Këto i pamë për rreth 15 ditë.

Gjatë tërë kohës së burgut nuk kemi patur mundësi të pastroheshim. Zgjebja dhe morrat na hëngrën të gjallë. Shumë nga të burgosurit ishin me të meta fizike e mendore prej moshës 13-14 vjeç e deri në të vjetrit. Kemi parë me sytë tanë se si u rrihte plaku 70 vjeçar nga Mitrovica.

Dy ditë para lëshimit nga burgu na merën prej andej dhe na çuan në Mitrovicë në shkollën teknike e na futën në një bodrum që vazhdimisht na thoshin se “do t’ju pushkatojmë”. Ishim 65 vetë dhe pas gjysmë ore filluan rrahjet masive. Pas rrahjes na morën  përsëri në biseda informative dhe më pas na detyruan të rrinim në gjunj me duar lidhur pas e me kokë në tokë. Rreth 6 orë qëndrimi në atë mënyrë, gjatë tërë kohës na rrihnin. Shumë vetave u binte të fikët, të përgjakur, me dhëmbë e hundë të thyera. Fëmijët e tyre serbë i pyesnin se “kë do ti të rrah?” Dhe fëmija e përcaktonte dhe personin  e rrihnin 2 vetë. Fëmijët qeshnin dhe thoshin : “këtu është Serbi”.

Të nesërmen dërguan grupin e dytë prej burgut të Smrekonicës në Mitrovicë në shkollën e Medicinës, ku pësuan ma keq se ne. U trajtuan në mënyrën më kriminale. Nuk mund t’i shikoje me sy, me buzë të shqyera, me fytyra të gjakosura. Ishte dhe mjeku Avni Xhafa 28 vjeç nga Mitrovica. Për 4 ditë nuk ka patur mundësi të lëvizë duart nga rrahjet, trupi i tëri i zi..

Të nesërmen më 22 maj në orën 8 të mëngjesit filluan të na thërrsnin emër për emër dhe nuk dinim se ku na dërgonin pasi na hypën në autobuza deri në Zhur, ku na zbritën dhe na thanë se “kufiri gjendet 5 kilometra larg, ikni në Shqipëri”.

***

Ramadan  B.  Kelmendi,  49 vjeç,

Me banim në Mitrovicë.

Rrëfimi i bërë më prill 1999, Elbasan-Shqipëri

 

Më interesante ka qenë intervista që i mora zotni Ramadan B. Kelmendi, kryetarit të parë të Kuvendit të Kosovës në ilegalitet nga Mitrovica që sjell të gjalla përjetimet makabre të atyre ditëve të një genocidi antishqiptar të drejtuar nga serbët në Kosovë. Me intelektualizimin e tij karakteristik dhe me një narracion tipik, ai flet për ato ditë që pati fatin e keq të ikte pa dashjen e tij nga Mitrovica. “Më 14 mars 1999 në Mitrovicë kanë ardhur individë të caktuar të shërbimit sekret të cilët në bashkëpunim me serbët lokal bënë shënimin e shtëpive me shenja të caktuara dhe në këtë mënyrë : – me SH – shtëpitë e shqiptarëve dhe në rradhë të parë të veprimtarëve politikë të LDK-së (ashtu sië ishin shënuar dy shtëpitë e mija dhe të të tjerëve). Pastaj u shënuan shtëpitë e afaristëve shqiptarë që kishin ndihmuar UÇK me financime të ndryshme. U shënuan edhe shtëpitë e punëtorëve të cilët u punësuan në OSBE si përkthyes, shoferë e shërbime teknike të tjera. Në veçanti ishin shënuar edhe shtëpitë e hoxhallarëve.

Në këtë datë u ekzekutua Agim Hajrizi, 33 vjeç, ekonimist i diplomuar, kryetar i kuvendit të Sindikatave, si dhe është ekzekutuar edhe nëna e Agimit 67 vjeç, si dhe djali i Agimit 8 vjeçar.

Po në të njejtën ditë, 14 mars 1999 është ekzekutuar rreth orës 13 e 30  prof.dr. Latif Berisha, profesor i gjuhësisë në Universitetin e Prishtinës si dhe anëtar i kryesisë së LDK.

Po në këtë natë të tmerrit që jam lajmëruar se u kryen ekzekutimet, së bashku me vëllain tim Abdullain kemi vendosur të ikim nga shtëpia. Te porta e oborrit, fqinji im serb, shkja, Ristiç, 72 vjeç ka qëlluar në drejtim nesh dhe unë kam marrë tre plagë të lehta në këmbë të djathtë. 7 ditë dhe 7 net kam qëndruar i shtrirë në tavan dhe jam mjekuar nga shoqja ime Fikrie Kelmendi e cila fatmirësisht është specialiste e kirurgjisë.

Në të kthyer në shtëpi ilegalisht pas 1 orë e 30 minuta qëndrimi, kanë hyrë 6 persona të maskuar dhe menjëherë më kanë vënë pushkën në gjoks e thikën në fyt, më legjitimon dhe njeri, duke folur një shqipe të bastarduar, më tha : “Ty po të kërkojmë. Tani je në duart tona. Ngjitu lart”. Hypa në katin e dytë dhe sikur çdo gjë e dinin. Kur e panë dhomën time me plot libra më afruan shkrepsen “Këto duhet t’i kallësh”. Iu përgjigja se nuk mundem. Më ranë me kondak pushke “Mozhesh, mozhesh, imorazh” (mundesh, mundesh, do të detyrohesh).

Përkundër vullnetit tim i dhashë flakën bibliotekës sime në të cilën gjendeshin  18.200 botime të autorëve të ndryshëm. Materiali i Kuvendit të Republikës së Kosovës me dokumente dhe foto, i shtypur dhe i lektoruar për botim me 821 faqe. Pastaj poema për Tivarin, Trepça bën grevë, zëri i punëtorëve, delegatët e Kosovës, dramat e gjithësej 32 veprat e mia të botuara e të pabotuara u dogjën.

Atëherë dhe tani njësoj se kam vdekur para kohe, sepse u dogj puna ime 30 vjeçare. Më zbritën në shtëpinë e poshtme nën tytën e pushkës, duke më thënë se e kujt është kjo shtëpi përballë. Ndërsa shtëpia ime digjej, iu përgjegja se është e vëllaut tim. Më thanë se edhe ai e meriton këtë dhe i vunë zjarrin. Pasi më bastisën edhe paratë, më thanë : “Ti mund të shpëtosh vetëm në Shqipëri. Atje pa tjetër do të shkosh”.

U nisa vetëm, pasi gruaja dhe 4 fëmijët dhe nana ime ndodheshin tek një fqinji tjetër. Qyteti i Mitrivicës gumzhinte nga tymi e flaka, pasi si shtëpia ime digjeshin shumë shtëpi. Qyteti ishte i boshatisur. Dëgjoheshin vetëm të shtënat dhe granatimet e ushtrisë serbe. I gjithë populli ishte grumbulluar në lagjen e Tanikut, Zhabar dhe Shipal nga policia. Edhe nga këto vende policia filloi të granatojë, plaçkisë dhe ekzekutojë.

Kështu në prezencën e familjes janë ekzekutuar shumë raste si Asllan Tahir Deliu, 36 vjeç arsimtar, djali i axhës së tij i plagosur, Dervish Deliu, 28 vjeç. Në këtë mënyrë i tërë populli i Mitrovicës ishte i detyruar të qëndrojë jashtë në shkollën e Shipalit, pa ushqim.

Të ndesërmen me urdhërin e policisë serbe, qytetarët u rreshtuan dhe u detyruan të bëjnë një rrugë qarkore nëpër qytet. Gjatë kësaj rruge që filloi nga Zhabari deri tek Ura e Gjëkut, duke vazhduar prap për Shipal, pamë 3 kufoma të ekzekutuar e të karbonizuar. E para ishte vendosur nën familjen Kelmendi, e dyta tek shtëpia e prof. Mehmet Hazirit dhe e treta afër shitores Kajtazi. E tërë kjo u bë për të shtuar frikën e trishtimin. Pas kësj rruge, mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë i nisën me dhunë për në Skënderaj, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Kukës. Kjo rrugë nuk mund të përshkuhet. Pleq, nëna me fëmijë në gji të sëmurë dhe invalidë me karrocat e tyre të përlotur dhe të uritur marshonin drejt shpëtimit ose vdekjes.

Rrugës pamë gjithçka : rroba të gjuajtura, makina të lëna, viktima të braktisura. E para ishte në fshatin Lushtë pranë një shtëpie në një cep rruge, një grua plakë pranë shtëpisë. Viktima e dytë në Prrua të Keq, po një grua plakë me dy vajza që vajtonin e që fatkeqësisht askush nuk mund t’i ndihmonte.

Gjatë rrugës militarët serbë, ushtarë dhe civilë silleshin duke thënë : “Bërzho (shpejt). Allbania nie daleko (Shqipëria nuk është larg)”. Këtu vdisnin nga plumbi, atje nga uria, bënin plaçkitjen e udhëtarëve, na merrnin të hollat, grave ua merrnin florinjtë si dhe orët me vlerë.

Është karakteristike fakti se shtëpitë e serbëve u shënuan me shenjën çetnike  c | c

c | c

që do të thotë : “samo slloga spasi sërbiu” (vetëm bashkimi shpëton Serbinë).

Mitrovica si qendër e madhe industriale e universitare në momentin për të cilin flasim, kishte 130 mijë banorë, të gjithë shqiptarë si dhe 40 mijë nga Drenica të strehuar. Ky numër përbënte 91 % të popullsisë shqiptare, 8 % serbë dhe 1 % romë, turq etj. Shtëpitë e tyre shënoheshin me emrin “turska kuça” dhe të romëve “romska kuça”, si dhe “garanska kuça” shtëpi të cilat nuk janë djegur.

Pranë Mitrovicës ka qenë shtabi i militarëve  të Sheshelit në Zviçan. Ndër kriminelët duhen përmendur Dushan Aciç, i njohur me emrin Ratko, si dhe Zoran Sikiniç nga Mitrovica si dhe Lubisha nga Sukodolli, Markoviç Sreten etj.

Gjendja më e vështirë ka mbetur në Shalë të Bajgorës që është pjesë e Mitrovicës. Atje janë strehuar mbi 48 mijë qytetarë të cilët tani i mbron UÇK-ja po me kushte shumë të vështira, se atje nga 47 fshatra, vetëm 6 nuk janë djegur. Atje mungojnë vendstrehimet, ushqimet, barnat. Ndodhen nën një bllokadë të hekurt e të rrethuar që nga Zveçani, Mitrivica, Vushtria, Prishtina e Podujeva. Posaçërisht në gjendje të vështirë ndodhen fshatrat në veri të Mitrovicës si Lipë, Boletin, Zhezhë, Llahi, Koshtovë, Bistricë dhe Cerrajë, fshat në pikën më veriore në troje të banuar nga shqiptarët”.

* Zotni Ramadan B. Kelmendi jep edhe një statistikë për Kosovën më 7 korrik 1999, para se të largohej nga Elbasani për në Kosovë bashkë me familjen e tij ;

– Në Kosovë nga viti 1941 janë bërë 2800 vitë burg.

– Prej vitit 1981 e deri sot janë 210 mijë njerëz të vrarë.

– Janë shkatërruar 29 qytete dhe 1849 fshatra me një popullsi prej 2 milion e 241 mijë banorë, ku ;

– 91 % shqiptarë, – 3 % serbë, – 2 % boshnjakë, – 1,5 % malazezë, – 1 % romë, – 1 % turq.